Diana Çuli: “Po vuajmë kusuret e politikës së paqytetëruar”

614
Sigal

INTERVISTË/Shkrimtarja Diana Çuli analizon vitin politik 2012, arritjet në letërsi dhe dhunën ndaj grave

Shkrimtarja e mirënjohur Diana Çuli, në këtë intervistë ekskluzive për “Telegraf”, shpreh mendimin se Shqipëria në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare ndodhet në pozitën më të favorshme që ka pasur ndonjëherë në historinë e saj, pavarësisht se jo në lartësinë e ëndërruar. Sipas saj, përgjegjësitë kryesore për prapambetjen bien mbi klasën politike drejtuese të vendit. Një pjesë e kësaj politike është e paqytetëruar, mendon shkrimtarja dhe me këtë ajo argumenton edhe mosmarrjen e statusit kandidat për në BE për herë të tretë. Ndërkaq, Diana Çuli flet për dhunën ndaj grave, rolin e shoqërisë civile në këtë drejtim, si dhe për arritjet në letërsi dhe arte gjatë këtij viti.

-Zonja Diana, viti që po lëmë pas ishte viti i 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Si mendoni,  a është Shqipëria në lartësinë e duhur historike?

Në pikëpamje historike, sot, pas 100 vjetësh Shqipëria padyshim ndodhet në një pozicion tepër të ndryshëm, të kundërt, pozitiv do të thoja. Para 100 vjetësh ajo sapo formohej si shtet, pas mijëra vjetësh varësi kombëtare nga perandoritë romake, bizantine dhe otomane. Sot, pas një shekulli, kombi shqiptar ka shtetin e tij të pavarur, me përvojë. Ka arritur dhe një sukses tjetër të madh duke formuar shtetin e pavarur të Kosovës. Ka ditur të çlirohet nga pushtimi nazi-fashist, nga diktatura komuniste dhe nga zgjedha serbe. Këto janë fitore të jashtëzakonshme historike të kombit tonë, që nuk i ka pasur më parë.  Mund të kujtojmë epokën e Skënderbeut, luftën e tij të lavdishme që ndikoi fortësisht në komb-formimin e shqiptarëve, por nuk arriti të krijonte shtetin.

– Gjithsesi, ky vit ka qenë mjaft i ngarkuar politikisht dhe ka pasur përplasje sidomos mes dy partive kryesore. Këto përplasje e kanë fisnikëruar apo e kanë dëmtuar atë?
Asnjëherë nuk ka dy palë që veprojnë njësoj. Ky gjykim, që e dëgjojmë shpesh, si në çështje lufte apo konfliktesh, në të vërtetë kërkon të fshehë shkakun e konfliktit apo shkaktarin kryesor. Nëse ka përplasje politike, kjo është një situatë normale për çdo demokraci. Nëse përplasja shkaktohet sepse nuk zbatohet ligji, sepse shkelet kushtetuta, sepse shumica ka ardhur në pushtet jo me zgjedhje transparente, të lira e të ndershme, atëherë duhet të shqetësoheshim nëse nuk do të kishte përplasje. Duhet të shqetësoheshim që opozita nuk vepronte, që shoqëria civile nuk reagonte, që qytetarët shqiptarë pranonin gjithçka pa ngritur kokë. Atëherë duhet të pranonim se populli ynë nuk di ta ndërtojë demokracinë.  Dhe, nëse ndërkombëtarët na bëjnë thirrje që të rrimë urtë, ndryshe nuk e marrim statusin, kjo është një thirrje jo e drejtë dhe jo sipas standardeve që ata zbatojnë për veten e tyre. Askush nuk e gjykon në Bruksel opozitën greke si penguese të zgjidhjes së krizës, ndërkohë që kjo opozitë po shkakton trazira e protesta të pafundme në vend dhe kushdo e pranon këtë gjendje si proces normal demokratik. 

– Shqipëria dështoi për herë të tretë për marrjen e statusit. Përse ndodhi kjo dhe kë bëni përgjegjës për këtë?

– Çdo shtet zgjedh çdo 4 vjet qeverinë që do ta drejtojë në këtë periudhë. Dhe kjo qeveri ka barrën e detyrën të drejtojë, të administrojë, ka çelësat e thesarit, ka mandatin të negociojë, të firmosë marrëveshje, brenda e jashtë, të formulojë politikën me fqinjët, me Europën, me SHBA-të, të zhvillojë ekonominë, të zbutë problemet sociale, të hartojë reforma legjislative sipas standardeve të BE-së dhe t’i zbatojë ato e shumë detyra të tjera që nuk po numëroj këtu. Opozita ka vetëm fjalën dhe asgjë tjetër. Ka për detyrë të vëzhgojë, të gjejë gabimet dhe t’i vërë në dukje ato, të propozojë, të kërkojë transparencë etj.. Pra, nëse Shqipëria nuk merr statusin, këtë përgjegjësi e ka qeveria e mandatuar dhe jo opozita, as shoqëria që pret qeverinë t’i bëjë detyrat sa më mirë. Mjafton të kujtojmë se Shqipëria, për shkak të qëndrimeve të papërgjegjshme të qeverisë ngriu marrëdhëniet  brenda një javë me të gjithë fqinjët.
– Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë politika në thelbin e saj për t’u bërë më e qytetëruar?

