Ditë pas dite, si u ndërtua paketa “McAllister Plus”

463
Të gjitha takimet dhe negociatat që çuan në hartimin e dokumentit më të rëndësishëm të krizës politike në Shqipëri

Paketa e famshme, e propozuar për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri tashmë ka marrë emrin e eurodeputetit gjerman, David McAllister. Ai është pjesë e grupimit të Partive Popullore Evropiane (aleate të PD-së) dhe mbërriti më 25 prill në Tiranë, së bashku me eurodeputetin e majtë, Knut Flankenshtajn. Në negociatat e zhvilluara ndarazi me kryeministrin Rama dhe kryeopozitarin Basha u arrit në ndërtimin e një platforme, por një bisedë direkt mes palëve nuk u zhvillua. Paketa parashikonte zgjedhjen e një Presidenti me pëlqimin e palëve, ndryshimin e 4 ministrave, shtyrjen e datës së zgjedhjeve më 16 korrik dhe dhënien e disa institucioneve të pavarura për opozitën. Shefi i qeverisë kushtëzoi gjithçka me votimin e vetingut, ndërsa kryetari i PD-së me largimin e Ramës.

Gjithçka u bllokua këtu dhe një përpjekje e komisionerit për Zgjerimin, Johanes Han, dhe kreut të PPE-së, Jozef Daul, më 2 maj për të bindur opozitën nuk pati sukses. Eurodeputeti McAllister u largua, por paketa e tij mbeti dhe më 3 maj ishte Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili uli për herë të parë në një tryezë Edi Ramën dhe Lulzim Bashën. Edhe ky takim nuk prodhoi dakordësi, ndërsa më 5 maj, krerët e PS-së e PD-së u takuan sërish në zyrën e Nishanit. Në këtë bisedë, oferta e Ramës ishte më e tërhequr se ajo e McAllister, duke parashikuar një sistem mbikëqyrës për angazhimin e strukturave qeveritare në zgjedhje. Ky sistem do të drejtohej nga një zv/kryeministër dhe do të përfshinte disa zv/ministra. Opozita e hodhi poshtë këtë ofertë, ndërsa kaluan të gjithë afatet e mundshme për regjistrimin në zgjedhjet e 18 qershorit.

Më 10 maj në Tiranë mbërriti një delegacion i Kongresit Amerikan, që diskutoi për krizën, duke mbajtur qëndrime më të zbutura se ai i eurokomisionerit Johanes Han. Pas kësaj, sytë u drejtuan nga vizita e pritshme e zv/ndihmëssekretarit amerikan, Hoyt Brian Yee. Më 15 maj, në orën 14.45, Basha dhe 6 kryetarët e partive parlamentare opozitare biseduan me zyrtarin amerikan në selinë e Partisë Demokratike. Në tryezën e bisedimeve, diplomati i Uashingtonit paraqiti, atë që opozita e cilësoi si “një propozim të integruar për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri”. Ky propozim i integruar përfshinte (me shkrim) propozimin McAllister dhe planin e tij 15 pikësh, duke hequr zgjedhjen e Presidentit të Republikës që tashmë ka ndodhur, ndërsa është propozimi i detajuar me 7 pika i paraqitur nga Rama gjatë takimit me Bashën më 3 maj 2017, në zyrën e Nishanit. Kushtet e Uashingtonit ishin dy: Pranim total i paketës dhe 24 orë afat për të marrë vendim. Kërcënimi ishte një: Përgjegjësia do të ishte tërësisht mbi palën që do të refuzonte këtë paketë. Më 16 maj paradite, Lulzim Basha mësohet se ka njoftuar ambasadorin amerikan, Donald Lu, për vendimin e të gjitha partive të opozitës për të mbështetur propozimin e integruar të paraqitur nga Hoyt Yee. Shqyrtimi në mirëbesim i mundësive për identifikimin biometrik të zgjedhësve dhe numërimin elektronik të votave, ka qenë një kërkesë e opozitës, por pa cënuar miratimin e paketës “McAllister Plus”. Gjithashtu, opozita është përgjigjur “po” ndaj propozimit të integruar, që përfshinte edhe zbatimin e pikës 15 të paketës “McAllister” për votën në Parlament për komisionet e vetingut. Po më 16 maj, në orën 19:00, kryedemokratit Basha i është prezantuar një dokument nga kryeministri Rama, që opozita e ka vlerësuar se rrëzon propozimin e integruar “McAllister Plus”, të prezantuar nga Hoyt Yee. Partia Socialiste ka këmbëngulur në qëndrimin e saj se zgjedhjet do të zhvillohen më 18 qershor, duke mos e pranuar as shtyrjen deri më 16 korrik të sugjeruar nga eurodeputeti gjerman. 

