Dorëheqja e deputetëve, mban peng Qeverinë

559
Sigal

KQZ nuk ka kuorumin, sërish Kolegji Zgjedhor do certifikojë  16  deputetët e rinj

Klauzola e kryeministrit të ri Edi Rama që ka vënë ndaj ministrave që emëroi në kabinetin e vet qeveritar,, për të lënë mandatin e deputetit, nuk përbën vetëm një risi për politikën tonë, por edhe një “telash” ligjor, në kushtet aktuale, kur KQZ-ja është ende me 4 anëtarë. Por, jo vetëm kaq. Në qoftë se deputetët ministra do të japin dorëheqjen e tyre, njëherësh, maxhoranca do të humbasë shumicën, do të mbetet me 67 kartonë në Kuvend dhe kjo mund të fusë në kolaps vetë Kuvendin, nëse opozita nuk shkon në Kuvend për të miratuar deputetët që do të zëvendësojnë deputetët-ministra. 16 ministrat, që deri tani janë edhe deputetë, janë: Saimir Tahiri -ministër i  Brendshëm,  Ditmir Bushati- ministër i Jashtëm, Milena Harito -ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike, Damian Gjiknuri -ministër i  Energjisë dhe Industrisë, Shkëlqim Cani- ministër i Financave, Mimi Kodheli -ministër i Mbrojtjes, Eglantina Gjermeni -ministër  e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Arben Ahmetaj -ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ilir Beqja- ministër i Shëndetësisë, Lindita Nikolli- ministër i Arsimit dhe i Sporteve, Erjon Velia- ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Nasip Naço -ministër i Drejtësisë, Klajda Gjosha- ministër i Integrimit Europian, Lefter Koka- ministër i Mjedisit, Edmond Haxhinasto- ministër i Transportit dhe Infrastrukturës, Ilirjan Celibashi -ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin do të japin dorëheqjen nga mandati i deputetit.

Procedura e dorëheqjes nga mandati i deputetit, individuale për çdo ministër

Akoma nuk është publikuar procedura që do të ndiqet për dorëheqjen e mandatit të deputetit nga 16  ministrat e emëruar nga Edi Rama. Sipas një burimi  për “Telegraf” nga zyra për Çështjet Zgjedhore në PS,  procedura për dorëzimin e mandatit të deputetit nga ana e 16 ministrave, do të nisë vetëm pasi të jetë votëbesuar qeveria e re në Parlament. Në mënyrë individuale, të 16 ministrat e PS-së dhe LSI-së, pasi qeveria ka marrë votëbesimin në Kuvend,  do t’i drejtohen individualisht me një kërkesë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë për t’u dorëhequr si deputetë dhe më tej Parlamenti do të njoftojë KQZ-në për vakancën e krijuar. Emigma që mbetet për t’u zbuluar është se si do të bëhet dorëheqja nga mandati i deputetëve të ministrave. Individualisht, por në të njëjtën kohë, apo individualisht, e shtrirë në kohë të ndryshme, për të shmangur nga çdo çast humbjen e shumicës në Kuvend?  Kryeministri Rama akoma nuk ka vendosur se, cila procedurë do të ndiqet. Të kontaktuar nga “Telegraf”, edhe vetë ministrat e rinj të qeverisë “Rama1”, ende nuk e kanë të  qartë se, cila do të jetë procedura që do të ndjekin për të dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit.

