Diana Çuli:“Më 23 Qershor për një shoqëri demokratike, të modelit europian”

487
Sigal

*ish- deputete dhe shkrimtare

Si shoqëri, verifikuam edhe një herë, se për fat të keq, për maxhorancën aktuale, e cila ka qeverisur edhe në krye të erës demokratike, nuk ekzistojnë lessons learned (mësime nga pësimet), por vetëm përsëritje të gabimeve

Diana Çuli, ish-deputete dhe shkrimtare në intervistën për “Telegraf”, duke fokusuar ngjarjet politike, që shkaktuan konfliktualitetin e KQZ-së, thotë se e priste një lëvizje ligjgoditëse nga maxhoranca, sidomos, pas shkëputjes nga ajo e LSI-së, pasi kjo pjesë e politikës te ne nuk di të ndahet nga anormaliteti dhe konfliktualiteti. Zonja Çuli goditjen e KQZ-së e  shpjegon: “ Tek kjo goditje nuk ka asgjë parimore, përveçse një frikë të dëshpëruar për të shpëtuar të pashpëtueshmen”.  Ndërsa marrëveshjen PS-LSI, zonja Çuli e vlerëson pragmatiste, sepse “LSI-ja ka qenë dhe është pjesë e së majtës, dhe u kthye “në shtëpi”. Sipas zonjës Çuli, më e keqja është se këtyre nuk u intereson të gjejnë shkaqet pse politika jonë ka themel dhe shtrat acarimin dhe tensionin. Ndaj, më shumë se kurrë, pohon zonja Çuli, duhet të tregojmë interes, të jemi aktivë të gjithë, të kontribuojmë, sepse “nëse do të jemi indiferentë, atëherë nuk e vlen vërtet që ne të meritojmë një rend të vërtetë demokratik”. Ndërsa pyetjes, a mund të shkelim mbi moralin në politikë për të arritur suksesin, zonja Çuli jep shpjegimin se “Kërkohet vendosmëri, po edhe tolerancë, qëndrim i prerë, po edhe kompromis, hedhje dorashke, po edhe negociatë”. Zonja Çuli shpreh optimizmin se e majta do të mbartë misionin e integrimit e të progresit dhe se votuesit në 23 Qershor, duket të kenë motivacion “atë të ndryshimit. Për një shoqëri demokratike, të modelit europian”.    

– Zonja Çuli, çfarë ndjesie keni perceptuar ju nga zhvillimi politik i ditëve të fundit?

– E prisja pak a shumë këtë lëvizje, pra veprimin me KQZ-në. Ose, më saktë, prisja një lëvizje goditëse dhe ligj-shkelëse nga ana e maxhorancës. Qetësia e çuditshme e ditëve që pasuan shkëputjen e LSI-së nga pushteti, pa reagim të bujshëm nga ish – partnerët, dukej si qetësia e ngrirë para stuhisë. Dhe, parashikimi u vërtetua: bunaca nuk zgjati shumë dhe furtuna shpërtheu. Si shoqëri, verifikuam edhe një herë, se për fat të keq, për maxhorancën aktuale, e cila ka qeverisur edhe në krye të erës demokratike, nuk ekzistojnë lessons learned (mësime nga pësimet), por vetëm përsëritje të gabimeve. Nga ana e saj, një mësim i mësuar sot do të ishte zbatimi i rregullave demokratike, pas njëzet vjet tranzicion.

– Na intereson të analizojmë e të  gjejmë shkakun përse politika jonë përherë ka shtrat anormalitetin dhe konfliktualitetin?

– Jo “politika jonë”, sipas mendimit tim, por një pjesë e politikës sonë nuk di të ndahet nga anormaliteti dhe konfliktualiteti. Në ditët e sotme, kjo do të thotë, të shkosh me këmbët e tua drejt vetëshkatërrimit, drejt eutanazisë politike. Sepse, në këto dy dekada, kur në të gjithë vendet e Ballkanit qytetarët dhe politikanët po mësojnë të lëshojnë armët, të shmangin konfliktet e ashpra, të mos i skërmitin më dhëmbët të tjerëve, kur po fillojnë të zbatojnë ligjin, kur po ulen në tryezë për të biseduar dhe për të zgjidhur çështje nga më të koklaviturat, kur po demokratizohen dhe po mësojnë nga gabimet e veta dhe të historisë, klasa politike shqiptare e krahut të djathtë vazhdon me kokëfortësi të rrokulliset drejt vetëhumbjes së saj. Tashmë është e qartë për të gjithë, se këto janë veprime të një grupi që nuk ka ditur, që nuk do dhe nuk do të dojë kurrë të kuptojë se në Shqipëri ka ndërruar sistemi dhe se është vendosur një rend demokratik e se ai totalitari ka mbaruar përgjithmonë.

