Dita e dytë në Kosovë, Meta takohet me Haradinaj, Veselin dhe krerët e partive Parlamentare

678
“Mbështetje e fortë dhe gjithanshme e Shqipërisë për Kosovën në proceset integruese evropiane dhe euroatlantike, si dhe anëtarësimin e plotë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare”
Në vijim të vizitës shtetërore në Kosovë, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u takua me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Dalibor Jevtiq dhe Dardan Gashi.

Duke iu referuar marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore, Presidenti Meta theksoi se ka ardhur koha që këto marrëdhënie të pasurohen më shumë dhe çështjet e prekshme e konkrete të gjejnë zgjidhje për qytetarët e të dy shteteve veçanërisht nëpërmjet agjendës së përbashkët të dy qeverive, duke u fokusuar tek infrastruktura, arsimi, lëvizja e lirë dhe heqja e çdo barriere burokratike ndërmjet dy vendeve tona. Presidenti Meta theksoi rëndësinë e trajtimit të të gjitha çështjeve dypalëshe, të cilat mund të marrin udhë përmes vendimmarrjes politike gjatë takimit të ardhshëm të dy qeverive. Ai u shpreh plotësisht në mbështetje të këtij procesi me rëndësi jetike si për qytetarët në Shqipëri dhe Kosovë, ashtu edhe në dobi të marrëdhënieve strategjike e vëllazërore ndërmjet nesh. Gjithashtu, Presidenti Meta e siguroi edhe Kryeministrin Haradinaj për mbështetjen e fortë e të gjithanshme të Shqipërisë për Kosovën në proceset integruese evropiane dhe euroatlantike, si dhe anëtarësimin e plotë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta iu referua nevojës së madhe për liberalizimin sa më shpejt të regjimit të vizave nga ana e BE-së për qytetarët e Kosovës dhe, duke iu referuar kushtëzimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si një sfidë tashmë të pashmangshme, shprehu besimin se kjo çështje do të gjente një zgjidhje të shpejtë në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë me këtë vend fqinj. Ndërsa, duke vlerësuar nevojën e vazhdimit dhe përmbylljes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Meta u shpreh se vijimi dhe konkretizimi i këtij dialogu nuk është i rëndësishëm vetëm për këto dy vende, por edhe për të gjithë rajonin, sigurinë dhe të ardhmen e tij.
Presidenti me Kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u takua me Kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli, në vijim të vizitës shtetërore dy ditore në Kosovë. Presidenti Meta e përgëzoi zotin Veseli për rizgjedhjen në postin e Kryeparlamentarit të Kosovës dhe shprehu besimin se projektet e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve do të vijojnë sipas frymës së shkëlqyer të marrëdhënieve vëllazërore ndërshtetërore. Duke iu referuar sfidave kryesore me të cilat përballet Kosova dhe dhe shoqëria e saj, si liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian, demarkacioni me Malin e Zi dhe rifillimi i dialogut me Serbinë, Presidenti Meta shprehu besimin se Kuvendi i ri Kosovës dhe forcat politike parlamentare do të përqendrohen në mënyrë gjithëpërfshirëse e konsensuale për gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme dhe mbështetjen e iniciativave të ndryshme në funksion të avancimit të agjendës evropiane dhe euroatlantike të vendit. Presidenti Meta e siguroi Kryeparlamentarin Veseli për vazhdimin e mbështetjes së fuqishme e të gjithanshme të Shqipërisë ndaj agjendës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimit të saj të plotë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Të dy bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen për agjendën e përbashkët të dy qeverive dhe përgatitjen për takimin e radhës, duke shprehur besimin se ky takim do të konkretizohet me projekte zhvillimore infrastrukturore, por edhe të veprimit të përbashkët diplomatik.
Takimi me krerët e partive parlamentare në Kosovë
Gjatë ditës së dytë të vizitës shtetërore Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi takime të veçanta me krerët e partive parlamentare në Kosovë. Presidenti Meta u takua me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, me Kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa si dhe me Përfaqësuesin e Listës Serbe, Slavko Simiç.

Gjatë këtyre takimeve u vu në dukje dhe u theksua nga Presidenti Meta rëndësia që mbart bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv i të gjitha forcave politike për ardhmërinë dhe perspektivën integruese evropiane të Kosovës. Në takimin me Vetëvendosjen Presidenti Meta i përgëzoi për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit dhe theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka roli i opozitës në demokraci për të rritur përgjegjësinë dhe cilësinë e qeverisjes në vend dhe për të afruar një alternativë më të mirë për të ardhmen. Presidenti Meta theksoi rolin e opozitës dhe të Vetëvendosjes në Kosovë për të kontribuar në konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës përmes bashkëpunimit dhe konsensusit edhe me mazhorancën për çështjet më madhore që kanë të bëjnë më të ardhmen evropiane të vendit. Në takimin me liderin e LDK-së ish-kryeministrin Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë të LDK-së, Presidenti Meta shprehu vlerësimin për kontributin e madh dhe të pazëvendësueshëm të LDK-së për gjithë këto dekada për pavarësinë e Kosovës, konsolidimin e demokracisë, dhe shprehu besimin se edhe pse një opozitë mjaft aktive, LDK me përvojën e saj do te kontribuojë për të bashkëpunuar me mazhorancën aktuale rreth çështjeve më madhore që lehtësojnë progresin në rrugën euroatlantike të Kosovës. Në takimin me Liderin e Listës Serbe zotin Simiç, Presidenti Meta shprehu konsideratën e lartë për rolin konstruktiv të Listës Serbe në konsolidimin e institucioneve të Kosovës si dhe të frymës së bashkëjetesës mes komuniteteve në Kosovë.

Presidenti Meta gjithashtu vlerësoi kontributin e Listës Serbe për rrugën e integrimit evropian të shtetit të Kosovës.

Meta vlerëson kontributin e familjes Rugova e Jashari
Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta nderoi dhe vlerësoi jetën, veprën e paharruar dhe kontributet madhore të Ibrahim Rugovës si dhe përkujtoi sakrificat sublime të familjes Jashari për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Presidenti Meta fillimisht bëri homazhe dhe vendosi një kurorë me lule mbi varrin e Presidentit Ibrahim Rugova në Velani, duke u përkulur me respekt ndaj veprës dhe kontributeve historike të tij. Më pas Presidenti Meta vizitoi Kompleksin e Memorialit “Adem Jashari” në Prekaz ku pasi vendosi një kurorë me lule dhe bëri homazhet në shenjë respekti dhe nderimi për sakrificat e tyre sublime në vendprehjet e martirëve të familjes Jashari, u ndal edhe në Muzeun ku nënshkroi ‘Librin e Përshtypjeve’. Me këtë rast Presidenti i Republikës vuri në dukje se sakrificat e Adem Jasharit dhe familjarëve të tij duhet jo vetëm të frymëzojnë shqiptarët kudo ku jetojnë, por përfaqësojnë një nga aktet më frymëzuese të mbështetjes që mbarë kombi shqiptar i dha lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.“Kur shikon gjithë ata burra, gra dhe fëmijë të rënë, e kupton se sa i shtrenjtë ka qenë çmimi i lirisë. Brezat e rinj sidomos duhet të shprehin nderimin, por njëkohësisht të mbajnë gjallë angazhimet për të forcuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo në botë.” – u shpreh Presidenti Meta.
Sigal