Dokumenti dhe njerëzit pas “DH Albania” nxjerrin zbuluar kompaninë e Bashkim Ulajt

647
Sigal

Autoritetet shqiptare presin ndihmën nga SHBA për të zbuluar kush fshihet pas kompanisë fantazmë që fitoi dy tenderë përmes falsifikimit, por një dokument në QKB dhe rrethi i njerëzve pas “DH Albania” ekspozojnë kompaninë “Gener 2” të biznesmenit Bashkim Ulaj. Të dhënat e siguruara nga BIRN sugjerojnë se autoritetet shqiptare nuk kanë arsye të presin hetimet në Shtetet e Bashkuara për të zbuluar pronarët e vërtetë që fshihen pas kompanisë “Dunwell Haberman”, e regjistruar në Delawere të Shteteve të Bashkuara. “Gjurmët e gishtave” gjendet në Qendrën Kombëtare të Bizneseve dhe tregojnë kompaninë “Gener 2” të biznesmenit Bashkim Ulaj. Më 3 dhjetor, pas lidhjes së kontratës për lotin e parë të Unazës së Re, DH Albania, dega në Shqipëri e Dunëell Haberman vendosi hapjen e një Nipti Sekondar me vendndodhje në sheshrrotullimin Shqiponja. Një mandat arkëtimi i depozituar në QKB tregon se aplikimi për hapjen e adresës së re në kantierin e punimeve është bërë nga Gener 2, përmes një juristeje të kësaj kompanie. Aplikimi i kryer nga “Gener 2”, i gjendur mes dokumenteve të dorëzuara në QKB nga kompania DH Albania nuk është prova e vetme që ngre dyshime se pas “DH Albania” dhe dy tenderëve të fituar prej saj, qëndron biznesmeni Ulaj. Një rreth i ngushtë prej pesë personash, të cilët kanë kryer veprime për llogari të “DH Albania” janë ose punonjës të “Gener 2”, ose të lidhur me aksionerin e saj. “Çështja është në hetim nga Prokuroria, e cila do të zbulojë atë çka ka ndodhur, përgjegjësit për falsifikimin e kryer dhe gjithë transparencën e mundshme për kompaninë,” tha këshilltari i ministrisë së Infrastrukturës për mediat, Dardan Malaj.

Nga Aleksandra Bogdani