– A mund të pretendojmë si shoqëri për një emancipim e ndërgjegjësim demokratik, derisa presim partitë të na e sjellin si dhuratë, pa i lejuar vetvetes të ndikojmë në zhvillimet politike?

– Kjo pyetje më lejon të shtjelloj edhe më shumë diskutimin e mësipërm. Pse do të presim që partitë të na i japin dhuratë? Pse të mos e lejojmë vetveten? Shpesh ne ankohemi dhe flasim negativisht, sepse nuk i njohim mundësitë tona, jemi mosbesues dhe nihilistë ndaj zhvillimit. Këtë ndjenjë fatalizmi e trashëgojmë nga e kaluara dhe kërkon kohë të kapërcehet. Bindjet e ngulitura vështirë se shkulen nga mendjet. Dhe ne kemi bindje, si reflekse të pakushtëzuara, se nuk ndryshojmë dot asgjë dhe presim nga “lart”. Ndërsa është shumë më e lehtë se sa duket, por e ndryshme nga bindjet tona të ngulitura.

– Cili do të ishte reagimi i njerëzve, që janë jo militantë fanatikë të politikave partiake, por të interesuar për një mbarëvajtje të politikëbërjes në dobi të progresit të vendit e shoqërisë?

– Demokratizimi i shoqërisë arrihet gradualisht, jo me dhunë, jo me revolucione, por nëpërmjet një procesi evolutiv. Nëse kushdo nga ne reagon, në një mënyrë apo në një tjetër, partitë do të reagojnë ndaj reagimit të shoqërisë dhe do t’i përshtaten atij. Pjesëmarrje në grupime të shoqërisë civile, në media, në debate publike ose individuale është pjesë e këtij procesi përmirësues të shoqërisë, të politikës dhe të demokracisë.  Sot ka shumë mundësi demokratike që të jemi vetvetja: ka gazeta të ndryshme dhe të orientimeve të ndryshme, ku mund të shprehemi po të duam, dhe, po të shprehemi me artikulim të mirë në shtyp, vjen dita e të thërrasin edhe në ekrane për t’u shprehur; ka mundësi të grupohesh në shoqata të ndryshme dhe të luftosh për ide gjithfarësh: për mbrojtjen e mjedisit, për të drejtat e minorancave, për mbrojtjen e një ligji të caktuar, etj. Këto angazhime qytetare ndikojnë në progresin e shoqërisë, pengojnë abuzimin nga ana e pushtetit dhe ja kufizojnë atij fuqitë. Shpesh njerëzit, pa e njohur fushën dhe problemin flasin në mënyrë të vjetër: ç’na duhen gjithë këto shoqata? Sa fitojnë para kot. Ndërsa pyetja mund të shtrohej ndryshe: pse demokracitë perëndimore i japin kaq shumë rëndësi shoqatave dhe grupimeve qytetare, pse kanë njëzet vjet që i mbështesin? A nuk është më mirë, që njerëzit të organizohen në grupime të pavarura e të diskutojnë për një problem të caktuar, se sa të rrinë kafeneve?

– Prekja e KQZ-së, nga partitë,  si institucion kushtetues i pavarur, bëhet për qëllime parimore?

– Në një intervistë të një dite më parë, historiani dhe studiuesi i njohur amerikan i çështjeve shqiptare Berndt Fischer e quajti prekjen e KQZ-së si “një lëvizje direkte ndaj KQZ për të siguruar rezultatin e zgjedhjeve para se ato të mbahen…”. Pra,  studiuesi, që nuk jeton në Shqipëri, por na studion nga larg e vjen herë pas here, shprehu qartazi atë që dimë dhe kuptojmë të gjithë. Tek kjo goditje nuk ka asgjë parimore, përveçse një frikë të dëshpëruar për të shpëtuar të pashpëtueshmen. Si perandori Hirohito, kur humbi luftën dhe u bëri thirrje japonezëve të duronin të padurueshmen, pra humbjen. Nëse klasa politike në fuqi, e kryesuar nga partia demokratike, nuk ka frikë nga zgjedhjet, nuk ka pse të ketë frikë nga një anëtar i KQZ-së, se kjo është dhe qesharake. Në parim duhet të shqetësohet vetëm se mos ka humbur besimin e votuesve gjatë qeverisjes dhe të përpiqet t’i mbushë mendjen njerëzve, nëpërmjet një programi të ri, se do qeverisë më mirë. Gara e vërtetë e politikës është ajo e programeve.

