Dhjetori ’90, Rama: Jo frikë nga politika, rinia fuqia e ndryshimit

454
Sigal

TIRANË – Kryeministri Edi Rama zgjodhi 8 Dhjetorin, 24-vjetorin e lëvizjes Studentore të ’90-ës, për t’i bërë apel të rinjve që të bëhen pjesë e politikës e për të sjellë kështu ndryshimin që ata shpresojnë për vendin e tyre.  

“Kam dëgjuar të rinj që thonë se nuk duan të dëgjojnë për politikë dhe se politika është diçka e ulët dhe e pistë. Është një iluzioni madh të mendosh se po s’u more ti me politikën politika nuk do merret me ty. Faktikisht ne jemi objekt dhe subjekt i politikës, sa më pak të merremi ne me politikën aq më shumë rrezikojmë të jemi viktima të vendimeve të saj. Politika bëhet fuqia e tyre për ndryshim. Nuk do të thotë të bëhesh politikan, të braktisësh gjërat me të cilat ti merret çdo ditë, do të thotë t’i japësh vetes mundësinë që bashkë me të tjerë të krijosh më shumë hapësirë dhe më shumë kushte të favorshme për të bërë gjënë që ti do përmes profesionit tënd. Një student nuk e ndryshon dot vet gjendjen në universitetin e tij, por të gjithë studentët sëbashku munden nëse ndjejnë nevojën për ta bërë këtë ndryshim”, tha Rama.

Nga Asambleja Botërore e Rinisisë e mbajtur këtë vit në Tiranë, kreu i qeverisë tha se Lëvizja e Dhjetorit është simbol i fuqisë së rinisë për mundësi të reja zhvillimi, për të transformuar rrjedhën e historisë.

“Historia botërore njeh shumë lëvizje botërore që duke lëkundur themelet e sistemeve që konsideroheshin të pathyeshëm, i kanë hapur rrugën shpresave, ëndrrave e mundësive të reja. E tillë ishte dhe Lëvizja e Dhjetorit në Shqipëri që i dha zë ëndrrës për të jetuar në liri e demokraci, kur liria e democracia për atë brez të lindur e të rritur në diktaturë s’mund të ishin gjë tjetër veçse përmasa e një imagjinate të formësuar vit pas viti paz ë dhe brenda vetvetes”, tha kreu i qeverisë.
 
Sot 24 vjet nga Levizja studentore e Dhjetorit ’90
8 Dhjetori, sot është Dita e Rinisë, 24 vjet nga protestat studentore kundër regjimit komunist. Prej vitit 2009, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare kur më 8 dhjetor një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën pluralizimin, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.

Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

Akti i tyre i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.

Dita Kombëtare e Rinisë, u caktua si e tillë nga Kuvendi i Shqipërisë më 8 dhjetor të vitit 2009, për të kujtuar lëvizjen e studentëve në dhjetorit e vitin 1990, e cila ishte pikënisja e rrëzimit të regjimit komunist.