Dhoma Zgjedhore: Partitë, fushatë gjatë zgjedhjeve. Heshtja përfundon në fund të procesit

44
Gjatë mesditës së të dielës, kur procesi i votimit përshkoi thuajse gjysmën e rrugëtimit të tij dhe kur u siguruan të dhënat paraprake të shkeljeve të mundshme ligjore, përfaqësues të Dhomës Zgjedhore dolën në një konferencë për shtyp, ku bënë një radhitje të atyre që ata i quajnë si problemet e hasura deri më tani, duke e vënë theksin kryesisht në “fushatën që po bëjnë partitë gjatë zgjedhjeve”, gjë që bie ndesh me heshtjen zgjedhore, e cila sipas Kodit Zgjedhor përfundon me përfundimin e procesit zgjedhor.
“Dhoma Zgjedhore, përmes një prej anëtarëve të Komisionit për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme, po monitoron procesin zgjedhor përmes 1 mijë vëzhguesve në terren. Deri në këtë moment, Instituti i Studimeve Politike ka raportuar për pjesëmarrje të ulët të grave në zgjedhje, veçanërisht në zonat Tiranë, Paskuqan dhe Kashar. Janë konstatuar probleme me administrimin e procesit zgjedhor. Së pari, është problemi i hapjes me vonesë të Qendrave të Votimit, apo hapja e procesit pa praninë e të gjithë anëtarëve të Komisioneve. Arsyet e hapjes me vonesë të këtyre qendrave ka qenë shpërndarja me vonesë e bazës materiale, apo paplotshmëria e saj, si dhe mungesa e komisionerëve. Rastet me printimin e fletës së votimit në Roskovec, Tepelenë dhe Vorë përbëjnë një problem shqetësues. Konstatojmë se personave me aftësi të kufizuara nuk u janë krijuar kushtet e nevojshme të parashikuara në ligj për ushtrimin lirisht të së drejtës së votës. Konstatohet se komisionet e qendrave të votimit nuk kanë marrë masa për zbatimin e kërkesave dhe të ligjit, që në 150 metra distancë larg qendrave të votimit të mos ketë materiale propagandistike. Raste të tilla janë raportuar kryesisht në disa Qendra Votimi në qytetin e Shkodrës. Gjithashtu është konstatuar prezencë e shtuar e deputetëve dhe kandidatëve në mjediset rreth qendrës së votimit, siç raportohet në QV-në në Kamëz, në Durrës, gjë që është në kundërshtim të hapur me ligjin. Duam të theksojmë se heshtja zgjedhore përfundon me mbylljen e procesit të votimit. Janë vërejtur raste kur drejtues politikë të subjekteve garuese në zgjedhje, përmes medias kanë thyer haptas heshtjen zgjedhore. Në platformën Za Lart janë raportuar raste specifike ku votues pretendojnë se kanë shkuar për të votuar, por nuk janë lejuar pasi u është thënë se kanë votuar njëherë. Media po raporton raste të tjera të ngjashme. Gjithashtu në platformën Za Lart dhe në rrjetet sociale janë konstatuar raste ku personat fotografojnë votat e tyre në fletën e votimit. Anëtarët themelues të Dhomës Zgjedhore u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, në veçanti votuesve për herë të parë dhe vajzave e grave, që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të marrë pjesë në votime. U bëjmë thirrje partive politike që të evitojnë daljet publike deri në përfundim të procesit zgjedhor duke respektuar heshtjen zgjedhore. I kërkojmë KQZ-së që, përmes inspektorëve të vetë, të verifikojë rastet e denoncuara publikisht për çdo parregullsi në procesin zgjedhor. Gjithashtu i bëjmë thirrje Prokurorisë, që të fillojë hetime kryesisht për çdo rast të shkeljes së ligjit”, u shpreh analisti Lutfi Dervishi.