Ndërkohë, mëngjesin e 17 majit është rivënë në lëvizje ambasadori amerikan, Donald Lu. Ai ka biseduar për rreth 2 orë me Lulzim Bashën, ndërsa më pas ka qëndruar 20 minuta në zyrën e Ramës. Ndërkohë, kryetari demokrat e ka konfirmuar edhe me shkrim, në një letër për kryeministrin, pranimin e ofertës së ndërmjetësve amerikanë. Nga ana e tij, me anë të mesazhi në rrjetet sociale në mesditë, Rama ka këmbëngulur te oferta e tij, duke shtuar se ajo mbështetet edhe nga aleatët amerikanë. 
Propozimi amerikan, të gjitha pikat në tryezën e Ramës e Bashës

Përmbledhje e pikave kryesorë në propozimin e integruar (“McAllister Plus”), paraqitur nga ndihmëszëvendëssekretari amerikan, Hoyt Brian Yee:

1 – Një zëvendëskryeministër i përkohshëm (person jo-politik), i propozuar nga opozita.
2 – Caktimi konsensual i katër ministrave (ekspertë teknikë të respektuar), me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të administratës publike dhe ndikimeve në procesin zgjedhor.
3 – Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i zgjedhur nga opozita.
4 – Avokati i Popullit i zgjedhur nga opozita.
5 – Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që do të garantojnë standardet më të larta të nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme;
6 – Përzgjedhja konsensuale e një kandidati të respektuar për President, i pranueshëm për qeverinë dhe për opozitën. (Nuk është më e mundur pasi Presidenti tashmë është zgjedhur në Parlament vetëm me votat e shumicës qeverisëse)
7 – Krijimi i një ministrie të re speciale, të drejtuar nga një figurë politike e zgjedhur nga opozita, e cila do të merret ekskluzivisht me zbatimin e çdo hapi që duhet të merret, në mënyrë që në të ardhmen shqiptarët të mund të kenë mundësinë të votojnë përmes një sistemi elektronik.
8 – Ndryshime në ligjin për transparencën e financimit të partive politike.
9 – Ndryshime në Kodin Penal, dënime më të ashpra për blerjen e votës, fotografimin e fletës së votimit dhe krime të tjera lidhur me zgjedhjet.
10 – Burime shtesë për KQZ-në për të monitoruar financimin e zgjedhjeve dhe transparencën e shpenzimeve, duke përfshirë auditues ndërkombëtarë për financimin e fushatës së partive politike dhe ndryshime të mundshme në ligjet përkatëse.
11 – Emërimi i ekspertëve teknikë si zëvendësministra në ministritë që mund të ndikojnë në procesin zgjedhor, të ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët do të monitorojnë çdo çështje që ka të bëjë me procesin zgjedhor
12 – Caktimi i përkohshëm i personave të respektuar, të cilët nuk përfaqësojnë parti politike, si zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Policisë dhe monitorim i fortë ndërkombëtar për të parandaluar abuzimet e mundshme të administratës publike.
13 – Strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit për të monitoruar problemet e lidhura me zgjedhjet, të përbërë nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm dhe 12 zëvëndësdrejtorë rajonalë, të ndihmuar nga PAMECA dhe ICITAP.
14 – Shtyrja e zgjedhjeve deri më 16 korrik (Ky propozim daton që nga 25 prilli, pra 3 javë para se propozimi i integruar t’u prezantohej palëve).
15 – Droga: a) Komuniteti ndërkombëtar do të monitorojë çrrënjosjen e kanabisit; b) Pjesëmarrja e opozitës në Task Forcën Kombëtare të luftës kundër Drogës.
16 – Dekriminalizimi (Largimi dhe parandalimi i kriminelëve nga mbajtja ose kërkimi i posteve publike): a) Partitë politike angazhohen publikisht për ekzaminimin e fortë të kandidatëve në listat partiake dhe të koalicionit; b) KQZ ekzaminon kandidatët nëpërmjet personelit shtesë, me mbështetje ndërkombëtare (të plotësuara në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit dhe Kodin Zgjedhor); c) Angazhimi i SHBA dhe partnerëve të tjerë për t’u dhënë kryetarëve të partive politike rekomandime të mbështetura mbi të dhënat penale të kandidatëve.
17 – Mbështetje ndërkombëtare për forcimin e monitorimit të regjistrit të zgjedhësve.
18 – Mbështetje ndërkombëtare për KQZ-në për ngritjen e linjave telefonike të ndihmës, për vëzhgimin dhe shqyrtimin e ankesave mbi ligjin e shërbimit civil dhe blerjen e votës.
19 – Mbështetje ndërkombëtare për vëzhgimin e rolit të medias në zgjedhje dhe caktimin e segmenteve orare në media. Ndalimi i transmetimeve të videokasetave të partive politike të regjistruara më parë pa identifikim të qartë.
20 – Kthimi i opozitës në Parlament, për formimin e Komisioneve të Vetingut.
Sigal