– Mendoj se një pjesë e politikës është e paqytetëruar dhe jo e gjitha. Ka politikanë që përdorin fjalor të ulët, sharje, përgojojnë familjet e politikanëve të tjerë dhe të kundërshtarëve, e kjo është gjëja më e shëmtuar që ndodh tek ne. Por, unë nuk dëgjoj të njëjtën mënyrë lufte politike nga opozita, e cila i argumenton kundërshtitë e veta me problematika profesionale dhe jo me fyerje nga nëna e nga baba.

– Viti 2013 do të jetë një vit elektoral. Si e parashikoni garën elektorale?

– Të ashpër në fjalorin e mësipërm, madje dhe më të shtuar, një media të pushtuar nga ethet e zbulimit të skandaleve personale dhe sulmeve të pabazuara në dokumente e të tjera fenomene të tilla. Por e parashikoj edhe si një votë plebishitare të shoqërisë shqiptare për të ndryshuar qeverisjen dhe për të pasur në drejtim një grup politik qeverisës të kundërt me atë që kemi pasur këto 8 vjetët e fundit.

– Ky vit që po lëmë pas ka qenë i shoqëruar me dhunë të skajshme dhe me viktima. Mund të na thoni se përse po shtohen rastet e dhunës në Shqipëri?

– Unë kam një shikim tjetër të këtyre ngjarjeve. Nga puna që kam bërë në njëzet vjet e më shumë me situatën e grave në Shqipëri, me dhunën ndaj tyre, mendoj se dhuna ka ekzistuar njësoj, por ka qenë shumë më pak e denoncuar. Shumë vite më parë, kur shoqatat e grave filluan të denonconin dhunën ndaj grave dhe nxorën statistikat e para, neve u akuzuam se i sajonim këto të dhëna për të përfituar fonde nga donatorët dhe nuk na i vuri veshin as shoqëria, as media, as drejtuesit politikë. Në jetën time të gjatë, edhe kur isha gazetare shumë e re dhe shkoja nëpër fshatra për reportazhe për vatrat e kulturës – në kohën e regjimit – më ndodhte paprerë që më fshataret më pëshpëritnin në vesh: e sheh atë burrin atje? Dje mbyti vajzën në pus. E shikon atë të riun aty, me flokë me balluke me lyrë? Një vit më parë i preu kokën gruas më sopat dhe e fshehu trupin e kokën. Vajzat hidheshin nga dritarja e vrisnin veten po të mbeteshin shtatzëna në atë kohë dhe unë, e tronditur nga çfarë shikoja dhe dëgjoja, shkrova Drerin e Trotuareve. Asokohe  askush nuk fliste, regjimi thoshte se njerëzit jetonin të lumtur dhe dhuna ndaj grave, e pranuar heshturazi, mbulohej e nuk denoncohej. Në dhjetëvjeçarin e parë të tranzicionit ishte ende shumë e vështirë të bindje gratë të denonconin, të frikësuara siç ishin nga kontrolli social dhe trysnia e mentaliteteve. Sot kanë ndryshuar shumë gjërat, ka informacion, media zhbiron dhe shkon kudo, familjet dhe vajzat e gratë janë më të ndërgjegjësuara, shoqëria është më e hapur për të treguar se çfarë po ndodh. Konservatorizmi dhe patriarkalizmi që është shkaku kryesor i kësaj dhune, duke ndjerë se po humbet terren përfundimisht, është egërsuar në përpëlitjet e tij dhe godet egërsisht.  Por, nga ana tjetër, nuk ka një strategji kombëtare – ose ajo mbetet vetëm në letër – për të ndërmarrë një operacion afatgjatë për ndryshimin e mentaliteteve, për zhvillimin e shëndetshëm të shoqërisë, për barazinë mes njerëzve. Rastet e tmerrshme të kohëve të fundit duhen bërë çështje kombëtare, jo për të treguar në mënyrë të turpshme detaje gjinekologjike apo erotike, por për të ngritur përse-të dhe mënyrat e shërimit të shoqërisë sonë nga kjo e keqe e vazhdueshme…

– Sa përgjegjës është shteti për ngjarjet që ndodhin?

– Për strategjinë që përmenda, për dënimet maksimale që duhen dhënë në këto raste, për një bashkëpunim më efikas me shoqërinë civile e cila ka shumë më tepër eksperiencë dhe kapacitete në fushë, për një qëndrim më evropian ndaj çështjes dhe jo të mbyllet një sy, se fundja, gra janë, edhe po i vranë, punë e madhe.

– Si e shikoni rolin e shoqërisë civile dhe organizatave joqeveritare në emancipimin e shoqërisë?

