Donald Tusk dhe Jean Claude Junker urojnë Metën: Mbështesim reformat drejt BE-së

497
Gjatë ditës së djeshme, Presidenti Ilir Meta mori mesazhe të shumta urimi. Dy zyrtarë të lartë evropianë në një mesazh të përbashkët japin sinjale të mira për vendin
Presidenti i ri Z. Ilir Meta, vazhdon të marrë mesazhe urimi nga zyrtarë të lartë evropianë dhe personalitete të vendeve të ndryshme. Gjatë ditës së djeshme ai ka marrë mesazhe të përbashkëta nga dy zyrtarë të lartë evropianë, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Përmes një telegrami të përbashkët shkruhet se, sfidat me të cilat Shqipëria po përballet aktualisht kërkojnë një konsensus të fortë ndër-partiak për vlerat evropiane dhe politikat e reformat përkatëse.“Shkëlqesi, ju lutemi pranoni urimet tona të sinqerta për zgjedhjen tuaj si President i Republikës së Shqipërisë! Sfidat politike me të cilat Shqipëria po përballet aktualisht kërkojnë një konsensus të fortë ndër-partiak për vlerat evropiane dhe politikat e reformat përkatëse. Shpresojmë se Ju do të ndihmoni për ta çuar vendin përtej përçarjeve politike dhe se Shqipëria shumë shpejt do të përmbushë pesë Përparësitë Kryesore, në mënyrë që të plotësohen kushtet për hapjen e negociatave”, vijon mesazhi i Tusk dhe Juncker, teksa theksohet se Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian do të vazhdojnë të mbështesin reformat e ndërmarra dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Në mars, Këshilli Evropian, përsëriti mbështetjen e tij pa mëdyshje ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar mes çështjesh të

tjera, rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. “Në këtë kontekst, dëshirojmë t’ju sigurojmë rreth përkushtimit tonë për vazhdimin e mbështetjes së vendit tuaj ndaj kryerjes së reformave dhe projekteve të orientuara drejt Bashkimit Evropian! Shpresojmë dhe presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë, në mënyrë që Shqipëria të mundësohet për të përparuar në rrugëtimin e saj evropian”, mbyllet mesazhi drejtuar Presidentit Meta.
Mesazh nga Kryeministri i Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka uruar Presidentin e Republikës së Shqipërisë Ilir Meta me rastin e marrjen e detyrës. Në mesazhin i tij të urimit për Presidentin Meta shkruan se: “Me rastin e betimit tuaj dhe marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kam nderin e madh të ju uroj, dhe shpreh dëshirat më të ngrohta, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të qytetarëve të saj dhe në emrin tim personal. Kam besimin e thellë në personalitetin tuaj dhe rolin që keni luajtur përgjatë shumë viteve në zhvillimet e gjithëmbarshme në Shqipëri”, shprehet Mustafa. Më tej ai shton se roli i Presidentit Meta do të jetë edhe më përcaktues në perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Shqipërisë si edhe në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve vëllazërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.“Jam i sigurt që kontributi Juaj, nga pozita e Kreut të Shtetit Shqiptar, do të jetë i fuqishëm dhe përcaktues në unitetin e brendshëm, për avancimin e proceseve nëpër të cilat po kalon Shqipëria, dhe perspektivën e sigurt evropiane dhe euroatlantike. Ne, në Kosovë ju jemi përherë mirënjohës dhe falënderues ju në Shqipëri, për gjithë ndihmesën e dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj, në kohëra të vështira, dhe tani në proceset e reja zhvillimore. Roli i Shqipërisë, në përkrahjen dhe rritjen e Kosovës është thelbësor, dhe presim që ky rol të vazhdojë të mbetet i tillë gjithmonë. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë të shkëlqyera dhe vëllazërore, rrugët tona në të ardhmen do të jenë krah për krah, dhe në bashkëpunim të ngushtë e të thellë në të gjitha fushat”, është shprehur Kryeministri i Kosovës.
Mesazh nga politikani grek
Kryetari i Partisë Demokracia e Re në Greqi, Kyriakos Mitsotakis uron Presidentin Z. Ilir Meta me rastin e marrjes së detyrës. Në telegramin e tij të urimit, z. Kyriakos Mitsotakis vlerëson marrëdhëniet e mira mes Greqisë e Shqipërisë si dhe shprehet besimplotë në kontributin pozitiv të Presidentit Meta në qëndrueshmërinë e rajonit. “Dëshiroj t’ju përgëzoj me rastin e marrjes së detyrës si Presidenti i Republikës së Shqipërisë! Jam i vetëdijshëm rreth përkushtimit tuaj ndaj perspektivës evropiane të vendit tuaj dhe mbetem besimplotë se në cilësinë e re, ju do të aderoni në këtë drejtim duke kontribuuar kështu në begatinë afatgjatë të Shqipërisë dhe qëndrueshmërinë e rajonit tonë. Nga ana jonë, Demokracia e Re dhe unë personalisht mbështesim me konsekuencë integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, në institucionet euro-atlantike. Në këtë kontekst ne i konsiderojmë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke në Shqipëri si të një rëndësie shumë të madhe. Ju uroj një mandat presidencial të suksesshëm në interes të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe qëndrueshmërisë e mirëqenies së rajonit tonë!”, shkruan në telegramin e urimit Z. Mitsotakis.
Sigal