Dhunohet gazetari, Duma: Rama bekoi goditjen ndaj lirisë së fjalës

400
Sigal

TIRANE – Sekretarja për marrëdhëniet me Publikun në selinë blu Grida Duma ka denoncuar dhunimin e gazetarit të Rilindjes Demokratike Telnis Skuqi, që është goditur fizikisht në Gjirokastër, vetëm 50 metra larg komisariatit të qytetit. Demokratja e quan këtë sulm si një agresion drejt fjalës së lirë, e cila sipas Dumës është frymëzuar dhe bekuar nga Kryeministri Rama.

Deklarata e plote e sekretares për Marrdhëniet me Publikun ne PD, Grida Duma
Dhunimi i gazetarit Telnis Skuqi sot në mesditë 50 metra larg komisariatit të Gjirokastrës, është një këmbanë alarmi për dhunimin e fjalës së lirë, për kërcënimin e lirisë së shprehjes.

Gazetari Skuqi është i njohur  për qëndrimet e tij kritike e për investigimin e korrupsionit e të trafikut të drogës. Nuk është aspak rastësi goditja e tij në mes të ditës dhe fare pranë zyrave të shtetit.

Nuk është rastësi, dhe këtë e vërteton qartazi fakti që komisariati i Gjirokastrës disa orë pas ngjarjes vazhdonte të mos pranonte kallëzimin e tij me pretekste të papranueshme.

Teksa Edi Rama bën gjithcka që të shesë si demokratik konceptin e tij të lirisë së shprehjes në Paris, këtu në vendin që ai qeveris, fjala e lirë goditet, gazetari dhunohet në derën e komisariatit, deputeti i opozitës goditet.

Revanshi agresiv ndaj fjalës ka burim frymëzimi kryeministrin e vendit. Duke kërcënuar opozitën, duke organizuar skenarin e dhunës në parlament, duke mos dënuar e duke mos u distancuar nga kërcënimi i Kryetarit të opozitës, Edi Rama ka dhënë miratimin e tij për goditjen e fjalës së lirë.

Këto janë simptomat e regjimit të fshehjes dhe mbylljes së gojës, që Edi Rama dhe oligarkia e tij po ndërtojnë në cdo instancë.

Partia Demokratike e dënon ashpër goditjen e gazetarit Skuqi, dhe i kërkon Policisë të reagojë menjëherë e të vërë para ligjit agresorin e tij.