Donald Lu, fundjavë amerikane në Korçë

539
Ambasadori amerikan, Donald Lu, ishte në fundjavë në Korçë, ku festohej Dita Amerikane, ndërsa politika shqiptare është përfshirë nga çështja “Tahiri”. Marrëdhënia e gjatë e Korçës me emigracionin në Amerikë, prej më se një shekulli, u festua me aktivitete simbolike në “Pazarin e vjetër” të qytetit, ku prania e diplomatit Lu ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve. Ai vizitoi ekspozitën e hapur me materiale, foto dhe letra nga jeta e shqiptarëve në Amerikë ndër vite, ku edhe u njoh me historinë e hershme të emigracionit për disa prej familjeve të qytetit juglindor. Lu ka vlerësuar shumë prej elementëve të spikatur në qytetin e Korçës. “Mësuesja ime e parë në Amerikë për gjuhën shqipe ishte korçare dhe një nga fjalitë e para që kam mësuar ishte ‘Ja korçare, ja hiç fare’. Kam mësuar gjithashtu që ushqimi dhe muzika nga Korça janë më të mirat. E sidomos birra nga Korça, sigurisht më e mirë”, tha ambasadori Donald Lu. Më tej, Donald Lu vizitoi edhe këndin e kuzhinës, ku simbolikisht ishin përgatitur gatime tradicionale amerikane. Ambasadori pranoi jo vetëm të shijonte këto gatime, por nuk hezitoi që për pak kohë të ishte ai kuzhinieri.
Sigal