Donald Lu: Shqipëria e sotme, si SHBA në kohën e Al Kapones

453
Sigal

Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët në politikë

Kur shërbeja në Kirgistan një dekadë më parë, një bos i krimit të
organizuar ishte aq i guximshëm saqë ngriti një tendë përballë portës së
Parlamentit dhe kërcënonte deputetët se do t’i dhunonte nëse nuk përmbushnin
kërkesat e tij. Dy dekada më parë në Gjeorgji, grupi kriminal Mkhedrioni ishte
aq i fuqishëm saqë Presidenti Shevernaze vendosi që nuk mund t’i luftonte dot
më dhe i shndërroi në Gardën Kombëtare të Gjeorgjisë, ku kryen vrasje
jashtëgjyqësore dhe vazhduan me aktivitetet e tyre kriminale me autoritetin
ligjor për të mbajtur armë, arrestuar qytetarë e mbajtur uniformë. Në Shqipëri,
ata që akuzohen si trafikantët kryesorë të drogës dhe krerë të krimit të
organizuar rrallë ndeshen me akuza penale. Një shembull shumë i njohur i këtij
fenomeni është rasti i trafikantit të dënuar për drogë Emiljano Shullazi, që
për shumë vite është akuzuar për vrasje, trafikim narkotikësh dhe zhvatje, por
që u arrestua vetëm kohët e fundit. Shqipëria ka nivelin më të ulët të
procedimit penal të krimeve të rënda në Europë. Problemi është
pandëshkueshmëria. Krerë të fuqishëm të krimit mund të mos i gjejë asgjë edhe
për vrasje për shkak të lidhjeve të tyre me persona me ndikim. Ne në Shtetet e
Bashkuara u përballëm me probleme të ngjashme. Gangsteri më i famshëm amerikan,
Al Kapone, drejtonte një grup të krimit të organizuar në Çikagon e viteve
1920-të dhe 1930-të. Kur më në fund u arrestua, pasuria e tij krijuar përmes
prostitucionit, kumarit dhe kontrabandës u vlerësua në 100 milionë dollarë. I
bëri të gjitha këto duke pasur nën kontrollin e organizatës së tij kriminale
persona strategjikë në polici, gjykata dhe qeverisjen vendore.

Situata në Shqipëri është serioze

Situata në Shqipëri është serioze, por besoj që reforma në drejtësi dhe
procesi i dekriminalizimit do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të
pandëshkueshmërisë dhe të lidhjeve kriminale me politikën. Popullit shqiptar i
ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët në politikë. Përpjekja e suksesshme
për të larguar vrasësit, tutorët, trafikantët e drogës e përdhunuesit nga
Kuvendi dhe qeverisja vendore do të kenë efekt jetëgjatë në uljen e
pandëshkueshmërisë së krerëve të krimit të organizuar në Shqipëri. Ky është
gjithashtu një paralajmërim për kriminelët e tjerë -“Të bëhesh pjesë e
politikës i bën keq biznesit. Do mbulojë aktivitetet tuaja kriminale dhe do
përfundoni në burg”. Reforma në drejtësi është e rëndësishme për pastrimin e
gjykatësve dhe të prokurorëve të korruptuar. Është gjithashtu e rëndësishme
sepse do të krijojë një prokuror të pavarur dhe një njësi të posaçme hetimore,
të quajtur Byroja Kombëtare e Hetimit ose BKH. Të dyja këto do të vënë në
shënjestër korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar. Shtetet e Bashkuara
kanë marrë angazhimin të mbështesin zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit
përmes trajnimeve, ndihmës dhe bashkëpunimit me FBI-në amerikane. Në muajin
prill, Kryeministri Rama vizitoi selinë e FBI-së dhe u takua me Drejtorin e
FBI-së Comey për ta përforcuar këtë angazhim. Ky do të jetë një grup hetuesish
seriozë dhe të aftë. Atyre do t’u bëhet në mënyrë sistematike testi i
poligrafit. Do të marrin trajnimin më të mirë dhe pajisjet më të fundit. Nga
Uashingtoni do të caktohet një agjent i FBI-së për t’u siguruar që të jenë efikase
në punën e tyre dhe që i hetojnë çështjet pa anshmëri politike. Është në
interesin e Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të trajtojë në mënyrë të
suksesshme problemin e saj të krimit të organizuar. Kjo është në interesin edhe
të Bashkimit Evropian. Mbi të gjitha, është në interesin e popullit shqiptar.
Jemi të përkushtuar ta mbështesim vendin në luftën e tij kundër krimit të
organizuar dhe e dimë se Shqipëria do të jetë e suksesshme me ndihmën e
partnerëve të saj.

 Fjala e ambasadorit në Seminarin e Qendrës Marshall: Krimi i Organizuar
Transnacional, 7 shtator 2016