Ditmir Bushati thumbon Rilindjen/ Forcimi i identitetit kombëtar nëpërmjet arsimit, kulturës themeli i projektit të rilindësve në shek. 19

480
Sigal

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i larguar së fundmi edhe si drejtues politik i socialistëve në Qarkun e Shkodrës, duket se ka thumbuar Rilindjen e Edi Ramës, me një postim në rrjetet sociale. Mesazhi i ish-ministrit të Jashtëm duket se është një sinjal i qartë se Rilindja e Ramës nuk ka lidhje me Rilindasit. Ish-ministri duket se ka thumbuar Rilindjen, që në shumicën e saj promovoi personazhe që kishin probleme me drejtësinë, lidhje me grupe apo individë kriminalë apo të rrezikshëm, një pjesë e të cilëve u detyruan të dalin jashtë politikës falë ligjit të dekriminalizimit.

Ditmir Bushati

Ismail Qemali në rrugëtimin e tij historik për mëvetësinë e Shqipërisë e shpjegonte në mënyrë elokuente fjalën ‘komb’, që në shqip do të thotë ‘nyje’. Një nyjë që të bëhet në fyt. Për shqiptarët e mi – thoshte plaku i urtë – përpara se të jetë një ide, një thelb historik, kombi është një nyje, një lëmsh që mblidhet në gjoks, që të shtrëngon, gati një dhimbje. Kjo thënie e Ismail Qemalit të kujtohet sidomos kur sheh këtë Pasqyrë të gjendjes kulturore të vitit 1927, dëshmi e sakrificave për edukimin e kombit. Në fakt, forcimi i identitetit kombëtar nëpërmjet arsimit, artit e kulturës kanë qenë në themel të projektit të rilindasve tanë që në fillim të shekullit XIX, për një Shqipëri të përparuar, pavarësisht prapambetjes së saj. Kjo tablo e vitit 1927 është dëshmia e gjallë sesi qytetet që kanë mbajtur peshën kryesore në historinë e vendit janë po ashtu në krye të përpjekjes për rrugën e dijes. Një varg sakrificash të cilat duhet të na shërbejnë për reflektim dhe përulësi përballë historisë që i ka rezistuar me dinjitet shtrëngatave, herë prej kohës e herë prej njeriut. Dija është antipodi më i qëndrueshëm i shoqërisë përballë krimit dhe fenomeneve negative. Dija mbetet tipari dallues i shoqërive europiane, ku ne do të shkojmë si komb duke mbajtur me vete amanetin e parardhësve dhe premtimin për pasardhësit. #BookLoversDay U.S. Embassy-Tirana