“Dhuna e pakuptimtë dhe e pafalshme”

626
Sigal

2 vjet nga 21 janari, Ambasada e SHBA-ve ngushëllon familjarët: “Të hidhet dritë mbi ngjarjen!”

Në prag të përvjetorit të dytë të 21 janarit, Ambasada Amerikane në Tiranë, nëpërmjet një deklarate theksoi se kjo ngjarje nuk mund të lihet në harresë dhe kërkoi zbardhjen sa më të shpejtë të të gjithë detajeve të asaj dite tragjike.  “Duam t’i shprehim edhe një herë më shumë ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të atyre që u vranë dhe u lënduan në 21 janar 2011”, shkruhej në deklaratën e përfaqësisë amerikane në vendin tonë. “Të gjithë ata ishin viktima të dhunës së pakuptimtë dhe të pafalshme. Në mënyrë që një ngjarje e tillë të mos përsëritet, është e domosdoshme që një shpjegim i plotë të realizohet për 21 janarin, nëpërmjet një procesi të besueshëm ligjor”, thekson deklarata. Midis të tjerave, ambasada lëshonte një apel të ri ndaj politikanëve dhe qeverisë, “e cila duhet të bëjë të mundur që populli të besojë në mbizotërimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor”. Qëndrimi i sotëm i ambasadës amerikane është një vazhdimësi e një qëndrimi të vazhdueshëm, në favor të zbardhjes sa më të shpejtë të rrethanave, autorëve dhe motiveve të vrasjes së katër qytetarëve dhe plagosjes së dhjetëra të tjerëve, në protestat e opozitës në 21 janar 2011. Njëkohësisht, deklarata e ambasadës mund të interpretohet si një sinjal i qartë kundër zvarritjeve që kanë shoqëruar procesin e 21 janarit në gjykatë deri më sot. Ndërkaq edhe selia rozë ka vendosur të organizojë paraditen e 21 janarit një tubim përkujtimor për të nderuar 4 viktimat që humben jetën në protestën përpara Kryeministrisë, 2 vjet më parë. Tubimi do të nisë në orën 10.30 minuta, ku fillimisht kortezhi i njerëzve do mblidhet në selinë e PS-së, për të marshuar me tej në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e për të ndalur para Kryeministrisë. Veç familjarëve të 4 viktimave të 21 janarit Ziver Veizit, Aleks Nikës, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt , protestës do i bashkohen edhe krerë të partive opozitare. Homazhi po organizohet nga PS-ja e Tiranës, e cila ka përgatitur një aktivitet në sallën e Akademisë së Arteve. Fillimisht është menduar të prezantohet një dokumentar për të nderuar 4 viktimat e më tej fjalën do ta ketë kreu i PS, Edi Rama. Ziver Veizi , Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u vranë në protestën e opozitës në 21 janar 2011 dhe drejtësia ende nuk ka dënuar asnjë fajtor për vrasjen e tyre. Gjyqi për këtë çështje vazhdon ende në Gjykatën e Tiranës.