Diplomacia e bllokuar nga nepotizmi dhe skandalet

620
Sigal

 Skandali/ Ja ambasadorët dhe konsujt e Shqipërisë nëpër botë që qëndrojnë në detyrë në mënyrë të kundërligjshme

Mbase ndonjëherë teprohet duke nxirë çdo punë të kësaj qeveria që qeveris vendin prej afro 8 vjetësh, por kur flitet për politikën e jashtme dhe diplomacinë shqiptare mund të thuhet se nuk ka asgjë të tepruar. Ajo që mund të thuhet është vetëm e errët, e dyshimtë dhe tejet problematike. E, prapëseprapë kemi thënë vetëm majën e ajsbergut, të asaj që duket, sepse të vërtetat e frikshme fshihen pas shumë dyersh dhe kyçesh. Për shembull, prej kohësh është denoncuar fakti i konsumimit të afatit në detyrë të një sërë ambasadorësh dhe konsujsh shqiptarë nëpër botë dhe asgjë nuk është bërë. Shteti hesht sikur s’ka ndodhur asgjë. Dikush ata i mbron dhe konsiderohen të pazëvendësueshëm. Në fakt, vërtet janë të pazëvendësueshëm me bëmat e tyre, por jo me përfaqësimin e vendit të tyre. Dhe këta dikush që i mbrojnë, tashmë duket se janë shumë dhe lart, në piramidën e pushtetit. Ndaj dhe ambasadorët dhe konsujt tanë vegjetojnë nëpër kryeqytetet e Europës, duke dhënë shembullin më të keq të kundërshtimit të standardeve europiane për një vend që aspiron BE-në. Vegjetimi i tyre u shpreh shumë qartë për festimet e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, kur këta përfaqësues fuqiplotë të Shqipërisë u treguan më të dobët dhe më të padenjë se kurrë ndonjëherë për të evidentuar vlerat dhe aspiratat e një kombi.

Çfarë thotë ligji

Zëvendësimi i ambasadorit Kola bëhet për shkak se, mandati i tij zyrtarisht ka mbaruar prej vitit 2010. Referuar nenit 30, pika 1, të ligjit “Për shërbimin e Jashtëm”, thuhet se “Diplomatët emërohen në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë, të akredituara në shtete të tjera, të paktën dy vjet pasi kanë marrë gradën e parë diplomatike (atashe). Ata qëndrojnë me shërbim në të njëjtën përfaqësi diplomatike, si rregull, për një periudhe 4-vjeçare”.

Diplomatët pa mandat

Janë të paktën dhe gjashtë ambasadorë të tjerë të cilët pritet ose duhet të zëvendësohen për këtë shkak. Konkretisht Mehmet Elezi, ambasador i Shqipërisë në Zvicër prej vitit 2006. Zoti Elezi, është i vetmi nga ish-nomenklatura e vjetër komuniste, (pasi ka qenë në Komitetin Qendror të PPSH-së dhe ish-Sekretar i Parë i Rinisë Komuniste), që edhe pas 22 vjetësh demokracie vazhdon të gëzojë privilegje të pakufishme. Një nga këto privilegje është mbajtja e postit të ambasadorit edhe dy vjet më shumë nga sa ia lejon ligji. Floren Çeliku, ambasador në Poloni nga viti 2007, duhej ta kishte mbaruar mandatin më 2011-n. Pëllumb Qazimi në Kroaci, i emëruar në 2007-ën, duhej ta kishte dorëzuar detyrën më 2011-n. Ylljet Aliçkaj në Francë gjithashtu e ka konsumuar mandatin më 2011-n, pasi është emëruar ambasador në 2007-n. Po kështu dhe ambasadori ynë në NATO, Artur Kuko, ka më shumë se një vit që mban postin, pasi është emëruara në 2007-n edhe ai. E të tjerë.

