Ditmir Bushati, alarmon BE-në!

460
Sigal

Shqipëria që aspiron Europën, punëson si ambasador në Arabinë Saudite, një nga krerët e Komunitetit Mysliman

Deputeti socialist Ben Blushi ka debatuar ashpër para dy ditësh në Komisionin e Jashtëm me propozimin e emrit të Ermir Gjinishit, si ambasador në Arabinë Saudite, i cili deri para disa kohesh ka qenë numri dy i Komunitetit Mysliman. Duke bërë sërish veçim nga qëndrimi i krahut të tij politik, Blushi ka nënvizuar në qëndrimin e Gjinishit deklaratën e tij pro mbajtjes së shamive në shkolla, që sipas tij, është refuzim i shtetit laik. “Ai ka mbajtur disa qëndrime që për hir të së vërtetës kanë rënë ndesh me parimin e laicitetit të shtetit shqiptar. Pyetja ime është se, a mendon Ministria e Jashtme se njerëz që vijnë me këto pikëpamje në shërbimin diplomatik, si nëpunës të shtetit, e cenojnë misionin që ka marrë përsipër apo jo? Refuzoj të them se çfarë mendoj vetë”, tha Blushi. Kjo ka qenë pyetja retorike dhe kërkesa e njërit prej figurave emblematike të socialistëve. Emërimet e fundit klienteliste tregojnë politizimin e këtij institucioni, i cili është kthyer në një çerdhe të paaftësh, servilësh dhe vazhdues të politikave komuniste. Sipas ligjit për emërimet në diplomaci, është parashikuar që një përqindje e caktuar e ambasadorëve të vijnë nga politika dhe pjesa tjetër, nga karriera diplomatike. Futja në diplomaci e politikanëve që deri dje kanë redaktuar veprat e institutit të studimeve marksiste-leniniste, apo atyre që e konsideronin NATO-n si xhandarin e botës janë shembulli më i keq dhe mashtrimi më i madh që i bëhet demokracisë dhe vendeve europiane. Emërimet e ministrit Bushati, jo vetëm që janë një turp për shtetin laik, por edhe një goditje për të gjithë ata që burgosën dhe torturuan njerëzit e fjalës së lirë. Lidhjet e tij personale, tradicionale të paradhomave të Hoxhës dhe Alisë, nuk mund të vazhdojnë edhe pas 25 vjetësh të mbajnë peng integrimin e Shqipërisë në Europë. Dje ministri Bushati deklaroi se ka dërguar në Prokurori vajzën e Ali Spahisë dhe vëllain e Topallit. Nga njëra anë, mirë ka bërë dhe se është detyrim institucional që hajdutët dhe shkelësit e ligjit të përballen me drejtësinë. Por, çështja shtrohet se a janë të gjithë të barabartë përpara ligjit? Si ka mundësi një pjesë e familjarëve të shumëpërfolur nga vetë Bushati -kur ishte në opozitë -vazhdojnë të jenë të punësuar në ambasada. Po emërimet e fundit nepotike të familjarëve të pushtetarëve të rinj si në ministri ashtu edhe në ambasadat mbi çfarë bazash janë bërë. Dështimi i integrimit të vendit dhe përplasja në surrat që Europa i bëri me të drejtë vendit tregojnë se, Bushati më shumë ngjan me shkesit që lidhin ndonjë martesë nga njëri fshat në tjetrin se sa me vlerat e një diplomati që do të lërë gjurmë. Akuzat e turpshme të politikës sonë të jashtme se, ne na bllokuan pasi jemi vend mysliman… është një idiotësi dhe papjekuri, që vetë Bushati e ka ushqyer deri sa nuk doli ta përgënjeshtronte me të madhe. Po t’i shtojmë edhe emërimin e një ambasadori që vjen nga krerët e një komuniteti mysliman, kemi të drejtë të mendojmë se ky emërim është një karshillëk i hapur për vendin që “dëshiron” të integrohet në BE. Për këto dhe shumë dështime të tjera që kanë të bëjnë më ekstremizmin e theksuar dhe heshtjen për grabitjen e lumenjve, ministrit Bushati i ka humbur e drejta e përfaqësimit të shqiptarëve në botë.