Dhoma Amerikane e Tregtisë: Biznesi po shantazhohet me gjoba dhe akte vandale

656
Bizneset në Shqipëri po përballen me një formë të re kanosjeje. Ndryshe nga forma klasike e gjobë-vënieve, kur kriminelë apo grupe kriminelësh kërcënojnë drejtpërdrejtë duke kërkuar shuma parash, tashmë sipërmarrësit vihen përballë kërkesave ultimative për të bashkëpunuar me partnerë në Shqipëri. Refuzimi i bashkëpunimit pasohet nga shantazhe apo vepra të tjera me karakter kriminal. Disa raste janë identifikuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila e ngre këtë shqetësim në një intervistë për “Klan Plus”. Mark Krauford, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë, shprehet se ka “ende disa probleme, ndonjëherë janë specifike për çështjen e sigurisë, kemi pasur raste në Fushë-Krujë dhe Korçë”. “Nuk është se të gjithë anëtarët kanë pasur probleme, por ka edhe një ose dy anëtarë që kanë pasur probleme të rënda. Është një çështje që i takon edhe investitorëve të huaj që mund të vijnë”, tha Krauford. Ai ka shpjeguar edhe skemën që ndiqet për të bërë presion ndaj biznesit. “Është nga njerëz privatë që vijnë dhe kërcënojnë kompanitë, që thonë, nëse nuk më jep mua ndonjë kontratë do të bllokoj rrugën që shkon tek fabrika ose do të kërcënoj punonjësit tuaj, do krijoj probleme pak a shumë. Vandalizëm, quhet në shqip. Domethënë kur vijnë njerëz dhe të presin telat e kompanisë ose bllokojnë rrugët ose kërcënojnë punonjës të kompanisë, nëse nuk japin kontratat. Ne jemi në diskutim me qeverinë, nuk është se qeveria nuk është në dijeni”, u shpreh drejtuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë. Sipas Dhomës Amerikane, e cila ka mbi 250 biznese anëtare, kërcënime të tilla ndikojnë edhe në prishjen e imazhit për investitorët e tjerë.

Në mënyrë të vazhdueshme biznesi ka shprehur shqetësimin për kërcënimet që vijnë nga bota e krimit, ndërsa disa sipërmarrës janë detyruar të largohen nga Shqipëria për shkak të kërcënimeve dhe dhunës.
Sigal