Dhuna ndaj bluzave të bardha, Rama: Burg, kush prek mjekun

960
Sigal

Kryeministri Edi Rama, në një takim me mjekët në lidhje me rastet e fundit të dhunës ndaj bluzave të bardha, deklaroi se kjo është e patolerueshme dhe se për këtë do të parashikohen ndryshime në Kodin Penal.
“Nuk mundet që cenimi i sigurisë fizike të kthehet në një sport. Godit mjek për shkak të detyrës, godit policin për shkak të detyrës, godit, godit, godit… duke vënë në pikëpyetje një nga gurët e themelit të këtij sistemi, për të vendosur kufi mes lirisë së njërit dhe lirisë së tjetrit. Goditja për shkak të detyrës dënohet nga Kodi Penal. Por fitojnë gjithmonë ata që duhet të ndëshkohen në fakt dhe humbasin ata që meritojnë drejtësi, për shkak të gjykatave që janë ende pengje të korrupsionit. Do bëjmë ndryshime në Kodin Penal. Po bëjmë gati ndërhyrjen për moskapërcimin e vijave. Kush i kapërcen, hyn në burg”, u shpreh kryeministri Rama. 
Ndër të tjera ai tha se nuk pasqyrohet realiteti, po vetëm nxitet negativitet. Kreu i qeverisë thotë se realiteti i sotëm është ndryshe nga realiteti i djeshëm dhe kush nuk e sheh këtë, atëherë duhet të shkojë tek okulisti ose te psikologu.
“Kush nuk sheh dallimin nga e djeshmja te e sotmja ka nevojë për shërbim tek okulisti dhe nëse del në rregull nga sytë, ka nevojë për psikolog që ka nevojë të ndihmojë të dalë nga psikoza e negativitetit dhe e keqes që hapet si vaj në lakra dhe portal më portal në Shqipëri”, tha kreu i qeverisë.