– Me acarimin e mëtejshëm të klimës parazgjedhore, a është dëmtuar imazhi  te ndërkombëtarët, i përpjekjeve të Shqipërisë për t’u integruar në Familjen Europiane?

– Para së gjithash, ne duhet të mendohemi për veten tonë dhe çfarë imazhi politik i servirim banorëve të këtij vendi, pastaj ta kemi mendjen se si ju dukemi të tjerëve. Në qoftë se klima parazgjedhore është e acaruar, të gjithë si qytetarë duhet të përpiqemi të ndihmojmë në normalizimin e saj me mjete demokratike. Ndërkombëtarët, madje, duhet të jenë të kënaqur se nuk ju kanë shkuar dëm përpjekjet në këta njëzet vjet për të na edukuar me frymë europiane: shqiptarët nuk po nënshtrohen si dele ndaj çdo dhunimi që i bëhet parimeve demokratike, në këtë rast Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mendoj se rezistenca ndaj goditjes së dhunshme është në të mirë të imazhit, jo në dëm të imazhit.

– Kësisoj, a mund të themi se jo vetëm do të kemi stanjacion, por një kthim mbrapa të integrimit?

– Përse? Nuk i kuptoj nganjëherë disa nënkuptime të sloganeve ndërkombëtare: bëni si them unë dhe jo si bëj unë. Kur Greqia shpërtheu në protesta anti-qeveritare, askush nga europianët e lartë nuk u shqetësua, e panë si një veprim demokratik të dialogut mes popullit dhe drejtuesve të tij. Edhe në Itali, tani së fundmi, u bllokua procesi i formimit të qeverisë nga disa ngërçe kushtetuese, madje shumë gjatë dhe nuk dëgjova kërkënd nga ndërkombëtarët të shprehej se Italia po dilte nga integrimi europian e se po i prishej imazhi.

– A mund të quhet pragmatizëm bashkimi Rama- Meta?

Po, është shfaqje e një pragmatizmi politik. Megjithatë, nuk është veprim dhe aq i panatyrshëm sa ishte bashkimi Meta –Berisha në 2009.LSI-ja ka qenë dhe është pjesë e së majtës, dhe u kthye “në shtëpi”. Të gjithëve na vjen mirë kur dikush i familjes rikthehet në gjirin e saj, pasi ishte larguar për të provuar gjëra të reja e të tjera, se nuk i besonte dhe aq të vetëve. Na ka ndodhur secilit prej nesh, apo jo? Pse të mos ndodhë dhe në politikë?

– A mund të shkelim moralin politik për të arritur suksesin? Dhe cila është kostoja e fitores në këtë rast?

Politika nuk ndërtohet mbi aksioma, por mbi diskutimin. Është si rërë e lëvizshme. Në këto dekada që po ndërtojmë demokracinë, po kuptojmë edhe se ky sistem është shumë më i ndërlikuar dhe më i sofistikuar se sa ai që ishim mësuar në gjithë historinë tonë: autoritarizmi, ku gjithçka ishte bardh e zi. Demokracia po na bën të qartë se nuk ka asgjë të përsosur fund e krye, veçanërisht në marrëdhëniet politike, por ka rrugë të vështira. Kërkohet vendosmëri, po edhe tolerancë, qëndrim i prerë, po edhe kompromis, hedhje dorashke, po edhe negociatë. Jo makiavelizëm, jo qëllimi justifikon mjetin, por për të arritur qëllimin final, realizimin e një programi ripërtëritës, duhen shumë faktorë, edhe kur me disa prej tyre nuk jemi krejtësisht dakord. Nëse në njëqind pikë, mes dy palëve, gjashtëdhjetë prej tyre janë të përbashkëta, atëherë të dy palët duhet të kapen te këto pika, që i bashkojnë e të lënë mënjanë dyzetët që i ndajnë. Historia e Bashkimit Europian, ku duam të hyjmë, është histori kompromisi dhe negociate dhe jo histori konflikti e barrikade. Edhe një herë një shembull nga Italia fqinje, që është vend BE-je: forcat kryesore politike, për të zgjidhur ngërçin e zgjedhjes së presidentit, ripropozuan dhe votuan Napolitanon, megjithë historinë e tij politike, shumë të kundërt për parimet dhe programin e  krahut të djathtë. Dhe këtë kompromis, politika italiane e arriti për të mirën e vendit, pa u anatemuar e pa organizuar goditje kushtetuese nga ndonjëra palë e saj.