Të dorës së parë. Pa një shoqëri civile të zhvilluar, nuk ka demokraci funksionale. Ne kemi paragjykime ndaj shoqërisë civile, veçanërisht ata që nuk e njohin veprimtarinë e tyre dhe nuk duan ta njohin. Shoqëria civile, si parim, duhet të jetë bashkëpunuese më shtetin në përmirësimin e strategjive dhe metodave konkrete të zhvillimit të qëndrueshëm dhe opozitare, kur shteti frenon demokratizimin e vendit dhe shndërrohet në autoritar. Pra, shoqëria civile ka dy pamje dhe rol  të dyfishtë, që është mjaft i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm.

– Në optikën e shkrimtares Diana Çuli, si ishte viti 2012 për letërsinë dhe artin në përgjithësi?

– M’u duk më i dobët dhe më i vakët se vitet e tjera, por ndoshta kjo është vetëm një përshtypje e imja. Edhe pse arti dhe  letërsia nuk ecin paralelisht me zhvillimet shoqërore. Ata  kanë  ritmet dhe fazat e tyre  të shkëputura nga jeta reale. Mendoj se ka qenë më shumë një vit reflektimi.

– Ju ishit e pranishme në jurinë e konkursit për çmimet “Balkanika”. Si u paraqit Shqipëria në këtë konkurs?

– Me shumë dinjitet. Ne u paraqitëm me vëllimin me poezi të Preç Zogajt “Ngjarje në tokë.” Jo vetëm për mua, që e kam ndjekur prej vitesh poezinë e Zogajt, por edhe për jurinë kombëtare, edhe për shumë kritikë të artit, poezia e tij është një poezi e një niveli mjaft të lartë artistik. Dhe ky vlerësim u përsërit e u theksua edhe nga juria ndërkombëtare e Balkanika-s. Endrju Vahtel, kryetari i jurisë, i cili është amerikan, rektor universiteti dhe studiues i letërsisë ballkanike u shpreh për poezinë e Zogajt, një mjeshtëri të rrallë poetike, elegante dhe me figuracion të pasur. Për shkak të një pabarazie në konkurrim midis zhanreve letrare: poezia përballë romaneve ta paraqitur,  dhe për cilësinë e lartë të poezisë shqiptare të paraqitur, u vendos që në sesionin e ardhshëm të paraqiten vetëm autorë me vëllime me poezi. Në këtë sesion fitoi shkrimtari turk Nedim Gyrsel, autor me famë botërore, me romanin e tij “Engjëlli i kuq”.  Ndërsa Preç Zogaj, i cili u radhit i dyti pas Gyrselit, siç thashë dhe më lart, u veçua si një autor me vlera të rralla.

Diana Çuli

Diana Çuli njihet si një nga shkrimtaret më të rëndësishme të letërsisë sonë. Autore e shumë romaneve, vëllimeve me tregime, dramave, skenarëve të filmave artistikë, ajo ka shkëlqyer sidomos në prozën e gjatë. Midis romaneve që ka botuar ndër vite, janë vlerësuar në mënyrë të veçantë: “Dreri i trotuareve”, “Diell në mesnatë” dhe “Engjëj të armatosur”. Madje romani “Engjëj të armatosur” është cilësuar si romani më i mirë shkruar për periudhën e diskutueshme të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, si një roman që hap udhën e mund të shërbejë si një pikënisje e re për trajtimin në mënyrë jodogmatike të kësaj periudhe. Proza e saj është përkthyer dhe botuar në Itali, Francë, Kinë, Rusi etj. Veç fushës së letërsisë, Diana Çuli ka spikatur gjatë 17 vjetëve të fundit si një nga aktivistet më efikase në mbrojtje të të drejtave të gruas, duke drejtuar “Forumin e pavarur të gruas” e duke luftuar me të gjitha mjetet demokratike për realizimin e këtij misioni fisnik. Për katër vjet ka qenë deputete në Kuvendin e Shqipërisë nën siglën e PSD-së.

Diana Çuli, “Urdhër Nderi” nga Italia

Shkrimtares shqiptare, Diana Çuli, iu akordua në tetor të këtij viti titulli “Urdhri i Meritës së Republikës së Italisë” nga Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano. Ky titull i jepet për veprimtari të shquar ndaj shtetit italian në fushën e letërsisë, arteve, ekonomisë si dhe për kryerjen e detyrave publike apo të veprimtarive shoqërore dhe humanitare, iu dorëzua shkrimtares nga ambasadori i Italisë, Massimo Gaiani. “Gazetare, shkrimtare dhe përkthyese, Diana Çuli ka ditur të rrëfejë me përpikëri dhe ndjeshmëri historitë dhe ndryshimet e vendit. Falë dashurisë dhe njohjes së thellë të gjuhës dhe kulturës italiane, Diana Çuli ka vendosur ngjarjet e disa prej romaneve të saj mes Italisë dhe Shqipërisë, si dhe ka botuar në gjuhën italiane romanet Scrivere sull’acqua dhe Angeli armati”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Italiane.

– Ju faleminderit!