Dhunë dhe terror psikologjik mbi përkrahësit e deputetit rebel

508
Deputeti socialist Ben Blushi, dy-tre ditë më parë është ndodhur në Elbasan, duke menduar se atje do të zhvillonte takime normale pune me votuesit e tij tradicionalë. Takimi u mbajt diku në një lokal në periferi të qytetit dhe realisht kanë marrë pjesë goxha votues dhe militantë, të cilët prej tre vitesh zhgënjehen nga qeverisja e “Rilindjes”. Takimin me deputetin e tyre Ben Blushi, të pranishmit e kanë zhvilluar në frymën e debateve, pyetjeve dhe përgjigjeve, ankesave dhe akuzave ndaj atyre që prej tre vitesh lanë pas dere qëndrestarët e bazës socialiste në Elbasan. Takimi, pavarësisht se ishte njoftuar qysh më parë, është zhvilluar në frymën e një terrori të hapur psikologjik ndaj çdo përkrahësi të Blushit, pasi edhe ata që deri sot nuk kanë lëvizur nga vendi i punës apo posti i tyre, ndoshta pas 9 prillit do të kenë fatin e qindra e mijëra të tjerëve. Shkaku: “Jeni me Blushin”. Kjo frikë dhe ky ankth ka krijuar në Elbasan mes bazës dhe militantëve socialistë një klimë aspak pozitive, e cila favorizon hapur LSI. Ka mjaft militantë socialistë që prej disa muajsh kanë bërë divorcin me PS dhe janë anëtarësuar tek partia e Metës. 
Duke u kthyer tek takimi i Blushit me votuesit dhe përkrahësit e tij në Elbasan, një gjë u evidentua qartë. Të gjithë ata që ishin pjesëmarrës në takim, dhe të tjerët që për arsyen e frikës nuk ishin të pranishëm, deklaruan se “deri tani, asnjë listë me votues nuk është afishuar tek selia lokale e PS, asnjë votues nuk është regjistruar, nuk dihen emrat dhe numri i saktë i tyre, gjithçka dirigjohet nga emisarët e Ramës, dhe rezultati dihet qysh sot, mbi 99 % do t’i thonë “PO” kryetarit”. Këto deklarata duket se e kanë ndezur disi takimin me Blushin, pasi baza dhe përkrahësit e tij kanë kërkuar nga deputeti i tyre veç sqarimeve mbi situatën e fundit politike, edhe përshkallëzimin e kundërshtive dhe grupimit të tij ndaj shkeljeve statutore. Deputeti Blushi ka vënë alarmin mbi fushatën e egër të një terrori psikologjik mbi përkrahësit e tij, fushatën e egër të manipulimeve për hartimin e listave të votuesve të 9 prillit, duke deklaruar se “ne nuk do ta njohim kurrë një votim dhe një referendum të tillë që bie ndesh me statutin e partisë, dhe nuk do të njohim as kryetarin e pa votuar të PS”.
Fakti është se dega e PS në Elbasan, aktualisht nuk ka kryetar (dhe kjo ndodh qysh prej 2 vitesh) dhe strukturat e saj lokale drejtohen nga një grup drejtorësh dhe deputetësh që janë urdhëruar nga Rama ta mbajnë “fort” atë deri në zgjedhjet e 2017. Deputeti më i votuar në shkallë qarku, Ben Blushi, erdhi si deputet, por fakti është se ai qëndroi dhe u largua si ilegal, pasi klima e egërsuar politike, dhuna dhe terrori psikologjik që nuk ndalet, ka detyruar ligjvënësin e ligjshëm të takojë votuesit dhe përkrahësit e tij fshehtas, diku larg në periferinë e Elbasanit. Edhe votimi i 9 prillit 2016 në fakt, do të mbahet, por do të mbetet ilegal dhe i pa dëshirueshëm për shumicën e deputetëve, bazës dhe militantëve socialistë, të atyre që besojnë në vlerat e demokracisë edhe brenda gjirit të partisë, por jo të atyre që pasi morën mandatin, nisën të mbushnin xhepat me para dhe të bëhen pronarë trojesh dhe aksionerë kompanish. 
Sigal