– A ekziston koncepti i demokracisë në politikën shqiptare sot?

– Unë i rikthehem edhe njëherë idesë se nuk e përfshijmë dot të gjithë klasën politike shqiptare në një kategorizim. Sipas mendimit tim, politika e klasës politike të majtë në Shqipëri ka dëshmuar se ecën drejt demokracisë shumë më e sigurt, sesa pjesa tjetër, që lë shumë për të dëshiruar. Klasa politike e majtë ka treguar se di të qeverisë, kur ka qeverisur, ka sjellë përparime demokratike të ndjeshme, sidomos në ngritjen e institucioneve dhe mbrojtjes së pavarësisë së tyre, në opozitë është sjellë si opozitë demokratike dhe programi saj është shumë i bazuar në parimet e demokracisë.

– Çfarë rotacioni (politik) kërkojnë forcat politike dhe çfarë rotacioni kërkojnë njerëzit dhe shoqëria jonë?

– Rotacioni është elementi jetëdhënës i demokracisë. Pa të demokracia do të shndërrohej në autokraci. Shoqëria jonë kërkon legjitimitet demokratik, siguri në liritë e saj kushtetuese, barazi qytetare dhe klimë progresive. Të gjitha këto do të sjellin mirëqenien dhe integrimin.

– A ia vlen të shpresojmë se kjo klasë politike mund të mbartë në misionin e saj procesin e integrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve?

– Unë besoj tek fryma e së majtës shqiptare, besoj në parimet dhe në programin e saj. Besoj, se tetë vjet në opozitë e kanë forcuar, e kanë shtyrë të reflektojë dhe të studiojë fenomenet politike e ekonomike, të hartojë programe europiane dhe të jetë e gatshme të përballet me sfidat.

– Me çfarë motivacioni duhet të shkojnë shqiptarët më 23 Qershor te kutia e votimit?

– Për mua, me atë të ndryshimit. Për një shoqëri demokratike, të modelit europian.

 “Vota është pushteti ynë, i qytetarëve”  

 – Ia vlen të interesohesh e të kontribuosh në zhvillimet politike, nëse nuk ke interesa të drejtpërdrejta personale?

– Patjetër. Demokracia zgjerohet dhe funksionon, kur qytetarët janë pjesëmarrës në të. Një rend politik, ku të interesuar janë vetëm aktorët e drejtpërdrejtë politikë, vetëm ata të lidhur me partitë ose vetëm me drejtimin e saj, nuk quhet më i tillë. Por, nga ana tjetër, ka gjithnjë një interes personal, i cili është pazgjidhshmërisht i lidhur me interesin e përgjithshëm. Cili është interesi im personal? Të jetoj në një vend, ku të gjithë të jemi të barabartë para ligjit, ku ky ligj të funksionojë, ku brezat e rinj të sotëm dhe brezat pas tyre të mundin të ndërtojnë një të ardhme europiane. E ardhme europiane do të thotë të jesh i lirë në mendjen tënde, në veprimtaritë e tua dhe të jesh gjithashtu një qytetar i përgjegjshëm, që të zbatosh rregullat dhe ligjet që ke votuar vetë. Ky është interesi personal, që nuk do të realizohet kurrë, nëse ne nuk jemi të vëmendshëm se çfarë po ndodh me politikën shqiptare, nëse nuk votojmë për bindjet tona dhe nëse nuk mbajmë qëndrime qytetare edhe në mikrobotën tonë të vogël. Nëse ne do të themi se, “nuk e vlen”, nëse do të jemi indiferentë, atëherë nuk e vlen vërtet që ne të meritojmë një rend të vërtetë demokratik, sepse ne, si qytetarë, e paskemi trurin rrafsh dhe ankohemi kot, për faje që janë vetëm tonat. Sot nuk është koha e regjimit diktatorial: sot askush nuk të detyron dot ta hedhësh votën kundër ndërgjegjes tënde. Do të thoni që “po të votojmë kundër pushtetit, na heqin nga puna”. Por, prandaj e kemi votën të fshehtë, – që është një nga bazat e demokracisë, që kërcënimi të mos ketë forcë. Vota është pushteti ynë, i qytetarëve.

 –  Faleminderit!