Biznesi që lidh Vilma Nushin me drejtoreshën e Edi Ramës

Një kompani e lidhur me Drejtoreshën e Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë, zonjën Shpresa Bello, ka përfituar miliarda nga koncensionet dhe prokurimet dhëna nga ministria në 4 vitet e fundit.
Bëhet fjalë për kompaninë ‘Pegasus’ shpk, e cila pritet që pas pak ditësh të shpallet dhe fituese e koncensionit të laboratorëve.
Kompania ‘Pegasus shpk’ rezulton në letra si 100% në pronësi të shtetasit Janis Karathano.
Por një dokument i siguruar nga Hashtag.al tregon se në të kaluarën kjo kompani ka pasur një drejtuese të rëndësishme të quajtur Nazife Bello.
Madje, në dhjetor të vitit 2013, kompania ‘Pegasus’ e ka shpërblyer me një bonus prej 114 mijë eurosh zonjën Nazife Bello, e cila është e ëma e drejtoreshës së Farmaceutikës në Ministri, zonjës Shpresa Bello.
Kompania ‘Pegasus’ rezulton e lidhur dhe me koncensionin e rëndësishëm të ‘Check-Up’-it, të fituar nga biznesmenia Vilma Nushi.
Një raport auditimi i ‘Deloitte&Touche’ për koncensionin e ‘Check-Up’-it, ka zbuluar se në vitin kompania ‘Pegasus’ i ka dhuruar zonjës Nushi paisjet laboratorike për ‘Check-Up’-in, ndërsa Nushi në këmbim ka detyrimin që të blejë tek firma ‘Pegasus’ të gjithë reagentët që i duhen. Granti i deklaruar mes dy kompanive është rreth 320 mijë dollarë.
Një tjetër përfitim i rëndësishëm i firmës ‘Pegasus’ është koncensioni 2-vjeçar 2016-2018, për transfuzionin e gjakut, një biznes i cili kap shifrën e 1.3 milionë dollarëve.
Ndonëse Qendra e Transfuzionit të Gjakut e ka paraqitur këtë kontratë si një prokurim, përtej kundërshtive të ekspertëve rezulton se marrëveshja në fakt është një kontratë ekskluzive koncensionare 2- vjeçare.
Nga ana tjetër, shqyrtimi prokurimeve publike në vitet 2013-2016, tregon se kompania ‘Pegasus’, e lidhur me drejtoreshën Bello, ka përfituar tendera në vlerën e 3.5 milionë dollarëve nga disa institucione spitalore. / Hashtag.al