Dita e Evropës, Ilir Meta: Asnjëherë nuk është vonë të gjejmë gjuhën e përgjegjshme

467
Në Ditën e Evropës, Presidenti i zgjedhur Ilir Meta foli për të ardhmen e parlamentit të ri, për përgjegjshmërinë që i duhet vendit. Deklaroi se në këto momente duhet sa më pak egoizëm
“Më tepër vetëmohim, më tepër dialog e më pak arrogancë, më tepër kulturë kompromisi e më pak kokëfortësi. Të vendosim interesat e vendit dhe të ardhmen evropiane, si prioritet kryesor i gjithë axhendave politike

Asnjëherë nuk është vonë të gjejmë zgjidhjen e përgjegjshme e gjithëpërfshirëse. S’do të rresht kurrë në përpjekjet e mia për dialog, për bashkëpunim, për kompromis”. Këto ishin disa nga pikat kyçe të fjalës së mbajtur nga kreu i Kuvendit Ilir Meta, i zgjedhur tashmë në postin e Presidentit, mbajtur me rastin e Ditës së Evropës. Aktiviteti u mbajt në mjediset e jashtme të Sallës së Seancave Plenare. Ndërkohë merrnin pjesë deputetë, ministra, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë si edhe shumë të rinj e të reja. 

Në fjalën përshëndetëse të mbajtur në këtë event, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se të gjithë duhet të ndjehemi mirënjohës ndaj baballarëve themelues të këtij projekti historik, të cilët treguan që kishin vizion të qartë, kurajë të fortë e vendosmëri të palëkundur për ta çuar përpara këtë projekt ambicioz. “Ish-Kryeministri britanik, Winston Churchill, në fjalën e tij të famshme në Universitetin e Zyrihut në vitin 1946, vetëm një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u kërkoi popujve evropianë krijimin e një Evrope të Bashkuar, duke u kthyer shpinën vuajtjeve, urrejtjes së të kaluarës dhe tmerreve të luftës, për të parë drejt të ardhmes, për ta imagjinuar kontinentin e vjetër si një familje të përbashkët të drejtësisë, barazisë, solidaritetit dhe lirisë”, – tha Meta, duke theksuar se nuk ka vend më domethënës në Shqipëri se sa Parlamenti për të reflektuar rreth atij vizioni të guximshëm e shpresëplotë që krijoi Bashkimin Evropian, ku shqiptarët po integrohen. “Jam shumë i lumtur sot që kemi mes nesh të reja e të rinj, sepse e ardhmja i përket pikërisht këtij brezi të ri. Shpresat, ëndrrat e tyre për të ardhmen duhet të motivojnë e të rrisin peshën e përgjegjësisë tonë politike e qytetare më shumë. Vetë Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin e madh që të bëhet shembull për brezin e ri, duke u kthyer në shtëpinë e demokracisë të vërtetë, atë të dialogut politik, të tolerancës e mirëkuptimit dhe të përgjegjshmërisë së lartë”, – shtoi Meta.

Nevoja për dialog
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit deklaroi, se vendit i duhet sot më shumë përgjegjshmëri dhe dialog dhe se asnjëherë nuk është vonë për të gjetur një zgjidhje të përgjegjshme.

