Donald Lu: Ministrat e korruptuar dhe deputetët kriminelë i tremben reformës në drejtësi

467
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, publikisht dje në Komisionin Parlamentar për reformën në drejtësi, për herë të parë, deklaroi që në qeverinë shqiptare ka ministra të korruptuar. Gjithashtu, ambasadori amerikan, Donald Lu pohoi se në parlamentin tonë ka deputetë kriminelë. Donald Lu, shtroi domosdoshmërinë që ka ardhur koha për ndryshime radikale dhe jo thjesht arnime politike, duke nënkuptuar, që tashmë nuk duhen bërë vetëm ndryshime të pjesshme në qeverisje dhe as largime të 2-3 deputetëve kriminelë, por, kuptimi është që duhet që Shqipëria të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ky parlament i kriminalizuar duhet të shpërndahet. “Ka ardhur koha për ndryshime radikale dhe shpresoj që kjo reformë t’i sjellë”, – pohoi ndër të tjera ambasadori amerikan, Donald Lu. 

Donald Lu: “Kush i trembet më shumë reformës në drejtësi?!
Donald Lu: “Kush i trembet më shumë reformës në drejtësi?! Unë e di kush. Ministrat e korruptuar, deputetë kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja, por kurrë nuk ndjekin penalisht dikë. Këta persona duan të vazhdojnë të mbushin xhepat e tyre me paratë e popullit shqiptar. Mendoni për ta sa herë të dëgjoni që këta njerëz kritikojnë reformën në drejtësi. Për shkak se Shqipëria është një demokraci e mirëfilltë duhet të ketë dialog të hapur e të sinqertë nëse këto propozime kushtetuese nga ekspertët tanë janë reformat e duhura për të trajtuar problemet serioze të Shqipërisë. Të gjitha partitë duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe t’i japin fund sulmeve politike.

 Jam inkurajuar që javën e shkuar 7 ekspertë të zgjedhur nga opozita u caktuan të punojnë në hartimin e ligjeve të reja. Nxis të gjithë si shqiptarët ashtu dhe partnerët ndërkombëtarë që të dëgjojmë me vëmendje diskutimet dhe sugjerimet konstruktive për këtë reformë. Mund t’ju siguroj se SHBA mbështet plotësisht propozimet aktuale. Kjo është një reformë e rëndësishme, se për herë të parë do të ndërmarrë hapa për të eliminuar gjykatësit e prokurorët e korruptuar dhe të paaftë nga sistemi i drejtësisë. Së fundmi, një gjykatës shqiptar tha kohët e fundit se ai vinte në diskutim nëse propozimet kushtetuese do të komprometonin pavarësinë e gjyqësorit të Shqipërisë. Kësaj i them se as edhe në shqiptar i vetëm sot nuk beson se sistemi i drejtësisë është i pavarur. Jo i pavarur prej kërkesës për ryshfet, jo i pavarur prej telefonimit të drejtësisë. Persona të fuqishëm telefonojnë drejtpërdrejtë gjyqtarët për udhëzime. Si dhe jo i pavarur prej kërcënimeve kriminale të krimit të organizuar.” 

Kryeministri Rama: Ndryshimet në qeveri janë pjesë e fantazisë
Kryeministri Edi Rama, edhe pse dje u takua sërish me kryetarin e Kuvendit dhe kryetar i LSI, Ilir Meta, së bashku me ministrat Beqaj, Gjiknuri, Tahiri, Gramoz Ruçi dhe Erion Braçe, pas këtij takimi, kundërshtoi prerazi çdo skenar për ndryshime në qeveri apo edhe për zgjedhje të parakohshme, në një kohë, kur po dje, ambasadori amerikan Donald Lu në tryezën e diskutimeve të Komisionit Parlamentar të reformës në drejtësi haptazi deklaroi se ka ministra të korruptuar dhe deputetë kriminelë. Kryeministri Rama do të ishte informuar për deklaratat e ambasadorit amerikan dhe, nëse do të ishim në një shtet më demokratik, reagimi i parë nga kryeministri i vendit, do të ishte dorëheqja, jo vetëm e ministrave të korruptuar, për të cilën pohoi ambasadori amerikan, por të vetë kryeministrit. 

Por, përgjegjësia më e madhe e kryeministrit Rama është se qeveria e tij mbahet ende me deputetë kriminelë, sipas ambasadorit amerikan në Tiranë. Por, çuditërisht, kryeministri Rama i anashkaloi deklaratat e ambasadorit amerikan për ministra të korruptuar dhe deputetë kriminelë, derisa, dje, pas takimit me Ilir Metës, i pyetur nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme në pranverë, kryeministri Edi Rama tha se kjo është fantazi e gazetarëve. “Zgjedhjet parakohshme janë pjesë e kësaj fantazie. Mos prisni asgjë nga ato që fantazoni, komentoni dhe analizoni vet. Janë të gjitha fantazi që nuk kanë lidhje me realitetin. Forcën e koalicionit e përcakton ecuria e reformave, referojuni suksesit të eurobondit, vlerësimeve të bankës botërore. Reformat po japin rezultatet e para, por nuk e japin brenda dy vitesh.”. 
Sigal