Dilema e “popullit të majtë”!

476
Sigal

Masat shtrënguese ekonomike që ndërmerr qeveria “Rama”, godasin shtresat e varfra të elektoratit socialist

Shikon njerëz të shumtë në sportelet e OSSHE-së dhe të parin që pyet, ai të thotë se është i majtë e nuk ka të paguajë energjinë. Shikon mësues që ankohen se po i heqin nga puna dhe të parin që pyet, të thotë se është i majtë e nuk ka të ardhura të tjera, përveç pagës së mësuesit. I majtë, është i pari që pyet edhe në sportelet e ujësjellësit, tatimeve, gjobave e në shumë sportele të tjera. Dhe në të vërtetë, “populli i majtë” është më i prekur nga reformat e ndërmarra nga kryeministri  i së majtës, Rama. Dhe e gjitha kjo e ka një arsye. Qëndrimi i gjatë në opozitë. Po, po, qëndrimi i gjatë në opozitë. Të qëndruarit gjatë në opozitë, në Shqipëri përkthehet ndryshe, të qëndruarit gjatë pa punë. Dhe të majtët kanë qenë të papunë për 8 vite me radhë. Dhe kur mbetesh i papunë, mbetesh dhe pa të ardhura e kur mbetesh pa të ardhura, mbetesh dhe pa paguar energjinë, tatimet, ujin e pijshëm, gjobat, shkollën e fëmijëve e deri ushqimet që blen në dyqanin e lagjes. Kur mbetesh i papunë vetëm e vetëm për shkak të bindjeve, detyrohesh që të paguash për të qëndruar në punë, apo për të gjetur një punë tjetër. Dhe për këtë lloj punësimi, shumë të majtëve iu është dashur vërtet të paguajnë e për ta mundësuar pagesën, janë detyruar të marrin dhe borxh, apo dhe kredi në banka. Ja tek u shtuan edhe borxhet e kreditë, përveç halleve të tjera. Kështu që, edhe ata të majtë, që qëndruan në punë, apo gjetën punë në 8 vitet e opozitës socialiste, ishin të detyruar të paguan këstin mujor të bankës, apo të shlyenin pak e nga pak borxhin e marrë, qoftë edhe duke marrë borxh për të larë borxh. E kështu, vit pas viti, shumica e të majtëve, të papunë e të punësuar kundrejt pagesës, për të përballuar jetesën e vështirë, kanë qenë të detyruar të mos paguajnë energjinë, të abuzojnë në mënyra të ndryshme me energjinë, të mos paguajnë edhe shumë detyrime të tjera që ia kishin shtetit. Vitet kaluan e në vitin e parë të qeverisjes së kryeministrit të majtë, që zgjodhën, duke i dhënë bashkë me të tjerët, 1 milion shuplaka qeverisë së djathtë, u përballën me reforma që jo vetëm nuk i kishin menduar, por edhe që mund të dëmtoheshin më shumë se të tjerët. Ndryshe ndodhte me “popullin e djathtë”, i cili në shumicën e vet, gjatë qeverisjes së PD-së, i kishte grumbulluar e kursyer disa të holla, të cilat janë të mjaftueshme për të përballuar reformat “Rama”, të cilat duhet pranuar se janë drastike, të njëhershme e gati të papërballueshme për shumicën. Dhe shumica janë pikërisht, 1 milion shuplakat, mbi të cilat po rëndon pesha e pasojave të reformave. Është pikërisht, “populli i majtë” i cili sot nuk ka mundësinë të paguajë kamatvonesat e energjisë së papaguar ndër vite. Është pikërisht “populli i majtë” i cili është i rrezikuar të largohet nga puna si mësues, sepse në 8 vitet e qëndrimit në opozitë është detyruar të paguajë për t’u ushqyer që të gjejë një vend pune në arsim, qoftë edhe jashtë profilit, apo dhe pa masterin, i cili kërkonte lekë për t’u ndjekur. Është pikërisht “populli i majtë”, i cili sot nuk ka mundësinë të paguajë sigurimet shoqërore tek biznesi modest që ka dhe e ka ndihmuar që të ushqehet gjatë gjithë këtyre viteve. E kështu, është” populli i majtë”, i cili sot, më shumë sesa “populli i djathtë”, po përballet me pasojat e reformave drastike të kryeministrit që zgjodhi vetë. Ndaj, në sportele institucionesh shikon e dëgjon të ankohen më shumë njerëz që i përkasin së majtës, atyre që bashkuan shuplakat e i bënë 1 milion për të sjellë në pushtet kryeministrin Rama. Në mbyllje të vitit të parë të reformave, “populli i majtë” duket se është në dilemën e madhe, të shtojë borxhet për të paguar kostot e reformave, duke vazhduar të jetë ende i papunë, ashtu si tetë vite në opozitë apo të përshkallëzoje ankesat

Ergys Alushi