Ndërsa deputeti Spartak Braho, juristi me përvojë të gjatë parlamentare, prononcohet për “Telegraf”.” Deputetët që do të lënë mandatin për t’u bërë ministra, më parë duhet të bëhen deputetë. Që  do të thotë, të bëjnë më parë betimin në Kuvend, bashkë me të tjerët, në datën 9 shtator. Pas kësaj, japin dorëheqjen nga mandati i deputetit, duke ia paraqitur kërkesën me shkrim kryesisë së Kuvendit. Miratohet lënia e mandatit të deputetëve dhe lista e re e deputetëve të zëvendësuar, sipas listës së ardhur nga KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor. Kryeministri i ri, që është mandatuar nga Presidenti për të paraqitur ekipin e ri qeverisës, ia paraqet Presidentit për t’i dekretuar këtë listë të qeverisë dhe më pas dekreti i Presidentit vjen në Kuvend për të marrë votëbesimin si qeveri e ministrave që kanë lënë mandatet e deputetëve”. Kjo formulë e procedimit, mund të bëjë që në një moment maxhoranca e re, pas dorëheqjes të 16 deputetëve, të ketë 67 kartonë në Kuvend. Në këtë rast, nëse opozita nuk ka vullnet për të vazhduar normalisht procesi i zëvendësimit të deputetëve, atëherë Kuvendi mund të futet në një kolaps ligjor procedural. Të gjitha këto hamendje, por me opozitën e re, të gjitha opsionet ligjore janë të hapura.

Kolegji Zgjedhor do të certifikojë edhe 16 deputetët e rinj

I pyetur, nëse do të ketë vakuum kohor, nga ndërkoha e lënies të mandatit të deputetit nga ministrat, deri në betimin në Kuvend të 16 deputetëve të rinj, ( sepse KQZ-ja mund të shqyrtojë listën e deputetëve të rinj në shumë ditë), zoti Braho u përgjigj: “ Vakuumi kohor është e shumta 2 ditë, pasi Kolegji Zgjedhor do ta shqyrtojë brenda ditës kërkesën që do t’i përcillet nga KQZ-ja, pasi KQZ-ja nuk e ka kuorumin për të certifikuar 16 deputetët e zëvendësuar”. Ministrat do të heqin dorë nga mandatet në periudha të ndryshme dhe individuale për të shmangur rrezikun e humbjes së shumicës parlamentare. Bëhet fjalë për 16 ministra, që nëse lënë në të njëjtën ditë mandatin, do ta çonte maxhorancën në 67 mandate dhe në rast se e djathta do të braktiste seancën, atëherë do të mungonte kuorumi i nevojshëm prej 71 deputetësh për të zhvilluar normalisht seancën plenare.

PS-LSI ende nuk kanë vendosur se, cilët do të jenë 16 deputetët e rinj

Ndërsa dihet se, cilët janë ministrat që do të dorëzojnë mandatet, nuk ka ende një listë të saktë të atyre që do të vijnë në Parlament. Pasi Kodi Zgjedhor në nenin 164, pika 2 e tij, këtë herë parashikon që nëse mandatin e dorëzon një grua, atëherë vendin e saj duhet ta zërë po një grua. Dhe kjo bën që në Parlament vendin e një gruaje të mos e zërë automatikisht pasardhësi në listë, por gruaja e radhës, që mund të jetë edhe disa numra më poshtë. Madje, sipas Kodit, në nenin 174 të tij, parashikohet që në qarqet ku partitë nuk kanë respektuar ligjin për 30% gra në lista, edhe nëse ikën një burrë nga Parlamenti, ai duhet zëvendësuar nga një grua që mund të jetë edhe e fundit në listë. Akoma partitë PS-LSI nuk kanë publikuar ato emrat e deputetëve të rinj, pavarësisht hamendjeve që janë bërë. A do të zbatojnë këto dy parti kërkesat e Kodit Zgjedhor për 30 % të grave në listat për deputetë, apo do të zbatojnë renditjen listore, duke pranuar, njëkohësisht, edhe gjobën  që mund të japë KQZ-ja, e parashikuar sipas Kodit Zgjedhor? Koha, së shpejti, do ta tregojë.

QARKU TIRANË

PS
Enkelejda Shkreli
Bledar Doracaj
Ervin Bushati
Blerina Gjylameti

LSI
Ylli Manjani

QARKU FIER

PS
Anduel Xhindi
Adelina Rista

QARKU GJIROKASTËR

PS
Vladimir Kosta
Dashamir Kamberi

QARKU ELBASAN

PS
Luljeta Arapit

LSI
Miranda Rira

QARKU DURRËS

PS
Esmeralda Shkjau

LSI
Silvana Maksuti

QARKU DIBËR

PS
Ezmerina Hoxha

QARKU BERAT

LSI
Silva Caka