Donald Lu dhe Vlahutin në Gjykatën e Lartë, diskutojnë me gjyqtarët për reformën në drejtësi

511
Ambasadori amerikan Donald Lu dhe ajo e BE-së, Romana Vlahutin zhvilluan sot një diskutim me komunitetin e gjyqtarëve, lidhur me procesin e reformës në drejtësi si dhe zhvillimet e pritshme në këtë drejtim. Në takimin që u organizua në Gjykatën e Lartë nga kryetari Xhezair Zaganjori, ishin të pranishëm edhe Kreu i Misionit Euralius IV Z. Ranier Deville, si dhe Drejtuesi i Misionit OPDAT Z. Jon Smibert. Gjykata e Lartë bën të ditur se “takimi u përshkua nga një frymë e shëndoshë diskutimesh dhe debatesh. Në të u theksua rëndësia e nevojës për reformë dhe u shpreh gatishmëria e komunitetit të gjyqtarëve për të bashkëpunuar në implementimin e saj. Në thelb kjo reformë duhet të ketë në fokus forcimin real të pavarësisë së sistemit gjyqësor, rritjes së efektivitetit dhe performancës së tij, luftës kundër fenomeneve negative, veçanërisht kundër korrupsionit, etj”.
Gjatë diskutimeve, u theksua se ekzistojnë probleme serioze që kanë të bëjnë me cilësinë e vendimeve; kushtet e punës; zvarritja e proceseve gjyqësore; niveli i ulët i besimit të publikut te drejtësia; disiplina dhe etika profesionale, etj. Duhet të jenë pikërisht këto fenomene që kjo reformë duhet të adresojë dhe korrigjojë duke mbajtur parasysh respektimin e standardeve ndërkombëtare në fushën e drejtësisë. Gjyqtarët vunë në dukje se suksesi i kësaj reforme lidhet me nevojën për gjithëpërfshirje dhe një konsensus sa më të gjerë, në mënyrë që ajo të prodhojë rezultate pozitive, të jetë e qëndrueshme në kohë dhe efektive.
Pjesëmarrësit në këtë tryezë shkëmbyen ide dhe paraqitën opinione për aspekte të veçanta që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese si dhe implementimin e tyre në të ardhmen, nëpërmjet legjislacionit zbatues që do të miratohet mbi bazën e këtyre amendamenteve. Gjithashtu edhe të ftuarit sqaruan efektet përmirësuese që priten të arrihen nga kjo reformë duke paraqitur vizionin e tyre, si dhe duke siguruar vullnetin e tyre të palëkundur dhe asistencën e vazhdueshme për realizimin me sukses saj.
Sigal