Doganat pa laboratorë, mallrat hyjnë në Kakavijë, analizat bëhen në Tiranë!

521
Sigal

Prapa shkeljeve të rënda ligjore, qëndrojnë interesa të grupimeve pranë qeveritarëve. Pasojat i vuajnë konsumatorët

Ende është në fuqi një vendim qeverie me Nr. 186, datë 21 shkurt 1994, që detyron gjithë ministritë përkatëse dhe institucionet e kontrollit të sigurisë së mallrave, që në pikat e kalimit të kufirit tokësor, ajror e detar, brenda 30 qershorit 1994, të vendoseshin e të nisnin funksionimin laboratorët e kontrollit të mallrave dhe të krejt produkteve që hyjnë nga importi, nga mielli e deri tek kripa, nga gozhda e deri tek spangoja. A është zbatuar ky vendim qeverie? Sa vendime të tjerë kanë dalë pas atij vendimi gjatë 20 viteve që kanë kaluar? Sa janë zbatuar e sa zbatohen? Disa ditë më parë, kur ishim në Pikën e Kalimit të Kufirit në Kakavijë (Gjirokastër), konkretisht “në doganë” siç i thonë, rastësia na bashkoi për të pirë kafe me një shofer kamioni, i cili kishte sjell mallra konsumi nga importi. Nga biseda me të, mësova se në pikën e kalimit në Kakavijë, mallrat vetëm zhdoganoheshin fizikisht, si numër e jo si cilësi. Paraqitej letra shoqëruese e mallit dhe kaq. Pra, mallrave nuk u bëhej analiza. Sipas shoferit, mallrat i merrte në Greqi, i fuste në Kakavijë, por analizat bëheshin në Tiranë e jo në pikën hyrëse doganore! Mjafton kaq për të kuptuar, se si futen dhe se çfarë ndodh me mallrat që futen në Shqipëri nga importi. E kjo nuk ndodh vetëm në Kakavijë, por në krejt pikat hyrëse doganore. Mallrat futen në dogana në territorin shqiptar, por nuk kontrollohen me analiza cilësie, skadence, sigurive, rrezatimesh e rreziqesh të tjera për shëndetin e konsumatorit dhe për mjedisin. Përse? Sepse në pikat doganore nuk ka laboratorë, nuk bëhen analiza edhe pse në këto pika paguhen specialistë analizash që “bëjnë analiza me sy”, me prekje me dorë e me nuhatje “me hundë” dhe japin të drejtën që ato të futen në Shqipëri e të bëjnë analizat në doganat e Tiranës e të rretheve. Por edhe në doganat e rretheve nuk ka laboratorë, por specialist analizash që si , si “mjekë fallxhorët popullorë”, vazhdojnë i bëjnë analizat e mallrave “me sy, me nuhatje e me prekje me dorë”! Kjo ndodh më të gjithë produktet që futen nga importi nga toka, ajri dhe deti! Në disa nga pikat kryesore doganore të vendit, si në Kakavijë, Kapshticë, Qafë-Botë, Sarandë, Vlorë, Durrës, Qafë-Thanë, Muriqan,Tushemisht, Tri-Urat, këta laboratorë nuk janë vendosur akoma. Sipas këtij vendimi, laboratorët do të verifikonin në pikën doganore, cilësinë, skadencën dhe nivelin ndotës e veçanërisht të radioaktivitetit të mallrave që hynin nga importi, deri tek materialet e ndërtimit. Në tregun, shërbimet dhe industrinë, ndërtimet, transportin e mjekësinë shqiptare futen çdo ditë mijëra tonelata mallra ushqimorë, lëndë të para tekstile, ndërtimi, hidrokarbure, ilaçe, pije alkoolike etj.. Këto vazhdojnë të hyjnë pa u bërë kontrolli analitik në pikat e hyrjes, mbasi mungojnë laboratorët. Analizat e tyre duhen bërë në pikën e hyrjes së kufirit doganor të territorit shqiptar e madje nuk duhet të “futen as 1 metër Brenda Shqipërisë, pa u bërë analizat e tyre. Por ato jo vetëm që futen, por kalojnë 240 kilometër deri në Tiranë e qendrat doganore të rretheve përkatës pa analiza mallrash. A bëhen, apo nuk bëhen në rregull këto analiza në qendrat doganore në Tiranë e rrethe, këtë e ka përgjegjësi dhe detyrim shteti ta kontrolloj. Ne dimë vetëm faktin, që në pikat kufitare, mallrat e çdo lloji edhe derrat, qentë, pulat dhe lopët e gjalla futen pa bërë analizat e detyrueshme doganore, siç veprohet në çdo shtet, që kur futesh në territorin e tij, përpara së të lejohesh të bëjnë edhe analizat e higjienës personale në pikën kufitare, në porte e aeroporte, pastaj të hapin “rrugën”. Shteti shqiptar, jo vetëm nuk kontrollon sigurinë mjekësore të atyre që hyjnë e dalin, por nuk kontrollon as sigurinë e mallrave që importohen, duke u mjaftuar në pikat hyrëse doganore kufitare vetëm me “fletë-analizat”, që jep dogana e shtetit prej nga vjen malli! Kuptohet se çfarë ndodh. Mallrat hyjnë në Shqipëri, futen në magazina e shpërndahen në treg, pastaj “kontrollohen”, duke pajisur pronarin me një certifikatë “rregullsie”… pasi mallrat kanë kaluar në doganë e janë futur në treg e shërbime!

 Përparim HALILI