Ne krye te skandaleve Konsullata e Milanos

Në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë një superskandal mbërtheu ambasadat dhe konsullatat tona në botë. Drejtuesit e këtyre institucioneve në vend që të krijonin sa më shumë hapësira për shtetarët e vendeve ku ata janë të akredituar, të zhvillonin takime dhe konferenca, koncerte dhe aktivitete të tjera, të thërrisnin përfaqësitë e huaja diplomatike, komunitetin dhe emigracionin shqiptar, bënë pikërisht të kundërtën duke mbyllur dyert dhe duke e kthyer ditën e madhe të shpalljes së Pavarësisë në një  ditë heshtjeje. Më e turpshmja ndodhi në Konsullatën e Milanos ku Kryekonsullja jonë, Nausika Spahiu, e cila ka 7 vjet në atë post, mbylli dyert dhe iku për dy ditë rresht duke lenë me dhjetëra e qindra emigrantë pas dyerve të Konsullatës. Ndryshe nga konsullata e Stambollit, e cila krijojë një atmosferë të veçantë dhe tejet të ngrohtë për të huajt dhe shqiptarët e Turqisë dhe emigrantët e kohëve të fundit. Arsyeja e bojkotit nga Konsullata të festimeve të 100 vjetorit ka të bëjë me harxhimin e fondeve dhe shpenzimeve.  Zonja Konsulle e Milanos duhet të mendonte për Flamurtarin e Pavarësisë Kombëtare Ismail Qemalin, ashtu sikurse mendoi dhe shpenzojë për librin e Ali Spahisë, babait të saj (pavarësisht se ende nuk ka një vendim gjykate për motivet e dënimit të  tij). Me sa duket kjo zonjë nuk ndien gjë për Shqipërinë dhe kombin derisa e harron festën kombëtare dhe ditën më të shënuar të shqiptarëve kudo në botë. Shkaku thuhet se ka të bëjë me faktin që kjo “Konsulle shqiptare” është me dokumente italiane dhe e martuar me një shtetas italian. Ajo merr vetëm përfitime materiale për fjetje, ushqime edhe udhëtime, megjithëse banon në shtëpinë e burrit të vetë italian. Çfarë skandali i paparë në llojin e vet, ndërsa në Shqipëri politikanët na hiqen si atdhetarë? Fakti që ajo deklaron se mua s’më lëviz njeri dhe s’kam për të bërë asnjë punë, vetëm do hap e do mbyll derën. E pra, kjo zonjë është në të njëjtën linjë sikurse edhe të afërmit e Topallit apo Frangajt me shokë.

Shanset e humbura të Panaritit

Në fakt, sikurse është pohuar edhe herë të tjera nga ekspertët e politikës së jashtme, diplomacia shqiptare është e uzurpuar nga nepotizmi dhe militantët e partive në pushtet. Emërimet në ministrinë e Jashtme dhe në diplomaci vazhdojnë të shihen si vende pëllumbash për miqtë dhe besnikët e verbër të udhëheqësve të partive që janë qepur me thonj e dhëmbë pas pushtetit. Ndaj dhe, pavarësisht kritikave dhe denoncimit të skandaleve të herëpashershme, asgjë nuk ndryshon. Ndaj dhe ministrat që emërohen në krye të këtij dikasteri të rëndësishëm nuk ndryshojnë thuajse asgjë nga praktika tashmë e rrënjosur. Sepse edhe ministrat konsiderohen ushtarë të partive dhe nuk mund të prishin Status-Quonë e vendosur. Si mund të dalë ministri kundër kryetarit të partisë? Do të thotë t’i japë fund karrierës? Po ku t’i gjejmë ata ministra me integritet që ta bëjnë këtë. Prandaj dhe ata më shumë se shefa të radhës të diplomacisë, shihen si viktima të radhës. Tani e ka radhën Edmond Panariti. Ai tashmë e di gjendjen që ka në dikasterin që drejton. Po a ka fuqi ai të lëvizë qoftë dhe një ambasador apo një konsull? Fjala vjen, kë pushoi nga puna zoti Panariti pas skandalit në Athinë, kur në takimin me homologun grek, ia vunë flamurin kombëtar me kokë poshtë? Si mund të zëvendësojë Panariti zotin Mehmet Elezi, pavarësisht se i ka kaluar mandati prej më shumë se dy vjetësh? Më përpara duhet të mendojë t’i gjejë ambasadorit një fole tjetër pëllumbash më të ngrohtë se ajo e Zvicrës, pastaj të mendojë zëvendësimin. Po kështu dhe me ambasadorët dhe konsujt e tjerë. Por kjo ka pak shanse të ngjasë dhe Panariti shtyn ditët në krye të dikasterit të tij pa ditur se ç’mund të bëjë më shumë.