Dita e Pavarësisë së SHBA/ Meta mesazh urimi zyrtarit të lartë Paul Ryan: I uroj kombit amerikan sukses dhe prosperitet

587
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mesazh urimi Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Paul Ryan, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i ka dërguar mesazh urimi Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Paul Ryan, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 
Në emër të Parlamentit Shqiptar, Meta i uron kombit amerikan sukses dhe prosperitet, ndërsa thekson se Shqipëria dhe populli shqiptar janë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-të i kanë dhënë gjatë gjithë historisë vendit tonë. 
Më poshtë teksti i plotë i letrës:
Drejtuar: SH.T.Z. Paul RYAN
Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve 
WASHINGTON DC
I nderuar Kryetar,
Në emër të Parlamentit Shqiptar dhe në emrin tim, dëshiroj t’ju përgëzoj për 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa festoni këtë ditë të veçantë në mbarë vendin, ju uroj juve dhe kombit amerikan sukses dhe prosperitet . Kjo nuk është një ditë e shënuar vetëm për SHBA-në, por për të gjithë botën, pasi etërit tuaj themelues kanë themeluar vendin më demokratik në botë.
Shqipëria dhe populli shqiptar janë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që vendi juaj na ka dhënë gjatë gjithë historisë. Kam besim se marrëdhëniet e shkëlqyera dhe unike, partneriteti strategjik dhe bashkëpunimi si anëtarë të NATO-s do të vazhdojnë të forcohen dhe të zhvillohen më tej.
Përfitoj nga ky rast, të rinovoj ftesën time për Ju për të vizituar Shqipërinë në një kohë më të përshtatshme për Ju.
Ju lutem pranoni urimet e mia të përzemërta për sukses në detyrën Tuaj të rëndësishme dhe sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Me respekt
Ilir META
Sigal