Dibranët bashkohen rreth Sherefedin Shehut: Dibra, jo plaçkë e Ramës

527
Sigal

Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbylljen e
fushatës në Dibër

Fitore për Dibrën dhe të fituar do të jenë  të gjithë dibranët pa dallime. Dhe unë këtë e
shoh në sytë tuaj, në entuziazmin, shpresën, optimizmin dhe vendosmërinë tuaj.
Dhe kjo është energjia dhe bekimi i vërtetë, bashkimi për Dibrën dhe dibranët. Do
të doja të ndaja me ju një zemër të gëzuar. Por e vërteta është se me gjithë
gëzimin dhe optimizmin e fitores që shoh në sytë tuaj e ndjej në zërat tuaj,
vij sot këtu me një zemër të rënduar nga dhimbja, nga trishtimi. Kemi qenë
bashkë në këtë muaj në çdo cep të Dibrës, në çdo fshat e lagje të qytetit. Kam
qenë në këto tre vite në çdo cep të Shqipërisë, në çdo fshat e çdo qytet, kudo
është shtuar varfëria dhe shkaku është elita e korruptuar politike që grabit
shumicën për t’ia dhënë pakicës. Kudo ka izolim, ka prapambetje, ka vuajtje dhe
i vetmi shkak për këtë është korrupsioni dhe keqqeverisja. Anembanë Dibrës dhe
Shqipërisë ka papunësi të skajshme, pasiguri për të nesërmen, pamundësi dhimbse
si ato që Sherefedini i përmendi e që i ka prekur dhe ndjerë në çdo takim me
dibranët e dibranet në oda, në ara, në kodra, sheshe dhe salla. Ka papunësi të skajshme
dhe shkaku është shpërfillja, braktisja dhe arroganca nga ata që Agim Kaca i
përmendi këtu si socialist i ndershëm dhe mijëra të tillë si ai. Nga ata që 3
vite më parë i besuan Edi Ramës me shoke se do të sillnin ndryshimin. Por i
vetmi ndryshim i mirë që sollën ishte për veten e tyre dhe familjen e tyre. Dhe
ndryshim negativ për mijëra e mijëra familje të ndershme dibrane demokratë dhe
socialistë. Ky është realiteti vëllezër e motra. Dhe sot nga ky shesh i
entuziazmit dhe i fitores dua t’iu them atyre që na ndjekin përmes ekranit se
realitetin duhet ta shohim ashtu siç është, pa zbukurime, pa gënjeshtrat e
qeverisë. Ju e keni parë fytyrën e vërtetë të pushtetit dhe e njihni më mirë se
kushdo tjetër. Keni parë banda që vijnë vërdallë, banditë të importuar që
sillen si çamër por që s’kanë asgjë të përbashkët as me çame, as me kosovarë,
as me dibranë, as më lebër por janë horra dhe banditë. Kë përfaqësojnë vallë
këta kriminelë?! Mos përfaqësojnë vallë Partinë Socialiste?! Nuk e besoj. Ata
nuk përfaqësojnë socialistët e ndershëm. E treguan publikisht socialistët e
ndershëm, kundërshtarët tanë politikë se ata nuk ndihen të përfaqësuar, ata
dolën sot në këtë shesh, siç dolën para disa ditësh në mes të Peshkopisë për
t’i thënë çdo dibrani: Socialistët e ndershëm të distancohen nga krimi! Kë
përfaqësojnë vallë këta kriminelë?! Përfaqësojnë vetëm Edi Ramën dhe janë këtu
sepse duan Bashkinë e Dibrës si plaçkë. Që ta copëtojnë e ta ndajnë mes vete. Duan
tenderat, emërimet korruptive, duan ta mbjellin me drogë cep më cep e të korrin
fitime për vete e për bandat. E keni parë gjithë këtë kohë fytyrën e pushtetit,
duket në kodrat e mbushura me drogë ku dibranët nuk shkojnë dot, ku fshatarët
janë ndaluar të shkelin, të presin dru apo të çojnë dhentë dhe bagëtitë e tyre.
Me drogë dhe banditë përfaqësohet Edi Rama sot në Dibër. Por ai ka ardhur këtu
dhe është ulur këmbëkryq edhe në forma të tjera, me mënyra të tjera, njësoj të
barabarta e kriminale. Duke shtuar varfërinë, duke shtuar papunësinë, duke
shtuar mjerimin tuaj, duke ju rritur faturat të energjisë elektrike, të ujit,
duke ju rritur taksat, duke ju rritur barrën e rëndë që çdo familjar duhet të
mbajë deri sa nuk e sheh dot në sy fëmijën e vet. Mbylli universitetin dhe ju
hoqi të rinjve dibranë një mundësi të mirë për t’i dhënë drejtim të ardhmes së
tyre me kosto shumë të ulëta. Mbylli projektin e Rrugës së Arbrit, e varrosi
atë duke lënë mbi 100 mijë dibranë në izolim e në arrest. E ndaloi projektin
sepse nuk i interesonte Dibra, nuk i interesonin dibranët, donte vetëm të
merrte milionat e qeverisë kineze, ai dhe vetëm ai. Bëri plane në hotelet
luksoze të Stambollit, në avionët privatë të Arben Ahmetajt për Skavicën, pa
pyetur askënd, as në Dibër, as në Tiranë sepse do të përmbytë dhe zhvendosë
gjysmën e Dibrës, gjysmën e dibranëve nga pronat e tyre dhe t’i çojë refugjate.
Cili dibran nuk e di se ai i jep Bashkisë së Dibrës, edhe tani që kryetarin e
kishte të zgjedhur vetë, 4 herë më pak para në vit sesa ç’i jep Sadri Abazit, 5
herë më pak në vit se sa ç’shpenzon për avionët e tij privatë dhe për biletat e
avionit për qeverinë?! Asnjë lopatë dheu nuk e lëvizi për Rrugën e Arbërit.
Kontratën e tunelit e kishte mbi tavolinë, sot erdhi me një fjalim ordiner, me
gënjeshtra ordinere që nuk meriton t’i dëgjojë asnjë shqiptar e aq më pak
dibranët e zgjuar që të japin ujë në bisht të lugës. Dhe e mbani mend. 12 herë
e premtoi, 12 herë e premtoi por e prishi se iu prish pazari. Nuk ka lek, ju
tha. Nuk ka lek për Dibrën, sepse lekët për Dibrën bëhen rrush e kumbulla nga
një njeri i vetëm i cili me tenderat që merr dhe vetëm me fitimin e këtyre
tenderave do të mjaftonin për të futur në ndihmë ekonomike të gjitha familjet
dibrane pa përjashtim. Por, dua të flas hapur me ju dhe të ndajë atë që ndjej,
jo vetëm si kryetar i opozitës, por edhe si njeri, si qytetar, si prind dhe si
bir nëne. Problemet e Dibrës janë të mëdha. Ato duan kohë, punë dhe kurajë që
të zgjidhen. Ato duan njerëz që i dinë problemet, i njohin problemet, i ndejnë
problemet dhe dinë t’i zgjidhin, duan t’i zgjidhin dhe do t’i zgjidhin. Dhe i
tillë është Sherefedin Shehu, biri juaj. Dibrani shembullor që ngërthen në
vetvete tre veçoritë për të cilat kombi çmon Dibrën dhe dibranët. Mençurinë,
punën dhe ndershmërinë, si prind, si familjar, si ekonomist, si menaxher, si politikan
dhe nesër me votën tuaj, si kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Dibrës. Ata që sot
duan t’ju blejnë votën, ata do t’jua marrin me dhunë nesër gjithçka që keni.
Nderin, pasurinë, të ardhmen. Edi Rama i ka dhënë liri krimit, të bëjë çdo gjë
në Shqipëri. Të vjedhë, të vrasë, ta kthejë Shqipërinë në Kolumbinë e Europës.
Si shpërblim ai i ka kërkuar kriminelëve që të qëndrojë në pushtet duke vjedhur
votat tuaja, duke vjedhur zgjedhjet. Ne do t’i themi ndal këtu, në Dibër. Ndal
në emër të Dibrës. Ndal, në emër të çdo shqiptari të ndershëm këtij
bashkëpunimi kriminal, kundër lirisë, kundër njerëzve, kundër demokracisë,
kundër vlerave. Ne nuk do të lejojmë që në pushtet të vijnë përfaqësues të
krimit që nesër me hir e me pahir do t’i shërbejnë atij. Nëse i lëshojmë krimit
politikën, Shqipëria do të shuhet një herë e mirë. Dje ambasadori amerikan bëri
thirrje që të largojmë vrasësit, trafikantët, dhunuesit nga parlamenti dhe nga
bashkitë. Ju keni shansin ta bëni të parët. Mos e lejoni qytetin tuaj të bjerë
preh e krimit, mos e lejoni drogën në tokat tuaja, në shtëpitë tuaja. Mos u
jepni fëmijëve të ardhmen e drogës.

