Diplomacia greke zbret në Komunën e Lukovës

515
Sigal

Edhe në shkrime të tjera publikuar te faqet e “Telegraf”, kemi nënvizuar faktin se problematika e reformës territoriale do të jetë bregdeti i poshtëm (ose komuna Lukovë) e cila nuk ka filluar të flasë, por prononcime të ndryshme nga intelektuale, shoqate, individë e deri tek kreu i komunës, Vladimir Kumi, në faqet e “Telegraf”, janë shprehur se Lukova do flasë, dhe jehona e kësaj foljeje do të jetë oshëtimë në gjithë komunitetin bregdetar. Dhe vërtetë ka filluar të flasë…, por ajo që të bën përshtypje është fakti që amplitudat e diplomacisë së Athinës, janë ndjerë muajin e fundit edhe në fshatrat e komunës së Lukovës. Një muaj më parë me komunitetin e bregdetit të Lukovës kreu i  organizatës “OMONIA”, z.Vasil Bollano organizoi takim në fshatin Nivicë të komunës Lukovë ku u kërkua kundërshtia e bashkimit të Himarës dhe Lukovës me Vranishtin. Tani jemi përballë faktit që qeveria shqiptare ka miratuar variantin e platformës së kësaj reforme që bregdeti nga Llogaraja deri në Nivicë bashkohet me Vranishtin, thënë më saktë me gjysmën e lumit të Vlorës. Kjo ka bërë që konsulli i përgjithshëm i konsullatës greke të Gjirokastrës, z.Kotrokoi, ka zhvilluar ditën e Mërkurë një takim me kryepleqtë e fshatrave të komunës së Lukovës në zyrat e kësaj komune, kjo me justifikimin e largimit të tij nga detyra pas tre muajsh. Por mesazhet janë tek pretendimet ndaj reformës territoriale për bregdetin jugor Llogara-Nivicë, ç’ ka më dukshëm janë shprehur në drekën e shtruar nga kreu i komunës për nder të tij në Nivicë. Konsulli Kotrokoi është shprehur me superlativa diplomatike për vëllazërimin midis shqiptarëve dhe minoritarëve, ç’ ka përforcon më tej pretendimet  e tyre për bregdetin, pasi fshatarët e komunës së Lukovës janë shqipfolëse. Por këtë e di më mirë vet konsulli Kotrokoi. E veçanta tjetër , sipas dëshmive të pjesëmarrësve në drekë për “Telegraf”, është se ai i ka kërkuar kreut të komunës së Lukovës mos të kandidojë për kreun e bashkisë së Himarës, edhe po të mbetet kjo hartë e reformës territoriale pasi ka gjasa të ndryshojë. Kjo kërkesë  është bërë në një kohë që përfoljet janë se, kryekomunari Vladimir Kumi (në mandat të dytë. Herën e parë si kandidat i koalicionit të djathtë dhe herën e dytë si i pavarur duke mundur me rezultat të thellë PS-në e PD-në) do të kandidojë si i pavarur për kreun e bashkisë së Himarës. Puna dhe reputacioni i z.Kumi i ka frikësuar disi drejtuesit e PBDNJ dhe “OMONIA”-s dhe kjo i është kërkuar konfidencialisht që ai mos të futet në garë, pasi mund të dëmtoj pëlqyeshmërinë e Athinës për kreun e ri të Himarës. Ndërkohë, nuk dihet qëndrimi i zotit Kumi se çfarë do të vendosë deri në afërsi të procesit zgjedhor për qeverisjen lokale. Por shqetësimi i Athinës është shfaqur tek kërkesa ndaj tij, ndërkohë që vet Kumi shquhet për qëndrime radikale dhe të pa prononcuara dhe një personalitet me reputacion në fshatrat e Komunës së Lukovës.

Agron MEMA