Dita e dytë e Konventës Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, shpaloset paketa prej 8 pikash për integrimin e vendit

51

Në ditën e dytë të Konventës Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ish-ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto ka prezantuar një paketë për përshpejtimin e integrimit të vendit, paketë kjo prej 8 pikash.

Haxhinasto theksoi se dekriminalizimi është domosdoshmëri, teksa shtoi se lufta kundër prodhimit të drogës është objektiv kombëtar që kërkon sensibilizimin dhe rialokimin e resurseve të duhura për ta çrrënjosur atë.

Haxhinasto1-Ne vlerësojmë si themelore në politikat tona institucionale bërjen të shenjtë të institucionit të votës. Është themeli i një sistemi demokratik. Do të bazohemi tek rekomandimet më të mira të OSBE/ODIHR por edhe tek propozimet e grupit tonë parlamentar, që kanë të bëjnë me penalizimin e shit-blerjes, zbatim të kritereve transparente për financimin e partive, aplikimin e listave të hapura si dhe pjesëmarrjen në votim të shtetasve shqiptarë që jetojnë në emigracion.

2-Ne jemi dhe do të qëndrojmë fort për një proces të vërtetë të dekriminalizimit, si një detyrim madhor të politikës ndaj vetvetes, ndaj të zgjedhur për të mbyllur hendekun në rritje që ekziston sot midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve.

3-Një parim tjetër madhor që ka të bëjë me gjithë reformat, ka të bëjë me matësin tonë të cilësisë së reformave, dhe ky matës nuk mund të jetë tjetër vetëm se si ndikojnë reformat në cilësinë e jetës së qytetarëve.

4-Ne do të punojmë pa u lodhur për të forcuar tiparet dalluese të partisë tonë, solidaritetin dhe integrimin social, respektin dhe tolerancën. Është e domosdoshme kundër tendencave populiste, retorikës boshe, shpesh herë pseudonacionaliste.

5-Do të vazhdojmë të kontribuojmë për stabilitetin politik në vend, duke e forcuar këtë kulturë të re politike të prezantuar nga LSI-ja dhe kryetari i saj Ilir Meta. Do të jemi faktori garantues i bashkëpunimit, i konsensusit duke luftuar konlfikualitetin dhe përçarjen sociale.

6-Një vëmendje të jashtëzakonshme do t’i kushtojmë reformës në drejtësi, si domosdoshmëri jetike, si mundësia dhe rruga e vetme e zhvillimit të vendit, duke respektuar të drejtën si të patjetërsueshme për qytetarët dhe investitorët.

7-Reforma në drejtësi do t’i japë një cilësi të re luftës ndaj korrupsionit për individin, shoqërinë dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.

8-Kjo platformë përcakton gjithashtu qëndrimin tonë të qartë ndaj trafiqeve dhe ndaj drogës. LSI beson se lufta kundër prodhimit të drogës është objektiv kombëtar që kërkon sensibilizimin dhe rialokimin e resurseve të duhura për ta çrrënjosur atë.