“Ditëlindja e SHBA-ve” bën bashkë politikanët shqiptarë, por vetëm kaq

606
Ambasada Amerikane në Shqipëri ka freskuar politikanët shqiptarë dhe klimën politike të nxehur pas zgjedhjeve vendore. Ditëlindja e 239 e SHBA mblodhi të gjithë politikanët e vendit në një ceremoni përkujtimi të 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 
Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kreu i opozitës Lulzim Basha, përfaqësitë diplomatike në vendin tonë, politikane, ministra, pushtetarë dhe figura të njohura në vend, ishin të pranishëm në këtë pritje të organizuar nga ambasada amerikane. 
Ambasadori Donald Lu falënderoi të pranishmit duke kujtuar edhe një herë atë se çfarë SHBA përfaqësojnë. Lu u shpreh se në mbarë Amerikën përkujtohet edhe 25-vjetori i ligjit që garanton të drejta të barabarta personave me aftësi të kufizuar. Lu veçoi se Shqipëria dhe SHBA ndajnë vizionin që të gjithë qytetarët tanë të përmbushin potencialet e tyre të plota. 
Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan. Kjo deklaratë përmbaj thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit. Deklarata e Pavarësisë shihet si një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Sigal