Dita e parë e shkollës, Nora Malaj: Të çojmë deri në fund reformën në arsim, t’i japim mundësinë të rinjve të punësohen

102

Deklarata për media e ish-deputetes së LSI-së, Nora Malaj

Sot është një ditë e veçantë për vendin tim. Sot të gjithë fëmijët dhe të rinjtë fillojnë vitin e ri shkollor 2019-2020. Sot, fillon beteja për të realizuar ëndrrat e fëmijëve, që ata një ditë të bëhen të zot për të ndërtuar të ardhmen e tyre në ketë vend të bukur e të bekuar , që është Shqipëria.

Urimin më të veçantë në këtë ditë jua dedikoj vogëlushëve të klasave të para dhe prindërve të tyre. Të dashur vogëlushë, duajeni shkollën se është një vend i bekuar dhe mësoni pa fund, gëzoni dhe punoni sa më shumë, se vetëm dija është pjesa e investimit më të madh që familja mund të bëjë për ju dhe që shoqëria ua ka borxh. Duajeni librin dhe mbajeni mirë atë, se libri është kulturë dhe dije. Edhe nëse keni “libra në përdorim”, ju fëmijë të dashur, librin duhet ta vlerësoni si gjënë më të shtrenjtë dhe thesarin më të çmuar , që ndër vite do ju bëjë të ndjeheni krenarë.
Sot ,shkolla filloi, me 100 mijë nxënës më pak.

Kjo për secilin prej nesh është një klithmë e madhe dhe kambanë alarmi, që tregon se të rinjtë dhe familjet shqiptare po braktisin Shqipërinë.
Emigrimet masive të shqiptarëve jashtë vendit, si dhe ulja e lindshmërisë kanë bërë që në këtë vit shkollor të ketë më pak fëmijë, që ulen në banka.
Investimet në arsim sot, në fillimin e vitit shkollor, janë ende nga më të ultat në rajon. Qeveria është shumë larg asaj që ka shkruar në strategjinë e arsimit parauniversitar, për një GDP 4 për qind për arsimin shqiptar.

Ndonëse kemi ndërtime të reja, jemi shumë larg asaj që është premtuar dhe sërish, shkollat me turne edhe këtë vit shkollor, përsëri janë pjesë e sistemit.
Të nderuar mësuses, siç thote Arstoteli: “Prindi është ai që e sjell fëmijën në jetë, po mësuesi është ai që i besohet integrimi nëpërmjet edukimit dhe formimit të tij në shoqëri”.

Ju keni një mision të madh kombëtar përpara, për edukimin dhe mirëarsimin e fëmijëve dhe të rinjve. Ndonëse sot, gjendeni në udhëkryqin e një sistemi që ende nuk ka kornizën e edukimit të përfunduar, ndonëse ndodheni përpara sfidave të një pune ende jo të mirëpaguar, ndonëse ndodheni përpara pasigurisë dhe mosmarrjes së një kualifikimi me standarde, ju bëjeni detyrën tuaj me devocion, si atdhetarë që jeni, se vetëm kështu mund ta bëjmë këtë vend të jetueshëm për fëmijët tanë, vetëm kështu mund t”i themi stop hemoragjisë së braktisjes së vendit, vetëm kështu mund të mbrojmë dhe të kultivojmë vlerat e gjuhës dhe kombit, e cila sa po vjen e degradohet, vetëm së bashku mund të ndalim të keqen që Shqipëria të jetë vendi i shqiptarëve e të mos braktiset nga të rinjtë.

Në këtë ditë të parë të fillimit të viti të ri akademik nuk gjej fjalë për t’ju falenderuar e shprehur mirënjohjen për të gjithë ju, misionarët e paqes dhe edukimit. Përkulemi me respekt dhe nderim për të gjithë ata mësues e mësuese patriotë, ndër vite, që sot janë në pension, po që mësuan brezat se rruga e dijes është e mundimshme por jo e vështirë dhe jo e pamundur.

Mirënjohje për të gjithë ju mësus dhe mësuese, nga Vermoshi në Konispon, që profesionin e mësuesisë e keni kthyer në mision, për të mësuar dhe edukuar kapitalin më të çmuar, që janë fëmijët dhe të rinjtë. Sot kemi detyrë, që për ju, të gjithë papërjashtim, të punojmë që në shoqëri të gëzoni statusin që meritoni dhe vlerësimin për punën tuaj, që ende është larg vlerës së pagesës dhe motivimit tuaj.

Të nderuar dhe të vlerësuar prindër!
Ju jeni të bekuar që keni sjellë në jetë këta fëmijë dhe bashkë me ta, po përjetoni periudhën më të mrekullueshme e sfidante të prindërimit. Në ditën e sotme ju ftoj që të bëhemi bashkë e të mos rreshtim së punuari për të ndihmuar që fëmijët tanë dhe tuaj të rriten me fëmijëri të suksesshme dhe rini të bukur, ku mësimi dhe procesi mësimor të jetë sfida e përbashkët e jona, për të mos pasur më shkolla me turne, mjedise shkollore pa mjete mësimore, shkolla të braktisura, ende tekste mësimore me gabime shkencore dhe gramatikore, mjedise hidro-sanitare jashtë standardit, klasa të mbi populluara, mësues të pamotivuar dhe një shkollë që nuk realizon misionin e saj.

Le të jemi bashkë të gjithë dhe të sfidojmë të keqen për të mbjellë të mirën, dritën dhe dashurinë. Të realizojmë reformën e plotë në arsim, ku të garantojmë dhe të krijojmë mundësi të barabarta për çdo të ri dhe të re që të realizojë një arsimim cilësor, të lidhur me tregun e punës dhe që garanton punësim, duke dhënë frymëmarrje dhe vlerësuar edhe arsimin profesional, si një nga shtyllat kryesore të sistemit të edukimit.
Sot, arsimi duhet të jetë një mision kombëtar, ku politika të mos ta përdorë si propagandë dhe fasadë, po ku të gjithë së bashku të realizojmë sfidën e mijëvjeçarit, duke e vendosur arsimin si kryefjalë e çdo investimi. Fillim të mbarë vitit shkollor 2019. E ardhmja i përket fëmijëve dhe të rinjve! Gëzuar!