Do të shkatërrojmë bandat e njëshave në politikë

571
Sigal

Ndër nismëtarët, aktori i humorit Sejfulla Myftari gazetari Luan Shmilli. Janë shtrirë në Tiranë, Berat, Shkodër, Vlorë, Elbasan etj…

 Vjen në Shqipëri fenomeni “Bepe Grillo”, synimi 40 % e elektoratit

 Fenomeni “Bepe Grillo” që shkatërroi klasën tradicionale politike në Itali, tashmë Panbotërore, me synim përhapjen dhe dominimin në pesë kontinente, ka mbërritur në Itali. Nismëtarë të kësaj lëvizje, pasi janë ‘shkolluar’ me eksperiencën italiane, përfshi atë personale të Bepe Grillos, ndonëse në pak kohë, kanë shënuar rezultate evidente dhe në Shqipëri. Në përputhje me kriteret e kësaj lëvizje (“Lëvizja shqiptare 5 yjet”), ku bazë e anëtarësimit janë rrjetet sociale, nismëtarët kanë evidentuar rezultatet e para, të cilat i konsiderojnë dhe vlerësojnë si shumë të suksesshme. Ata kanë krijuar grupet e tyre në shumë rrethe të vendit, ndërsa pikënisja, krijimi i grupit të parë shënohet në Berat, përkatësisht më 8 dhjetor të vitit 2013. Ndër drejtuesit e kësaj lëvizje në Shqipëri, që synon së pari kthimin e demokracisë së drejtpërdrejtë, jo atë të deleguar (sikundër është sot tek ne), janë intelektualë të njohur në vend, por dhe shumë të tjerë që ardhur nga emigrimi shumëvjeçar në Itali apo shtete të tjera të kontinentit tonë. Mes tyre janë dhe aktori i njohur i humorit Sejfulla Myftari (Cekja i Beratit), gazetari Luan Shmilli, etj… “Nisur nga praktika në Itali, nga situata kritike në vend me këtë tranzicion tepër të vështirë si pasojë e klasës politike, nga detyrat që u vendosën në takimin ndërkombëtar të 1 dhjetorit në Xhenova të Italisë, ne përforcuam punën tonë për një shtrirje sa më të shpejtë në Itali. Kemi krijuar bërthama të shumta mbështetësish në Berat, Tiranë, Elbasan, Lezhë, Shkodër e shumë rrethe të vendit. Kemi krijuar të tilla dhe në shumë zona rurale. Jemi befasuar nga mbështetja e madhe, pasojë kjo e krizës ku ndodhet dhe vendi ynë. Synimet janë shtrirja sa më e shpejtë, pjesëmarrja në zgjedhjet lokale dhe mbështetja mbi 40% e elektoratit,-pohon mes të tjerave gazetari Luan Shmilli. Për gazetën “Telegraf”, ai jep hollësi të tjera për shtrirjen, funksionimin dhe rezultatet e deritanishme të kësaj lëvizje në Shqipëri…

Zoti Luan! Kohët e fundit, në rrjetet sociale janë parë komente lidhur me një lëvizje, identike si ajo e Bepe Grillos në Itali, ku një nga nismëtarët jeni edhe ju?

-Po, është shumë e saktë. Por në fillim dua të theksoj se, “Lëvizja shqiptare 5 yjet” nuk ka udhëheqës, drejtues, por të gjithë janë të barabartë, ase si i themi, “njësha brenda njëshit”. Ndonëse kohë e shkurtër, një muaj kohë pra, ne jemi befasuar nga shtrirja gjeografike në vend si dhe veçanërisht nga numri i mbështetësve…

Më konkretisht, mund të na flisni për fillimet dhe rezultatet që keni arritur deri tani?

-Po. Grupi i parë në Shqipëri është krijuar në Berat, përkatësisht më 8 dhjetor të vitit 2013 në “Bar-2000” në lagjen “Çlirimi” të këtij qyteti. Deri tani, në këtë qytet kishim 6 grupe, ndërsa sot (të premten), u krijua dhe grupi i shtatë. Në takimin e Xhenovës më 1 dhjetor u vendos që kjo shtrirje, të jetë në 5 kontinentet brenda vitit 2014. Ne i kemi mundësitë ta bëjmë sa më shpejt këtu në Shqipëri. Dhe po e bëjmë, jemi shumë optimist…

Meqë pikënisja ishte Berati, mund të na thoni sa është numri i mbështetësve këtu dhe cila kategori shoqërore është mbështetja kryesore e lëvizjes?

-Nuk ka evidencë të saktë, po janë me qindra e numri rritet nga dita në ditë… Mbështetësit janë nga të gjitha moshat, sidomos rinia… Janë të gjithë të pa kënaqurit nga politika dhe politikanët e mbrapshtë të 23 viteve në Shqipëri që kanë krijuar këtë situatë të vështirë… Ka dhe shumë intelektualë. Ja, ndër nismëtarët dhe më aktivët është humoristi i njohur beratas Sejfulla Myftari, Cekja, kolegu i Bepe Grillos…

Si e keni situatën në rrethet e tjera?

-Koha është e shkurtër, por rezultatet, siç thashë dhe më lart, i gjykojmë shumë të mira. Në Tiranë kemi krijuar celulat, në Lezhë kemi një celulë shumë aktive, në Shkodër kemi dy celula, në Vlorë tre celula, në Elbasan dy celula, në Durrës 3 celula, e kështu dhe në rrethe të tjera…  Përmenda më lart se kjo është kryesisht një lëvizje në rrjetet sociale, ashtu sit qe në fillimet e saj dhe në Itali… Por këtu tek ne, ka dhe veçori…

Cilat janë këto veçori?

