Dollapi, administratori i punësimit të militantëve të PD-së te CEZ-i

507
Sigal

 Shqiptarët paguajnë 600 % më shtrenjtë kilovatorin, për shkak të paaftësisë profesionale  të CEZ-it

 Sahit Dollapi u caktua  nga qeveria si administratori i ri i CEZ-it, me kompetenca të pakufizuara dhe i plotfuqishëm, që vetë të vendosë e vetë të vulosë, me pretekstin se do të ndryshojë sjelljen dhe shërbimin e CEZ-it ndaj qytetarëve, për të çliruar konsumatorët e energjisë elektrike nga vjedhjet, mashtrimet e abuzimet sistematike që u janë bërë gjatë viteve. Dhe, si administrator shtetëror i CEZ-it, Dollapi u zotua që ditën e parë, se CEZ-i i tij do të njoh të gjitha ankesat e drejta të konsumatorëve të energjisë elektrike dhe do të përmirësojë shërbimin.

Qytetarët vazhdojnë të jenë viktima të vjedhjeve sistematike të CEZ-it të Dollapit

Asnjë premtim të dhënë, Dollapi, si administrator i ri i CEZ-it ende nuk ka realizuar. Asnjë! Qytetarët sërish mbifaturohen. Madje, me të njëjtat metoda. Me shuma të vogla, në disa muaj, për ta mbifaturuar sasinë në një muaj, që qytetarët ta paguajnë me dyfishin e çmimit kur  kilovatorët e kapërcejnë pragun e 300 kvv. Mbifaturohen, edhe kur nuk harxhojnë sasinë e kvv. Asnjë ankesë të qytetarëve Dollapi nuk ka verifikuar që t’u japë qytetarëve të drejtën e mohuar. Asnjë matës të energjisë elektrike, Dollapi nuk ka kolauduar, edhe pse e di shumë mirë që matësit e CEZ-it janë kolauduar për të vjedhë konsumatorët, sepse matin energji më shumë nga konsumimi real. Dollapi nuk ka marrë asnjë masë për humbjen e energjisë elektrike në rrjet, duke i detyruar qytetarët të paguajnë edhe humbjet e CEZ-it.

 Spastrimet e punonjësve të CEZ-it nga administratori Dollapi

CEZ-i është konceptuar nga Dollapi si një ndërmarrje për  punësimin e gjithë të besuarve të tij, të gjithë militantëve partiakë, ndaj, që ditën e parë Sahit Dollapi, me marrjen e detyrës si administrator i qeverisë për CEZ sh.a, ka ndërmarrë një kryqëzatë largimi nga puna të qindra punonjësve, kryqëzatë kjo, që vazhdon ende dhe çdo ditë ka pushime të tjera nga puna.  Dollapi ka larguar deri tani 420 punonjës në gjithë Shqipërinë dhe pritet që të larguarit të shkojnë në 2000 deri në qershor dhe nxjerr në dispozicion 950 punonjës. Duke prishur e ndërtuar struktura organizative në mënyrë të jashtëligjshme, Dollapi ka bërë pushime nga puna me procedura të paligjshme. Në këtë veprimtari aspak njerëzore ka gjetur ortakërinë me Entin Rregullator të Energjisë Elektrike, institucion ky që ka miratuar struktura organizative në kundërshtim me kuadrin ligjor për Modelin e Tregut të Energjisë Elektrike. Ndër këta punonjës ka mosha të reja, nëna me fëmijë, gra shtatzëna dhe kategori të tjera, të cilët nëpërmjet punës së ndershme në CEZ sh.a kishin ndërtuar të sotmen dhe të ardhmen. Punonjësit e pushuar nga puna jenë më së shumti me arsim të lartë, një pjesë i kanë kryer studimet jashtë vendit. Të gjithë kanë përfituar formim profesional dhe janë vlerësuar për punën e kryer deri tani. Punonjësit e pushuar janë të përkushtuar ndaj punës që kanë bërë, por kjo nuk ka mjaftuar për Sahit Dollapi. Me ardhjen në detyrë, Dollapi solli pas vetes një staf besnikësh të ngushtë i krijuar nga ish-OSSH sha dhe UKT-ja sh.a,  të cilët shënjestruan spastrimin e punonjësve, duke i quajtur pengesë të synimeve të stafit të Dollapit. Shkurtimet e punonjësve janë shoqëruar me punësime të reja jashtë të gjithë kritereve ligjore dhe profesionale. Me sa duket, kriteri i vetëm i marrjes së punonjësve të rinj është besnikëria ndaj stafit Dollapi dhe familjariteti me drejtuesit e stafit Dollapi. Me këto veprime, CEZ-i  mbyllet  në një qark familjar e shoqëroro-politik në administrimin e shoqërisë së shpërndarjes të energjisë elektrike. Duke patur parasysh se ndodhemi edhe në fushatë elektorale, punësimet e militantëve në CEZ mund të shërbejnë edhe prikë ndaj kërkesës për votën e të punësuarve të rinj.

Dollapi e shet kilovatorin  6 herë më shumë se çmimi i blerjes

CEZ-i e blen kilovatorin e energjisë elektrike me 2,2 lekë dhe e shet me 7,7 lekë ( pa TVSH) deri në konsumin e 300 kvv, ndërsa çdo kvv mbi këtë prag e shet me 13 lekë ( pa TVSH). Vetëm në Shqipëri ndodh që 300 kvv të jetë pragu i diferencimit të çmimit, kur në Greqi është 800 kvv për konsum familjar. Pastaj, si ka mundësi që çmimi i shitjes të  kvv, të jetë 6 herë më shumë se çmimi i blerjes? Kjo është justifikuar me sasinë e madhe të humbjes. Së pari, humbjeve të mëdha në rrjetin e shpërndarjes, pasi CEZ-i nuk bën asnjë investim. Së dyti, CEZ-i është i paaftë që të mbledhë paratë nga konsumatorët dhe detyron qytetarët e ndërgjegjshëm e të ndershëm, që të paguajnë edhe sasinë që vidhet nga të tjerë. Në të dyja rastet, CEZ-i vjedh qytetarët e ndërgjegjshëm, të cilët, të detyruar,  paguajnë shumë shtrenjtë paaftësinë profesionale të CEZ-it.