Digjet makina e kreut të Kontrollit në Ministrinë e Brendshme

465
Sigal

Skandali, policia fsheh ngjarjen. Hetohet kërcënimi ndaj kryeaudituesit të Saimir Tahirit

TIRANË- Sulmet me tritol duket se ia kanë lënë vendin shisheve të benzinës.  Dhe kjo nuk është ndonjë fantazi apo shpifje, por një realitet që ka filluar të ndihet gjatë netëve në rrugët dhe rrugicat e kryeqytetit. Dhe viktima  e radhës nuk është një person i zakonshëm, apo ndonjë shtetas, për të cilët shpeshherë komunikatat e policisë, mjaftohen duke cituar se janë thjesht larje hesapesh apo kanë pasur një të kaluar të dyshimtë. Personit, të cilit i janë “treguar dhëmbët”, është një punonjës i Ministrisë Brendshme dhe jo nga kriminelët, por nga vetë persona të veshur me uniformën e policisë apo atributet e nëpunësit të Ministrisë Brendshme. Dje, në të gdhirë është sulmuar makina e audituesit kryesor të Ministrisë së Brendshme, i cili e kishte të parkuar në oborrin përpara banesës.  Personat, të cilët morën iniciativën u kujdesën që misionin ta kryenin sa më mirë,duke i treguar audituesit se, ky, është paralajmërimi i parë për gjithçka, ai ka kryer në aktivitetin e vetë shtetëror. Ende nuk dihet se cili është  qëllimi i vërtetë i këtij akti kriminal,por dy janë mundësitë  për të cilën të çon logjika. E para, nga oficerë të Ministrisë së Brendshme dhe që janë aktualisht në detyrë dhe e dyta nga ish-oficerë të saj, të cilët janë kontrolluar dhe gjatë këtij kontrolli janë evidentuar shkelje dhe abuzime gjatë kryerjes së detyrës. Dihet fare mirë objekti i kontrollit të Auditit të institucioneve. Ata kontrollojnë pagat, shpërblimet, prokurimet si dhe emërimet e shkarkimet. Pikërisht, kjo, mendohet se ka qenë arsyeja se përse është sulmuar me benzinë automjeti i përgjegjësit të Auditimit. Pasi mbi bazën e raportit të Auditimit, janë larguar nga puna një pjesë e mirë e nëpunësve të administratës dhe drejtues të Policisë së Shtetit. Por le t’i kthehemi ngjarjes,e cila ka ndodhur në mesnatën e së shtunës, duke u gdhirë e diela. Persona ende të paidentifikuar, pasi kanë piketuar automjetin tip “Benz” të përgjegjësit të Auditimit të Ministrisë Brendshme i janë afruar dhe kanë thyer xhamin e vogël trekëndësh. Më pas ata kanë zbrazur shishet me benzinë brenda automjetit duke i vënë flakën. Policia nga ana e saj ka nisur menjëherë hetimet, ndërkohë që, kjo ngjarje mbahet e fshehtë dhe e padeklaruar nga ana e policisë. Pikëpyetjet që ngrihen pas kësaj ndodhie kanë të bëjnë me faktin se kush e ka kryer këtë akt. E kanë kryer vetë personat e prekur nga kontrolli apo ata që priten të kontrollohen. Ky moment është i rëndësishëm,pasi vetë kryekontrollori i Auditit konsiderohet si njeriu që bënë kompromis me ligjet e shtetit. E dyta dhe që do të përbëjë  skandalin më të madh – nëse do të rezultojë e tillë – është ajo që, persona të paguar apo kriminelë janë nxitur dhe orientuar nga drejtues të Policisë së Shtetit për t’u paralajmëruar apo hakmarrë ndaj kreut të Auditimit të Ministrisë Brendshme. Ky është skandali më i madh nëse vërtetohet, kështu, strukturat e specializuara duhet të angazhohen seriozisht për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje. Shpresat janë të vogla,pasi vetë strukturat e rendit janë të përlyera me krimin dhe e sinjalizojnë në kohë që këta të fshehin gjurmët. Dhe rastet janë të shumta. Mjafton të kujtojmë rastin, kur policia mori në dorëzim pamjet filmike të grabitjes së një kambisti te dera e shtëpisë në pallatin tek Libri Universitar (Carrefour) dhe burime konfienciale bëjnë me dije se ata që kishin për detyrë t’i zbulonin venë dhe ja vënë në dispozicion pamjet filmike kriminelëve, në këmbim të shumave të caktuara, duke fshehur apo falsifikuar edhe gjurmët e gjetura në vendngjarje. Raste të tilla ka plotë. Madje, më skandalozja është tek Rr. ‘I.Dollaku’, e cila përdoret si zonë për shpërndarje hashashi, çuditërisht ngjitur me burgun, ku policët ndalojnë përdorues hashashi, por i lirojnë “sapo marrin kafen e tyre”. Këto janë fakte tronditëse por të vërteta dhe që policia duhet të shkundet, duke larguar të inkriminuarit e djeshëm, por edhe militantët e rinj që vetëm me profesionin e policit nuk kanë lidhje.