Dhoma Kombëtare e Avokatisë, vetë shkruan dhe vetë vulos, por pagesat e avokatëve nuk dihet ku shkojnë

612
Sigal

Kreu i Antikorrupsionit: Do ballafaqohemi në gjyq, për të realizuar transparencën dhe vetëpastrimin e strukturave të Avokatisë

Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion, duket e ka nisur një operacion vetëpastrimi, duke hedhur në gjyq Dhomën e Avokatëve, në mënyrë që ajo të bëjë transparencën maksimale se në cilën bankë kanë shkuar paratë e avokatëve për testimet, për anëtarësimin, për licencimet dhe numrin e të licencuarve, për të ardhurat e përfituara nga këto licencime, për numrin e asistent avokatëve, që janë pajisur me kartë, e shumë të tjera. I pyetur për shkaqet e dërgimit në gjykatë të kësaj çështjeje, kreu i kësaj shoqate Ndue Pjetra thotë: “Kërkojmë vetëpastrimin e strukturave të avokatisë, nëpërmjet transparencës, prandaj kemi përgatitur denoncimin tonë zyrtar për Dhomën e Avokatisë, në Shqipëri. Me këtë rast, po e bëjmë publike denoncimin tonë, nëpërmjet një letre që i drejtojmë edhe Ministrisë së Drejtësisë dhe kryetitullarit të nderuar, të kësaj ministrie zotit Nasip Naço”. Dhe më tej, Pjetra vazhdon: “Sepse nëse ne, avokatët e Shqipërisë, nuk do ta fillojmë luftën kundër korrupsionit, nga transparenca jonë, atëherë rezultati i kësaj lufte vihet në dyshim. Ne “Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare”, me seli në Tiranë, regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim Nr. 3635, datë 30. 07. 2013, paraqesim këtë kërkesë, si më poshtë: Ne, kohët e fundit kemi zbuluar një sërë shkeljesh nga ana e Dhomës Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë, pasi në detyrën dhe kompetencën e tyre, abuzojnë drejtpërsëdrejti me licencimin e avokatëve. Ne si shoqatë, në bazë të objektivave që kemi, kërkuam pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë informacionin e detajuar në lidhje me :

1.Numrin e avokatëve që janë licencuar në bazë të pikëve të fituara për vitin 2013, si edhe të ardhurat e përfituara nga këto licencime, sipas mandate pagesave përkatëse;

2.Numrin e asistent avokatëve që kanë aplikuar dhe janë pajisur me Kartën e Asistent Avokatit për Vitin 2013, si edhe të ardhurat e përfituara në bazë të mandateve të arkëtuara;

3.Bazën ligjore, Projektligjin (Nr. Datë miratimi), në bazë të të cilit janë përcaktuar kriteret për nivelet e licencimit të avokatëve.

4.Cila është baza ligjore, ku jeni mbështetur për të vendosur kushtet e ndjekjes së çështjeve në Gjykatën e Lartë dhe në atë Kushtetuese, në bazë të të cilave një avokat duhet të ketë eksperiencë mbi 15 vjet punë, për të ndjekur këto çështje në këto shkallë të gjyqësorit. Nga shkresa numër 55/1 prot, datë 16.09.2013, ne morëm një përgjigje aspak të bazuar në ligj dhe aspak të bazuar në kërkesat që ne, i drejtuam dhomës së Avokatëve.

Më tej, duke iu adresuar Ministrisë së Drejtësisë, kryetari Pjetra thotë: “Ne si shoqatë, propozojmë që Ligji numër 9109, datë 17.07.2003 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të ketë ndryshimet përkatëse në lidhje me abuzimet që kjo dhomë bën me testimin e aplikantëve për marrjen e licencës pasi DHKASH. nuk mund të kryejë të gjitha funksionet, si testimi, dhënien e licencave, kualifikimin e avokatëve për vitet 10-15 vjet, mbledhja e taksave, shpenzimet, të cilat rregullohen nga Këshilli i saj, etj..Në përfundim, kërkojmë që të drejtën e testimit dhe të licencimit ta ketë vetëm Ministria e Drejtësisë, e cila mban përgjegjësi për mbarëvajtjen dhe rregullimin e drejtësisë në Shqipëri, siç rezulton dhe me testimin që bëhet, edhe për noterët e përmbaruesit gjyqësorë të pajisen me Licencë, pranë Ministrisë së Drejtësisë.