Do ketë ‘vija të kuqe’ në marrëveshjen përfundimtare të detit? Si përgjigjet presidenti Meta

503
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta është pyetur nga gazetarët për ‘vijat e kuqe’ të marrëveshjes së detit me Greqinë. Ai u pyet nëse presidenti do vendosë sërish vijën e kuqe kur të vijë materiali përfundimtar për firmosjen e marrëveshjes detare mes Greqisë dhe Shqipërisë, ndërsa tha se presidenti do respektojë Kushtetutën.

“Dëshiroj të theksoj rëndësinë e zgjidhjes së kësaj çështje sepse kjo është e rëndësishme për të dyja vendet. Jo vetëm për një tejkalim të problemit të mbartur, por edhe për shfrytëzimin e këtyre të mirave detare. Të gjitha vendimet e presidentit do jenë në përputhje me Kushtetutën dhe me përgjegjësitë që i takojnë këtij institucioni”- tha Meta.

Ndërkohë presidenti është pyetur gjatë aktivitetit për dhurimin e gjakut edhe për çështjen e Teatrit Kombëtar si dhe për pretendimet për ngritjën e një kampi të refugjatëve dhe ish luftëtarëve të ISIS.

“Nuk e kemi diskutuar me Ramën çështjen e ngritjes së një kampi për refugjatët në Shqipëri dhe çdo vendim duhet të merret me institucionet e tjera. Çdo përgjegjësi e marrë duhet të ketë konsensusin e palëve. Sa i përket qëndrimit tim për Teatrin, ai ka qenë i qartë dhe dialogu është i domosdoshëm aq më tepër që kryeministri vjen nga rangu i artistëve”- tha Meta.