Dita e elektrifikimit, Shqipëria nën terrorin e CEZ-it

1883
Sigal

Si sot, 42 vjet më parë u krye elektrifikimi i plotë i vendit. Një ballafaqimi midis dy realiteteve

Në ngjarjet kalendarike të shënuara të Shqipërisë 25 tetori ka hyrë si dita e elektrifikimit të plotë të vendit. Duke qenë se ky elektrifikim u krye në periudhën e diktaturës, mbase nuk do të vlente ta kujtonim. Por realiteti i sotëm na imponohet ta kujtojmë dhe mendoj se nuk bëjmë keq dhe nuk ka asgjë të keqe ta kthejmë kokën për një çast prapa. Le të bëjmë dhe krahasimet në kohë me realitetin e atëhershëm dhe të sotëm. Elektrifikimi i Shqipërisë përfundoi më 25 tetor 1970, një vit para afatit! Kështu trumbetohej me të madhe në atë kohë. Dhe janë disa fakte dhe gjëra që duhet të thuhet ashtu si kanë ndodhur. Nuk ka të bëjë kjo me nostalgjinë për një kohë dhe për një sistem që vetë ne, me dëshirë e kemi lënë pas krahësh. Për periudhën e diktaturës janë thënë njëmijë e një të zeza me të drejtë, por ka një fakt që nuk mund të mohohet: Më 25 tetor të vitit 1970 përfundoi elektrifikimi i gjithë Shqipërisë. Fshati i fundit që ndezi dritën elektrike ishte një fshat myzeqar me emrin Agim. Mbase ishin të kurdisura politikisht edhe përkitjet me data dhe emra, por fakti mbetet. Janë ende gjallë ata që punuan me një entuziazëm të paparë dhe me vetëmohim të pashoq për ta çuar dritën elektrike në çdo cep të Shqipërisë. Sot mund të duket anakronike të tregosh se si mbarteshin shtyllat e drurit, se si montoheshin izolatorët, se si këndonin e kërcenin njerëzit nga gëzimi kur ndizeshin dritat elektrike. Por fakti është fakt. Bota ka qenë dhe është shumë përpara nesh, por elektrifikimi i vendit ka qenë një revolucion i vërtetë në jetën kulturore, ekonomike dhe sociale të vendit. Por është fakt po kaq i pamohueshëm që ne sot jetojmë nën terrorin e një kompanie të huaj që merret me shpërndarjen e energjisë, që rrjep e vjedh çdo ditë shqiptarët, që lë gjysmën e Shqipërisë në errësirë. Dhe të mendosh që kjo kompani e quajtur CEZ është kanakare e qeverisë, vjedh e grabit nën bekimin e qeverisë sonë! Specialistët e energjetikës flasin me shifra dhe fakte dhe nga një ballafaqim fare i thjeshtë kupton se ç’batërdi është bërë e bëhet në këtë fushë. Lexoni në këtë faqe opinionet e Pajtim Bellos dhe të Niko Naskës dhe do të bindeni. Pajtim Bello e thotë troç: politikat energjetike të para viteve 1990 kanë qenë më realiste. Ky 25 tetor na gjen në një krizë energjetike dhe kjo është pasojë e politikave të dështuara të qeverisjeve.Atëherë, si mund të mburremi me këtë investimë Dhe duke parë qytetarët që ngrihen përditë në protesta kundër errësirës dhe grabitjeve të CEZ-it, a duhet ta përkujtojmë 25 tetorin? Dhe si ta përkujtojmë?

NIKO NASKA: JA SI ËSHTË ABUZUAR ME HIDROCENTRALET!