Në emër të PD, ju premtoj 3 gjera:

1- Ju premtoj një kryebashkiak të ndershëm, që do të punojë vetëm për ju siç
ka punuar tërë jetën për të mirën publike. Një kryebashkiak që nuk do të jetë
peng as i grupeve kriminale, as i biznesmenëve të pangopur. Sherefedin Shehu ka
shërbyer në shtet dhe ka një jetë faqebardhë. Nuk ka për ta nxirë faqen tani që
po i zbardhen flokët. Thinjat e tij janë jo vetëm garancia e ndershmërisë dhe
pjekurisë, por edhe dashurisë dhe përkushtimit për ju dhe Dibrën.

2- Bashkë nisëm, bashkë do ta përfundojmë me ndihmën e Zotit dhe dibranëve
dhe gjithë shqiptarëve, Rrugën e Arbrit, rrugën e bashkimit.

3- Partia Demokratike dhe unë do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë dhe çdo
sakrificë për ta kthyer pushtetin tek ju, për ta kthyer fuqinë tek njerëzit, për
tu sjellë ju në pushtet. Ne do të bëjmë gjithçka që të keni zërin tuaj, mundësitë
tuaja të ndershme, dinjitetin që meritoni. Pra, vëllezër e motra, dibrane e
dibranë, zgjedhja juaj është e thjeshtë. Mes të mirës e së keqes, një zgjedhje
midis integritetit dhe krimit, një zgjedhje mes njeriut të lirë dhe njeriut të
kapur, një zgjedhje mes atij që do ti shërbejë Dibrës dhe shërbëtorit të mafies,
një zgjedhje mes atij që do të punojë për Dibrën dhe ta shfrytëzojë atë, dhe
ndaj jam i bindur se zgjedhja juaj quhet Sherefedin Shehu. Kam një mesazh për çakejtë
dhe horrat e Ramës që sillen vërdallë. Mos guxoni të prekni një votë të vetme. Mos
fusni duart në vullnetin e sovranit, se do të jetë një përgjegjësi që nuk do t’ua
mbajnë dot gjunjët. Ne opozita, Partia Demokratike, vëzhguesit, njerëzit tanë,
jemi të pranishëm kudo. Ne jemi garancia se vota nuk do të preket, se Dibra do
të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.