Donald Lu përmend 4 emra: Këta mjaftojnë për të treguar lidhjet e politikës me krimin

Gjatë prezantimit të rezultateve të operacionit “Forca e Ligjit” në Ministrinë e Brendshme, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, vuri theksin tek lidhja e politikanëve me grupet kriminale.

Ai tha se ky është një problem që ka pllakosur Shqipërinë që pas rënies së komunizmit. Donald Lu, shtoi se një lidhje e tillë nuk duhet mohuar, madje mori edhe 4 emra si shembull.

“Deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve penale. Shqipëria ka një problem me lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikanëve. Shqyrtoni rastet e Arben Frrokut, Elvis Rroshit, Arben Ndokës, Gentian Mahmutaj . Ky problem ka pllakosur politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit. Asnjë nuk është mbi ligjin. Ju thoni “peshku i madh e ha të voglin”, për një herë të vetme në Shqipëri, le të hamë peshkun e madh,” u shpreh Donald Lu.

Ai gjithashtu tha se ka ardhur koha që të kapen sa më parë peshqit e mëdhenj dhe se rezultatet duhet të shihen që në fillim të 2018-ës.

“Ne presim rezultate, presim që ky plan agresiv të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të peshqve të mëdhenj dhe rezultatet duhet të nisin në fillim të vitit të ardhshëm. Të ndiqen penalisht peshq të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm. Populli shqiptar e kërkon dhe e meriton këtë. Asnjë nuk është mbi ligjin. Ju thoni “peshku i madh e ha të voglin”, për një herë të vetme në Shqipëri, le të hamë peshkun e madh,” tha Lu.