“Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, Meta: Ky qytet do të jetë gjithmonë një nga qendrat më të bukura e tërheqëse

563
Presidenti Meta viziton Beratin në “Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”: Ky qytet do të jetë gjithmonë një nga qendrat më të bukura e tërheqëse të qytetërimit tonë mijëravjeçar.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Beratit me rastin e 29 shtatorit, “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”. Fillimisht Presidenti Meta së bashku me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi u ndal në Muzeun “Onufri”, të shoqëruar edhe nga Kryetari i Bashkisë Petrit Sinaj, përfaqësues të ndryshëm të pushtetit vendor e të bashkësive fetare si dhe deputetë të Qarkut dhe qytetarë të shumtë beratas. 
Më pas Presidenti Meta vizitoi muzeun etnografik ku u njoh me historinë e themelimit të saj, objektet kryesore si dhe vlerat historike e arkitekturore të monumenteve të shumta e të lashta të qytetit të Beratit, duke theksuar se për koinçidencë në “Ditën tonë Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, edhe popujt e Evropës kremtojnë “Ditën e Trashëgimisë Evropiane”.
Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh:
“I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë,
Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare,
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
E dashur zonja Ministre faleminderit për zgjidhjen konsensuale që bëmë të dy bashkë për të qenë sot në Berat, për të dhënë mesazhe për trashëgiminë tonë kulturore në mbarë vendin në këtë ditë të rëndësishme, në këtë ditë kombëtare, por edhe në këtë ditë evropiane!
Berati do të jetë përherë për ne një nga qendrat më të bukura e më tërheqëse. Do të jetë gjithmonë në vëmendjen tonë dhe për fat të mirë edhe të mbarë botës, përfshirë edhe UNESCO-n, pikërisht për shkak të qytetërimit mijëravjeçar që përfaqëson dhe që ruan.
Qyteti i bukurisë monumentale, i traditave më të shquara të pikturës, të zejeve, të këngëve, të valleve dhe kostumeve popullore, por dhe të kishave dhe xhamive të magjishme. Një xhevahir i shndritshëm i kulturës sonë kombëtare.
Të dashur miq, 
Në këtë ditë feste, ne sot jemi bashkë me të gjithë shtetet evropiane duke ekspozuar vlerat më të arrira të traditave monumentale, historike dhe kulturore. Sot të gjithë popujt e evropës, pikërisht në ditën tonë, të kulturës kombëtare, festojnë njëkohësisht dhe Ditën e Trashëgimisë Evropiane. Në këtë mënyrë Evropa e bashkuar tregon se është shumë e fortë dhe shumë e bukur në diversitetin e traditave shumëngjyrëshe të çdo kombi.
Besoj se kremtimi i Ditës së Trashëgimisë sonë Kombëtare në të njëjtën datë me atë të Trashëgimisë Evropiane është gjithashtu dëshmia jonë e qartë për të ecur në një hap me trendin e zhvillimit kulturor, evropian. Ne shqiptarët jemi krenarë përpara historisë së kulturës evropiane pasi historia dhe trashëgimia shqiptare është pjesë dinjitoze e kësaj kulture evropiane sot. Madje do përmendja se vlerat tona historike e kanë pasuar edhe më tej këtë trashëgimi edhe në gjirin e pasurisë së kulturës botërore me përfshirjen në UNESCO të Butrintit, Gjirokastrës, Beratit dhe iso-polifonisë. Në shpirtin e shqiptarëve, në hapësirën tonë, edhe pse modeste, gjenden të gdhendura gjurmët e çdo etape historike që nga lashtësia e deri më sot. Në këtë udhëtim mijëravjeçar ne jemi krenarë për auticitetin tonë, për gjuhët dhe traditat tona, ashtu sikurse ndihemi të vetëdijshëm edhe për kulturën, identitetin tonë perëndimor, si dhe harmonizimin e tyre me ndikimin e kulturave të tjera përreth.
Thesaret tona të çmuara antike: kështjellat, monumentet, sjellja e princave tanë të shquar me në krye Gjergj Kastriot Skënderbeun, libri i parë i gjuhës shqipe, më vonë Rilindja jonë kombëtare dhe publicistika e saj, janë tregues i bashkësisë së vlerave tona perëndimore.
Sigurisht nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë për një popull si i yni, të ruajë doket, zakonet dhe monumentet e kulturës përballë presioneve, pushtuesve dhe furive të kohës. Prandaj do të doja të theksoja se, më shumë se të qenit privilegj, fakti që kemi qytete me të tillë trashëgimi si Berati, Gjirokastra, etj., duhet ta pranojmë në radhë të parë si obligim dhe detyrë për t’i ruajtur dhe përsosur ato akoma më tej.
Të dashur motra dhe vëllezër beratas,
Sot së bashku me Ministren Kumbaro dhe Kryetarin e Bashkisë po hapim dyert të monumenteve të sajteve arkeologjike dhe pikave të spikatura të historisë së tyre për të nxjerrë akoma më në pah asetet e tyre dhe etno-kulturore, traditat, vlerat artistike dhe arkitekturën mahnitëse të këtij qyteti.
Ne sot jemi këtu jo vetëm për të evokuar bukuritë e historisë sonë, por edhe të nxisim interesin e qytetarëve dhe investitorëve për të vitalizuar këto monumente dhe për t’i bërë më të dobishme për të përmirësuar jetën dhe mirëqenien e komunitetit. Qytetarët anembanë Shqipërisë duhet të njihen, të familjarizohen dhe t’i mbushin me jetë akoma më tej këto objekte kulturore, që banorët rreth tyre të bëhën pjesë e vazhdueshme e projekteve të ruajtjes, mirëmbajtjes, gjallërimit dhe sidomos të atyre restauruese.
Të dashur pjesëmarrës,
Sot është një ditë shumë e rëndësishme dhe njëkohësisht për të shprehur mbështetjen dhe vlerësimin tonë më të madh për ata që nuk i shohim. Shohim monumentet, pikturat, shohim çdo gjë, por rrallë shohim restauruesin, për restauruesin e Shqipërisë, për punonjësit duarartë të ateljeve të Ministrisë dhe të Institutit të Momumenteve të Kulturës, të cilët kanë rizgjuar dhe kanë ngrohur shpirtin e thesareve të fjetura të momumenteve të kulturës.
Duke u ngjitur këtu për në kala me kënaqësi pashë mjaft vizitorë të huaj që rendnin drejt kalasë, por dhe drejt Muzeut ‘Onufri’. Jam i bindur që në këtë ditë të rëndësishme, duke rritur ndjenjën e vetëdijes dhe të përgjegjësisë për të ruajtur dhe forcuar më tej këtë trashëgimi kulturore dhe padyshim duke shtuar edhe dashurinë, si një objektiv të ri nga dita e sotme për trashëgiminë kulturore, shumë më tepër turistë dhe vizitorë do të vijnë këtu, do të shkojnë në Gjirokastër, në Butrint e kudo tjetër anembanë vendit tonë. Jam njëkohësisht i bindur se duke e forcuar këtë trashëgimi kulturore, do të integrohemi edhe më me dinjitet në Bashkimin Evropian, atje ku e kemi vendin.”
Sigal