“Në emër të ëndrrave e dëshirave të këtyre të rinjve e të rejave të mrekullueshëm, vendit tonë i duhet më tepër përgjegjshmëri dhe jo më shumë egoizëm. Më tepër vetëmohim, më tepër dialog e më pak arrogancë. Më tepër kulturë kompromisi dhe më pak kokëfortësi. Më shumë qetësi. Më shumë stabilitet. Më shumë investime e, natyrisht, më shumë mundësi punësimi dhe barazi sociale. Duke vendosur interesat e vendit dhe të ardhmen e tij të përbashkët evropiane, si prioritet kryesor i gjithë axhendave të veçanta politike, asnjëherë nuk është vonë të gjejmë zgjidhjen e përgjegjshme e gjithëpërfshirëse, me qëllim që Shqipëria të ecë denjësisht drejt anëtarësimit të saj në BE”, tha ndër të tjera Ilir Meta në fjalën e tij. 
Klajda Gjosha
Ndërsa, Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, tha në fjalën e saj marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2014 ishte një arritje historike dhe se marrja e rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave ishte një tjetër hap përpara në procesin e integrimit. “Marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2014 ishte një arritje historike që gëzoj në fakt zemrat e shumë shqiptarëve dhe nxitja më e mirë që Shqipëria vijoi rrugën e reformave, konsolidimit të demokracisë dhe forcimit të shtetit të së drejtës. Miratimi me konsensus i Reformës në Drejtësi nga Kuvendi i Shqipëri bëri të mundur gjithashtu që nëntorin e shkuar Shqipëria të merrte rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave, një tjetër hap përpara në procesin e integrimit, një tjetër shpresë për shqiptarët që duan të shohin vendin e tyre sa më shpejt BE”, – tha Klajda Gjosha. Ambasadorja e BE-së, znj. Romana Vlahutin, tha në fjalën se 60 vjet më parë Traktati i Romës krijoi institucionet evropiane ashtu si i njohim ne sot dhe ëndrrat dhe vizioni strategjik i atyre që kanë qenë përpara nesh u bënë realitet. “Evropianët sot jetojnë në paqe, në begati të bashkuar me njëri-tjetrin nga parimet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Megjithatë, Bashkimi Evropian ende përballet me shumë sfida dhe kërcënime. Por në këtë moment të historisë bota ka nevojë për një Evropë shumë të fortë, më shumë se kurrë më parë. Ne nuk duhet të harrojmë asnjëherë që Bashkim Evropian përfaqëson procesin më të suksesshëm të integrimit rajonal dhe mbetet kontinenti më i pasur në botë”, – u shpreh Vlahutin, duke theksuar më tej: “Ne duhet të jemi krenarë për vlerat që ka Bashkimi Evropian, liria për të folur e për të thënë atë që mendojmë, liria për të lëvizur, liria për t’u lutur apo për të mos u lutur, liria për të dashuruar, liria për të votuar, liria për të zgjedhur fatin tonë”, – deklaroi Ambasadorja e BE-së. 
Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta
Ju uroj mirëseardhjen në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë në këtë Ditë të Evropës, në këtë ditë të rinisë, kur ne bashkërisht festojmë një ide, për një vizion të jashtëzakonshëm që solli krijimin e një entiteti të suksesshëm politik përgjatë shtatë dekadave duke ndryshuar fatin dhe jetët e dhjetëra miliona qytetarëve, jo vetëm në hapësirën evropiane, por edhe në mbarë botën. Ne sot duhet të ndjehemi mirënjohës ndaj baballarëve themelues të këtij projekti historik si Konrad Adenauer, Jean Monnet, Robert Schuman, etj., të cilët treguan që kishin vizion të qartë, kurajë të fortë e vendosmëri të palëkundur për ta çuar përpara këtë projekt ambicioz. Ish-Kryeministri britanik, Winston Churchill, në fjalën e tij të famshme në Universitetin e Zyrihut në vitin 1946, vetëm një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u kërkoi popujve evropianë krijimin e një Evrope të Bashkuar, duke u kthyer shpinën vuajtjeve, urrejtjes së të kaluarës dhe tmerreve të luftës, për të parë drejt të ardhmes, për ta imagjinuar kontinentin e vjetër si një familje të përbashkët të drejtësisë, barazisë, solidaritetit dhe lirisë. Mendoj se nuk ka vend më domethënës sot në Shqipëri se sa ky Parlament, për të reflektuar rreth atij vizioni të guximshëm e shpresëplotë që krijoi këtë Union, ku ne sot si shqiptarë, së bashku me popujt e tjerë të Ballkanit, po integrohemi. Jam shumë i lumtur sot që kemi mes nesh të reja e të rinj, sepse e ardhmja i përket pikërisht këtij brezi të ri. Shpresat, ëndrrat e tyre për të ardhmen duhet të motivojnë e të rrisin peshën e përgjegjësisë tonë politike e qytetare më shumë. Vetë Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin e madh që të bëhet shembull për brezin e ri, duke u kthyer në shtëpinë e demokracisë të vërtetë, atë të dialogut politik, të tolerancës e mirëkuptimit dhe të përgjegjshmërisë së lartë. Në këtë mënyrë ne do të demonstrojmë se jemi në lartësinë e vlerave europianiste, që populli shqiptar ka përqafuar që në dhjetor të vitit 1990, kur thirrja e “Duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” frymëzoi Lëvizjen Studentore e më pas gjithë popullin tonë për të çelur një epokë të re. Ndaj edhe dëshira ime në këtë ditë është, që ky parlament, të mbushet me të reja dhe me të rinj, jo vetëm si pjesëmarrës këtu, por me parlamentin e ri që do të krijohet, sepse të rinjtë dhe të rejat kanë qenë dhe janë shembulli më i përkryer i pasionit të sinqertë për Shqipërinë e vërtetë evropiane. Sepse të rinjtë dhe të rejat reflektojnë energji të jashtëzakonshme pozitive, e cila buron ndaj idealizmit dhe dëshira për një jetë më të mirë, për një komunitet dhe një vend më të suksesshëm e dinjitoz.

Sot, falë projektit evropian për paqe, stabilitet ekonomik e mirëqenie për miliona qytetarë të kontinentit tonë, të rinjtë nuk kanë më nevojë të zgjedhin armët, por zgjedhin dijen, demokracinë dhe avantazhet që jep liria e lëvizjes dhe punësimit në këtë hapësirë të përbashkët ekonomike e politike. Dhe kam bindje të thellë, se vetëm fuqia e rinisë mund ta ndryshojë këtë vend dhe të çojë përpara ëndrrën dhe projektin evropian.

Ndaj, në emër të ëndrrave e dëshirave të këtyre të rinjve e të rejave të mrekullueshëm, vendit tonë i duhet më tepër përgjegjshmëri e jo më shumë egoizëm. Më tepër vetëmohim, më tepër dialog e më pak arrogancë. Më tepër kulturë kompromisi dhe më pak kokëfortësi. Më shumë qetësi. Më shumë stabilitet. Më shumë investime e, natyrisht, më shumë mundësi punësimi dhe barazi sociale. Duke vendosur interesat e vendit dhe të ardhmen e tij të përbashkët evropiane, si prioritet kryesor i gjithë axhendave të veçanta politike, asnjëherë nuk është vonë të gjejmë zgjidhjen e përgjegjshme e gjithëpërfshirëse, me qëllim që Shqipëria të ecë denjësisht drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian, duke hedhur hapin e duhur: çeljen e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur. Ju falënderoj që keni ardhur sot këtu dhe nuk do të rresht kurrë në përpjekjet e mia për dialog, për bashkëpunim, për kompromis, e mbi të gjitha, për të promovuar shpirtin e unitetit kombëtar në shërbim të axhendës sonë evropiane dhe të ardhmes së të rinjve tanë të mrekullueshëm.
Sigal