Donald Lu: Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë

73
Kryeministri Rama, pardje nga salla e parlamentit deklaroi se ndërkombëtarët dhe shqiptarët kishin dijeni për akuzat që rëndojnë mbi vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe se ky është një rast i njohur dhe se nuk implikohet qeveria, apo vetë ministri Xhafaj. Sipas tij, nëse ministri do kishte përgjegjësi për këtë çështje do kishte folur SHBA dhe BE. “Fakti është i njohur për të gjithë shqiptarët, sepse nuk janë të detyruar ta kenë gjithmonë mendjen tek kjo tollovi e madhe. Ky fakt është njohur edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Përpara se të flisnin këta, do kishte folur miku ynë, ambasadori i SHBA dhe BE. Nëse Xhafaj do kishte përgjegjësi, do kishin folur edhe ata që nuk kanë lënë rast pa folur. Ata as kanë folur dhe as kanë çfarë të thonë fare. Për ata ky është një fakt i njohur dhe nuk përbën asnjë implikim direkt ose indirekt, qoftë të qeverisë së këtyre, qoftë tonën. E vetmja referencë e besueshme janë ata, të cilët na vëzhgojnë, na monitorojnë dhe na kritikojnë, herë më të drejtë dhe herë të pa drejtë. Si ka mundësi që ndërkohë që shpërtheu ky zbulim, ambasadori amerikan nuk iu referua fare këtij fakti kaq tronditës. Ai foli për një fakt tjetër pas një lëvizje të kreu të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Këta akuzuan mua dhe neve, por foli vetë ambasadori amerikan. Do kishte dalë miku ynë i shtrenjtë dhe njohësi i kudondodhuri gjithë proceseve për të vënë drejtësi”- tha Rama.
Përgjigja e ambasadorit Lu: Fol për veten tënde
Ambasadori amerikan në Tiranë Lu, reagoi dje, për deklaratën e kryeministrit Rama. Ambasadori amerikan Lu doli kundër kryeministrit Edi Rama, për të cilin thotë se nuk duhet të flasë në emrin e tyre dhe shton se po shqyrtojnë pretendimet për Agron Xhafaj. “Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. Ne jemi duke i shqyrtuar pretendimet që janë ngritur në lidhje me vëllain e Ministrit Xhafaj.”, deklaron Ambasadori Lu. 
“Rama duhet të flasë në emrin e tij”, vjen përgjigja e kryeministrit për ambasadorin Lu
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili i përgjigjet ambasadorit amerikan duke i thënë se “ Patjetër që unë flas për veten time dhe miku ynë Lu flet për veten e vet. Dhe krejt normalisht, është puna ime të them atë që mendoj kur flas lidhur me të, siç është puna e tij të thotë atë që mendon kur pyetet lidhur mua.”
Kryeministri Rama zbardh projektin për linjë ajrore shqiptare me ndihmën e Turqisë
Kryeministri Rama zbardh një plan ambicioz për ngritjen e një linje ajrore shqiptare, me ndihmën e Turqisë. Në takimin që pati me një nga drejtuesit e Turkish Airlines, IIker Auci, kryeministri Rama pohon se “…diskutuam për projektin që kam bërë me dije më parë, për ngritjen e një linje të re ajrore shqiptare, e cila ka nisur të projektohet falë mbështetjes së posaçme të Presidentit Erdogan dhe asistencës teknike të ekipit të Turkish Airlines. Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm për faktin se cilësia e shërbimit të transportit ajror të shqiptarëve që lëvizin, qoftë jashtë atdheut, qoftë kur kthehen në atdhe, por dhe të të gjithë të tjerëve, lë shumë për të dëshiruar. Natyrisht nuk flas për kompanitë e mëdha që operojnë në Shqipëri, por flas për shërbimin që u jepet njerëzve në shumë drejtime, me një cilësi dhe me një kosto bilete që realisht lë shumë për të dëshiruar. Ka qenë objektivi ynë, që në fillim, që të punojmë për ngritjen e një linje ajrore shqiptare. I jam shumë mirënjohës, qoftë Presidentit të Turqisë, qoftë Drejtuesit Ekzekutiv të Turkish Airlines që po na japin një ndihmë shumë të vyer. Faktikisht, sot, ne pamë konkretisht që jemi afër finalizimit të këtij projekti dhe jemi shumë shpresëplotë se në harkun e këtij viti do të fillojnë edhe fluturimet e para. Unë besoj që në një kohë të arsyeshme, prej maksimumi 90 ditësh, ne do të paraqesim të gjithë pasqyrën e plotë të kësaj ambicieje të materializuar në detaje, për si do të jetë, çfarë do të bëjë fillimisht, si do të zgjerohet vit pas viti, sa të punësuar dhe sa rritje progresive të punësimit do të ketë linja e re ajrore shqiptare”.