Inxh. Niko Naska, ish-Drejtor i Ndërtimit te Hidrocentraleve dhe Veprave të Mëdha, shkruan për të vërtetën mbi hidrocentralet shqiptare. Për energjetikën e vendit tonë është folur, po flitet dhe do të flitet e do të shkruhet vazhdimisht pasi vendi ynë ka pasuri të mëdha në këtë fushë. Shkak për këtë shkrim të shkurtër u bë shkak përfundimi dhe përurimi këto ditë i hidrocentralit të Ashtës. Ky hidrocentral është hidrocentrali i fundit i kaskadës mbi lumin Drin (Skavica, Fierza, Komani, Vau i Dejës, Ashta). Ndërtimet në vite si dhe disa karakteristika të veçanta për secilin prej tyre nxjerrin në dukje se hidrocentrali i Ashtës është hidrocentrali më i shtrenjtë, më i vogëli dhe më jetëshkurtri, konkretisht : Hidrocentrali i Vaut të Dejës kushtoi afërsisht 240 milionë euro; ka 5 turbina me 50 MW secila, gjithsej 250MW; u ndërtua në vitin 1971,  mbi 40 vjet, dhe vazhdon punën pa ndërprerje dhe është në gjendje të mirë. Hidrocentrali i Fierzës kushtoi afërsisht 420 milionë euro; ka 4 turbina me 125MW secila, gjithsej 500MW; u ndërtua në vitin 1978, mbi 34 vjet.  Hidrocentrali i Skavicës nuk ka filluar ndërtimi i tij. Sipas projektit ai do të ketë një fuqi të instaluar prej 300-400MW, me një vlerë të përafërt prej 480-600 milionë euro, duke akumuluar një sasi uji prej afërsisht 6,7 miliardë m3. Pra do të shërbejë si rregullator për rezervuarët e ujit të hidrocentraleve të tjerë të ndërtuar mbi lumin Drin. Hidrocentrali i Ashtës. Ky hidrocentral më parë konsiderohej hidrocentrali i Bushatit, punimet e të cilit filluan rreth viteve ’72-’75. U ndërtua vepra e marrjes, aty  ku sot është ura automobilistike dhe hekurudhore e pjesës rrugore Mjedë-Shkodër. Projekti fillestar ishte për një fuqi të instaluar pre 90-120MË. Punimet u ndërprenë për arsye se kërkohej të rriteshin ritmet e ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës dhe e gjithë fuqia punëtore e intelektuale, pajisjet, makineritë, materialet etj u përqendruan në hidrocentralin e Fierzës. Disa herë është programuar rifillimi i punimeve në hidrocentralin e Bushatit por punimet fillonin në vepra më të mëdha hidroenergjetike si hidrocentrali i Komanit, hidrocentrali i Banjës etj.. Rreth viteve 2002-2004 qeveria Kineze dha rreth 100 milionë euro për ndërtimin e hidrocentralit te Bushatit. Ajo e fitoj të drejtën për ndërtimin e këtij hidrocentrali pa garë. Disa delegacione shqiptare vajtën në Kinë për të përfunduar kontratat për të filluar punimet e ndërtimit të hidrocentralit të Bushatit. Ishte Banka Botërore ajo që la pezull fillimin e punimeve në këtë vepër. Rreth viteve 2009-2012 filluan punimet dhe përfunduar në vënien në punë të hidrocentralit të Ashtës me këto karakteristika: Kushtoi afërsisht 200 milionë euro; fuqi të instaluar 53MW; ndërtuar në vitin 2012 me jetëgjatësi (sipas të dhënave të ditës së inaugurimit 30 vjet ?!…Përsa i përket më sipër nga të 5 hidrocentralet e kaskadës mbi lumin Drin rezulton se hidrocentrali i Ashtës është hidrocentrali më i shtrenjtë (euro/ njësi), afërsisht 4-5 herë më i shtrenjtë se hidrocentralet e tjerë, është hidrocentrali më i vogël, afërsisht (5-12) herë më i vogël se hidrocentralet e tjerë, është më jetëshkurtri (30 vjet) kur hidrocentralet e tjerë kanë vite që e kanë tejkaluar ketë jetëgjatësi dhe janë në gjendje të mirë pune edhe për dyfishin e trefishin e kohës së punës të kryer deri më sot.