Dhoma Amerikane: Mbani premtimin, ulni në 18% tatimin për pagën

565
Përfaqësues të shoqatave të sipërmarrjes shprehën mendimet e tyre për ndryshimin në taksën e pronës, në taksën e infrastrukturës mbi ndërtimet, tatimin mbi të ardhurat personale dhe shtrirjen e skemës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për bizneset që kanë xhiro më të lartë se dy milionë lekë, nga 5 milionë lekë që është aktualisht. Për sa i përket taksës së banesave, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, propozoi që për shtëpitë e para të jetë zero. Sipas Jakës, kjo do të stimulohen individët për të blerë një shtëpi. Ai shtoi se shtëpitë e dyta dhe të treta duhet të paguajnë më shumë. Jaka tha se taksa e infrastrukturës, prej 8 për qind mbi çmimin e shitjes për ndërtimet civile ndikon për investimet. Kreu i Dhomës së Tregtisë u shpreh kundër uljes së pragut të TVSH-së në 2 milionë lekë, pasi kjo sipas tij do të nxisë informalitetin. Ai kërkoi që të mos ketë fare prag TVSH-je, pra të fillojë nga zero. Për sa i përket heqjes së TVSH-së për ushqimet e shportës bazë, një propozim i deputetëve të LSI, Jaka u përgjigj se produktet ushqimore janë në 70 për qind importe dhe ulja e TVSH nuk do të sjellë përfitim në ekonomi.

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka ripërsëritur komentet e saj për paketën fiskale. Anëtarët e Dhomës i kanë kërkuar qeverisë që të mbajë premtimin që bëri përpara zgjedhjeve parlamentare, që tatimi mbi pagat e larta mbi 130 mijë lekë në muaj të ulet, nga 23%, në 18%. Në paketën fiskale aktuale mungon një nismë e tillë. “Ulni taksën mbi TAP që të ketë rritje të pagës dhe të deklarimit të tyre”, thanë përfaqësuesit e Dhomës Amerikane. Ajo vlerëson se në paketën fiskale është vënë re se shumë prej taksave do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Dhoma Amerikane ka kërkuar që elementë të rëndësishëm duhet të përcaktohet me ligj. Dhoma ka kërkuar që kufiri për TVSH-në të mos ndryshojë nga viti në vit.
Sigal