Diplomati i Brukselit, kal Troje” në çadën e opozitës

476
Diplomati i Brukselit, “propozim të ndyrë” për aleatët e PD
Kreu i Divizionit për Ballkanin Perëndimor u kërkoi Dules, Mediut e Shehit të përfitojnë nga mungesa e demokratëve në zgjedhjet e 18 qershorit. Detajet dhe fotot e vizitës
Denoncimi i kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, se një diplomat i huaj i kishte kërkuar hyrjen në zgjedhje aleatëve të Lulzim Bashës, pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike, ka shkaktuar një furtunë të vërtetë deklaratash. Për më tepër, burimet mediatike kanë bërë të ditur se është shefi i Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Eduard Auer, ai që e ka trajtuar këtë çështje me Vangjel Dulen (PBDNJ), Fatmir Mediun (PR) dhe Dashamir Shehin (LZHK). Në bisedë, ku ka qenë e pranishme edhe ambasadorja Romana Vlahutin, është kërkuar hyrja e këtyre partive në zgjedhjet e 18 qershorit, edhe nëse PD-ja vendoste të bojkotonte.
Megjithatë, sipas burimeve, përgjigjja e aleatëve të Bashës ka qenë e prerë, duke refuzuar kërkesën e Auer. Për më tepër është raportuar edhe debat i ndezur mes diplomatit nga Brukseli dhe kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. 
Diplomati Eduard Auer zhvilloi më 6 prill një vizitë në Tiranë, ku është takuar edhe me ministren e Integrimit, Klajda Gjosha dhe me zv/ministren e Punëve të Jashtme, Odeta Barbullushi, siç dëshmojnë edhe fotot e publikuara. Ndërsa, burime të tjera mediatike bënë të ditur se Auer ka zhvilluar gjatë vizitës së tij në Tiranë edhe një darkë me gazetarë dhe analistë të mediave të ndryshme, kryesisht pranë shumicës parlamentare. Burimet nga darka bënë të ditur se diplomati Auer ka theksuar se për Brukselin nuk është e rëndësishme nëse hyn apo jo PD në zgjedhje, e rëndësishme është që procesi të zhvillohet. Sidoqoftë, mes palëve është rënë dakord që biseda të mbetej konfidenciale, por deklarata e Dules dy ditë më parë ka “shembur” gjithçka. 
Dy ditë më parë, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka thënë në një forum në UET se disa përfaqësues të vendeve të huaja në Shqipëri i kanë thënë atij dhe aleatëve të Bashës që të garojnë në zgjedhje pa PD-në, që të fitojnë ndonjë mandat më shumë. “Në takimet me diplomatët, kryesisht kanë qenë në formën e paraqitjes së argumenteve të njohura nga ana e partive të opozitës. Kam dëgjuar dhe diçka, të cilën po ta kisha dëgjuar individualisht nuk do të merrja përgjegjësinë ta thosha publikisht. Fatmirësisht isha dhe me kolegë të tjerë politikanë, ditët e fundit, që dëgjova një propozim kaq cinik që nuk e besova se e dëgjova. Na u tha në prani të përfaqësuesve të 4-5 forcave politike, që ndoshta mund të ishte një shans i mirë për ne që të përfitonim nga mospjesëmarrja e Partisë Demokratike në zgjedhje për të marrë ndonjë mandat më tepër. Nëse do të isha “tete a tete” me atë bashkëbisedues nuk do të merrja përgjegjësinë ta thosha publikisht, por isha me fat se isha me të tjerë që e dëgjuan. Duhet ta keni të qartë që ka dhe nga këto mendime”, tha Dule.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje me krijimin e një qeverie teknike që do të garantonte votime të lira e të ndershme. Partitë e opozitës nuk e respektuan afatin kohor për regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke këmbëngulur në kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama. 
Sigal