-Për shkaqe që dihen, këtu tek ne, me gjithë premtimet qeveritare, nuk ka internet në pjesën dërmuese të zonave rurale… Kështu, ne po punojmë dhe me kontakte konkrete, me grupe shoqërore, kryesisht në këto zona… Ja, sot (të premten) krijuam një celulë të re në fshatin Bilsh të Beratit… Kemi aktivistë të palodhur si Gjokë Palushin në Shkodër,(ish-emigrant në Milano), Erjon Shehajn e T. Mançen në Vlorë…

Cilat janë objektivat konkrete që synoni me këtë lëvizje?

-Ata janë 5, përkatësisht: 1- Demokracia e drejtpërdrejtë dhe jo ajo e deleguar. Pra, populli ta shprehë vullnetin direkt për kreun vendor e deri tek Presidenti, jo nëpërmjet deputetëve… 2-Shkatërrimi i bandave aktuale partiake me revolucion, njëshave të tyre, pasi ata janë përgjegjësit e kësaj situate ku është vendi. Të kuptohemi, shkatërrim politik, jo dhunë fizike… Ne jemi kundër çdo lloj dhune, por vetëm pro qartësimit e veprimeve ligjore 3-Mirëqenie të qytetarëve, punësim,  se njeriu e ka këtë drejtë të jetoj i lumtur deri sa ndahet nga kjo jetë… 4-Rend publik të garantuar për të gjithë e zbatim të ligjit. 5-Drejtësi e barazi për të gjithë…

Çfarë synoni konkretisht dhe koha kur i prisni këto rezultate?

-Ne synojmë, shpresojmë që rezultatet e para të jenë që në zgjedhjet e afërta lokale. Ne synojmë që në këto zgjedhje të kemi më shumë se 40% të votuesve… Të fitojmë në shumë bashki e komuna! Dikujt mund t’i duket utopi, por ne po punojmë, e kemi besim të plotë, siguri… Kështu u duk në Itali në prag të për balljes së parë të Grillos, por u arrit të merren rreth 10 milionë vota…

Kthyer në shifra, do të thotë që në zgjedhjet lokale do të votojnë për “5 yjet e Shqipërisë” gjysmë milioni votues?

-Pse jo dhe më shumë! Kushdo e shikon sot se këto parti që qeverisin, e liderët e 23 viteve të fundit e kanë shkatërruar vendin, e kushdo do demokracinë e vërtetë, lirinë për të vendosur e zgjedhur me votën direkt. U është mohuar, e ne do e garantojmë…

Që do të thotë…?

-Do të thotë që deputetët të mos i caktojnë si tani Rama e Berisha, por vota direkt e popullit, që kryetari i bashkisë e komunës të zgjidhet po kështu, që Presidenti i vendit po ashtu…

Kush përjashtohet nga pjesëmarrja në lëvizjen tuaj?

-Të gjithë, me përjashtim të atyre të dënuar nga organet e drejtësisë… Në lëvizjen tonë mund të vijë dhe Sali Berisha, sigurisht, nëse nuk ka punë me drejtësinë për “21 Janarin” apo akuza të tjera që i janë drejtuar…

Po mbështetja financiare ku do të sigurohet?

-Absolutisht, do të ketë vetëm “0” lekë nga buxheti i shtetit… Gjithçka vullnetare.

Po pas ardhjes së mundshme në pushtet, siç besoni…?

-Asnjë lek nga buxheti për partitë politike që të shpenzojnë për fushata apo për gazeta partiake… Po këto i takojnë të ardhmes, që ne besojmë se nuk do të jetë e largët…

Mos është utopi kjo lëvizje?

-Jo. Dhe do e shohim shumë shpejt… Kështu do të ndodhë jo vetëm tek ne, në Shqipëri, por në 5 kontinentet…

Grillo, aktori komik që “shkundi” Italinë

 Xhuzepe Piero “Bepe” Grillo është një aktor komik dhe politikan italian. Ai u përfshi në aktivitetin politik në vitin 2009, si themeluesi i Lëvizjes “Pesë Yjet”, e cila tani është një parti politike shumë e rëndësishëm në Itali. Grillo e cilëson veten si një “populist”. Pesë yjet parakuptojnë çështjet e ujit publik, transportin e pranueshëm, zhvillimin, lidhjen dhe ambientim. Kjo parti ka 106 nga 630 deputetët e Parlamentit italian dhe 50 nga 315 senatorët. Ajo nuk ka eurodeputet, ndërkohë që Italia përfaqësohet me 73 të tillë në Parlamentin Europian. Bepe Grill dhe shumë anëtarë të tij dënuan fuqishëm luftërat e fundit në Afganistan, Irak, Libi, Siri, por dhe politikën e jashtme të Italisë. Bepe Grillo lançoi ndër të tjera idenë e “Vaffanculo Day”, apo thjesht V-Day, teksa kërkoi më pak privilegje për deputetët, moskandidimin e atyre që ishin të dyshuar për aktivitete kriminale, apo kishin kompletuar tashmë dy mandate. 66-vjeçari Grillo u diplomua për ekonomist, por rastësisht ai u bë një komedian pas zbulimit të tij nga prezantuesi i njohur Pipo Baudo. Ai është babai i gjashtë fëmijëve.