Dorëheqja e Fatmir Xhafajt, priten ndryshime në radhët e drejtuesve të Policisë

566
Sigal

Pas dorëheqjes së papritur, për më tepër edhe pa një shkak zyrtar të ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, priten që të ketë ndryshime për sa i përket edhe drejtuesve të lartë të qendrës, por edhe vendorë, të Policisë së Shtetit. Një gjë e tillë është paralajmëruar edhe nga vetë kryeministri Edi Rama, ku nga në Twitter-i, pranoi dorëheqjen e Fatmir Xhafajt dhe “apeloi” për “më shumë shpejtësi dhe rezultate domethënëse”. Në listën e largimeve, i pari që mund të lerë detyrën mund të jetë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili e mori këtë post vetëm disa muaj më parë. Veliu u emërua në krye të organit të rendit mes akuzash nga opozita se kishte thyer ligjin për Policinë e Shtetit, pasi nuk përmbushte as vjetërsinë në punë pa ndërprerje brenda radhëve të policisë dhe nuk kishte as gradën përkatëse. Madje, u prit derisa Ardi Veliu mbaroi kursin për marrjen e gradës madhore dhe menjëherë më pas erdhi largimi i ish-drejtorit Haki Çako. Ky ndryshim, bëhet edhe më i besueshëm nisur edhe nga eksperienca e deritanishme, kur në 5 vjet qeverisje, si ish-Ministri Tahiri ashtu edhe ish-Ministri Xhafaj kanë punuar me personat që kishin përzgjedhur vetë si Drejtorë të Përgjithshëm të Policisë, ndaj edhe në rastin konkret të një Ministri të ri nuk mendohet se kjo strategji do të prishet, qoftë për drejtuesit e Policisë së Shtetit në qendër, por edhe ata vendorë. Këto ditë të “tranzicionit” deri në dekretimin e ministrit të ri të brendshëm Sandër Lleshi nga Presidenti Ilir Meta, puna brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ka vijuar si çdo ditë, por tensioni nga ndryshimet e mundshme dhe përfolja e kandidatëve të rinj ndihet në radhët e institucionit.