Do anulojmë të gjitha tenderat e Imamit!

640
Sigal

Superskandali/ Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë në ankandin e shitjes mbi 1 milion metër katror territor të Shqipërisë

Në kuadrin e reformimit të Ushtrisë shqiptare, ministria e Mbrojtjes, metodikisht ka përparuar, në fshehtësinë më të madhe, që të shesë, pa asnjë lloj transparence, pa zhvilluar asnjë lloj ankandi,  miliona metra katror nga territoret e saj. Kështu, me “Planin e Përhapjes”, Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë në ankandin e shitjes, shumë territore që dikur kanë qënë territoriale e të reparteve dhe bazave ushtarake të Ushtrisë shqiptare, si prona të tepërta. Madje, ajo që përbën superskandalin, është që gjithë kjo shitje e milionave metër katror të territoreve të reparteve dhe bazave ushtarake, po bëhen në fshehtësinë më të madhe dhe klientët e blerësit e këtyre territoreve janë klientë të qeverisë. Kush ia dha të drejtën ministrisë së Mbrojtjes që sipërfaqet e territoreve të reparteve dhe bazave të saj t’i cilësojë pronë “private” të ministrisë dhe ministria e Mbrojtjes i atribon vetvetes të drejtën e “pronarit” dhe të shesa sa të dojë, të shesë kur të dojë, ta shesë kujt të dojë dhe së fundi, ta shesë me çfarë çmimi të dojë?

Pyesim: Mos vallë kjo shitje e territorit të reparteve dhe bazave ushtarake është sekret shtëtëror dhe duhet mbajtur në fshehtësinë më të madhe nga opinioni publik? A e kanë konceptin drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes që territoret e reparteve dhe bazave ushtarake janë pronë e shtetit shqiptar? Më poshtë po japim të plotë reagimin e deputetit të PS-së, Erjon Braçe, lidhur me superskandalin e ri në Ministrinë e Brendshme.

 

Erjon Braçe

Atdheu po shitet! Berisha po e shet!
1.2 milion metër katror prona publike të ushtrisë kanë dalë në shitje! 1 milion metër katror të tjera po bëhen gati! Janë territore të tëra repartesh ushtarake, poligonesh, komandash, qendrash mobilizimi, shkolla ushtarake, spitale po të tilla, brenda qyteteve, në periferitë urbane të tyre, por mbi të gjitha në bregdet! Me dy dekrete, njëri në vitin 2009 dhe tjetri i para dy muajve, Presidenti i Republikës i ka miratuar ministrisë së Mbrojtjes atë që quhet “plani i përhapjes” dhe i referohet Forcave të Armatosura dhe aseteve të tyre. Vini re, propozimin e ka bërë ministria e Mbrojtjes. “Plani i përhapjes” po aq sa tregon vendosjen e ushtrisë shqiptare, vlen për të nxjerrë jashtë përhapjes së ushtrise asete të mëdha të ushtrisë. Pavarësisht se dekretet janë publike, askush nuk ka akses të mësojë se cilat prona të ushtrisë kanë dalë nga “plani i përhapjes”. Procedura pas nxjerrjes nga plani i përhapjes vijon:

a-evidentimi i pronave, që mendohet të privatizohen;
b-dërgimi ministrisë së Ekonomisë së pronave që do të privatizohen;
c-nxjerrja në shitje e këtyre pronave.
Unë kam listat e pronave të ushtrisë të nxjerra jashtë “planit të përhapjes” me dekretin e vitit 2009.
Kanë një sipërfaqe mbi 1.2 milion metër katror! Fillojnë me periferinë urbane të Tiranës, Durrësit, Korçës, Elbasanit, Shkodrës dhe vijojnë në bregdet me bregun e Kurbinit, Durrësit, Kavajës, Fierit, Vlorës, nga Pish Poro, Novoselë, Nartë, Zvërnec, Pusi i Mezinit, Kaninë, Uji i Ftohtë, Rradhimë, Orikum, Karaburun; më tej në Bregun e Diellit, nga Palasa, Jala, Porto Palermo, Himara, Lukova, Lëkursi, Ksamili! Vetëm në Karaburun janë mbi 160 mijë metër katror, duke përfshirë Ravenën, Kepin e Gjuhëzës, majën Flamur, apo edhe depot në Orikum! Vetëm në Palasë janë mbi 20 mijë meter katror! Brenda në Vlorë, në shitje është komanda e distriktit, “kalaja” e famshme me mbi 16 mijë metër katror!! Kjo është lista pas dekretit të 2009-s! Mbi 1 milion metër katror të tjera janë tani pas dekretit të dy muajve më parë! Mbahen të fshehta! Por jo dhe aq! Unë mësova dje se jashtë planit të përhapjes ka dalë një pjesë e madhe e shkollës së Bashkuar, shkollës së marinës në Vlorë, spitalit ushtarak në Tiranë, baza e Bisht Pallës, tuneli i Porto Palermos! Të gjitha të identifikuara nga klientët e Sali Berishës! Kudo ata! Gjurma më e qartë në Palasë dhe në Porto Palermo! Kjo batërdi duhet ndalur! Shqipëria nuk është në shitje!

Reagon Ministria e Mbrojtjes

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, iu përgjigj akuzave të deputetit socialist, Erion Braçe, për pronat e ushtrisë. Duke i cilësuar të pabaza akuzat e opozitës, Kulluri nënvizoi se Ministria e Mbrojtjes po u transferon vendorëve vetëm pronat që nuk përdorën nga Forcat e Armatosura.

PS: Do anulojmë të gjitha shitjet!

Partia Socialiste reagoi mbrëmë vonë lidhur me superskandalin e tjetërsimit të pronave publike në vend nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes. Deputetë dhe krerë të kësaj partie, të mbledhur me urgjencë kanë diskutuar mbrëmë për superskandalin duke deklaruar se kur të vijë në pushtet vitin e ardhshëm, PS do të anulojë të gjitha shitjet që janë bërë dhe do të çojë para përgjegjësisë penale të gjithë përgjegjësit e kësaj afere korruptive dhe antikombëtare. Socialistët i bëjnë thirrje Prokurorsië që, krahas bllokimit të shitjeve, të bllokojë edhe shumat e arkëtuara për këto shitje, në mënyrë që skandali të zbardhet deri në fund.