Donald Lu: Qeveria t’i shpallë luftë krimit të organizuar

568
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, në fjalën e tij gjatë javës së shkuar, ku foli për bandat dhe klanet mafioze në Shqipëri, sugjeroi edhe rrugën e daljes nga gjendja e rëndë. “Drejtuesit e krimit në Shqipëri rrallë arrestohen dhe pothuajse kurrë nuk ndiqen penalisht. Në vitin 2016, policia arrestoi 1,349 persona për kundravajtje të lidhura me trafikimin e drogës. Më pak se 100 nga këto arrestime çuan në dënime për trafik droge në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Edhe më shqetësues është fakti që kishte zero dënime, zero arrestime, zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për organizim, drejtim apo financim të organizatave të trafikut të drogës gjatë vitit 2016. Edhe në vitin 2015 ishin zero”, u shpreh Lu. Sipas tij, në Shtetet e Bashkuara në vitet ‘20 dhe ‘30 pati një epidemi të krimit të organizuar. “U krijuan task-forca elitë të agjencive të ndryshme për të vënë në shënjestër drejtues të mafias si Al Capone. Kishin prokurorë, policë, dhe ekspertë të krimit financiar që punonin së bashku. Është me rëndësi kritike që policët, prokurorët dhe shërbimet inteligjente shqiptare të punojnë më ngushtë për të luftuar krimin e organizuar”, tha ambasadori. Ai shtoi se nuk ka për të qenë e lehtë. “Me gjasë do të jetë luftë e egër. Në vitin 2014, Shqipëria pati 72 bomba në makina dhe shumica besohet se ishin rezultat i dhunës mafioze. Populli shqiptar duhet të kërkojë veprim, por duhet të dijë se të arrish rezultate kundër drejtuesve të fuqishëm kriminalë kërkon durim, guxim dhe sakrifica. Besojmë se është koha që qeveria e Shqipërisë t’i shpallë luftë krimit të organizuar”, tha Lu.
Sigal