Dezertimi i Katër komandove, politika: Në ushtri mungesë shprese e përgjegjësie

597
Kishin shkuar me mision, por në ditën e kthimit nuk iu bashkuan grupit, reagojnë familjarët dhe politikanët, Nard Ndoka, Petrit Vasili, Fatmir Mediu
Katër komando të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, pas një shërbimi në Britaninë e Madhe, janë arratisur, duke dezertuar. Këtë të enjte u bë e ditur se Ministria e Mbrojtjes është vënë në alarm për moskthimin në bazë të katër komandove të Forcave të Armatosura Shqiptare. Mësohet se ata ishin dërguar në një trajnim në Angli, por nuk janë kthyer me pjesën tjetër të grupit që ka mbërritur në atdhe rreth tre javë më parë. Lidhur me këtë rast Ministria e Mbrojtjes ka dalë me deklaratë, duke bërë me dije se katër efektivë ushtarakë, që kanë qenë duke kryer detyrën e tyre jashtë vendit, nuk janë kthyer në Shqipëri pas përfundimit të saj. “Sipas Kodit Penal Ushtarak, ndaj 4 efektivëve, pranë Prokurorisë së Rrethit, Tiranë është depozituar kallëzim penal “Për dezertim”. Prej disa javësh, çështja është në hetim nga ana e autoriteteve përkatëse”, thuhet në qëndrimin e ministrisë. Komandot që kanë dezertuar janë Aleksandër Shkulaku, Klevis Lamkaj, Reni Ajazi dhe Ylber Tokrri. Bëhet e ditur se komandot që u arratisën nga shërbimi në Angli, u nisën nga Shqipëria më 4 tetor, por më datë 19 kur parashikohej kthimi, ata janë arratisur në kërkim të një jete më të mirë, duke dezertuar. Kanë qenë 11 forca komando që janë nisur në drejtim të Anglisë në fillim të muajit Tetor 2017 të ftuar nga Ministria Britanike e Mbrojtjes për të marrë pjesë në një stërvitje në formën e një gare, e njohur si testi me emrin “Patrulla Cambrian”. Në këtë test kanë marrë pjesë më shumë se 1000 ushtarë britanikë dhe ushtarë nga ushtritë e 28 vendeve të botës, mes tyre edhe nga Shqipëria. Testi është organizuar nga Brigada 160 dhe komanda ushtarake e Uellsit në bazën Brecon. Mësohet se fotot e 4 ushtarakëve shqiptarë i janë shpërndarë të gjitha njësive të policisë ushtarake në Britaninë e Madhe. Gjatë ditës së djeshme pati shumë reagime lidhur me këtë ngjarje. Kanë reaguar familjarë të komandove, si dhe politikanë e ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu. Sipas familjarëve të komandove, mësohet se dezertimi i tyre ka ndodhur vetëm për shkaqe ekonomike. Ata thanë se në muaj pagesa e tyre financiare shkonte nga 295-300 mijë lekë të vjetra. 
Nard Ndoka: Çfarë pret, kur ka dezertuar dhe kryeministri
Kreu i Demokristianëve Nard Ndoka e konsideron tejet të rëndë situatën në të cilën ndodhet vendi. Teksa e konsideron të papranueshëm veprimin e komandove, Ndoka shprehet se një gjë e tillë, pritet të ndodhë edhe nga shumë të tjerë. Ai e lidh këtë fakt me gjendjen në të cilën ndodhet vendi dhe me mungesën e vëmendjes që qeveria po i kushton institucioneve, aq më pak Forcave të Armatosura. “Këtu po dezerton kryeministri Edi Rama. Një qeveri që humb shpresën tek qytetarët, mjekët, ushtarakët, mendoj se rruga më e drejtë është dezertimi i saj”, thotë Nard Ndoka. 
Fatmir Mediu: Dezertimi tregon se brenda trupave ka mungesë shprese
Ditën e djeshme lidhur me dezertimin e katër komandove në Britaninë e madhe, ka reaguar edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ai shprehet se kjo gjë ka vetëm një shpjegim dhe, sipas tij, është mungesa e vëmendjes së shtetit ndaj Forcave të Armatosura. Një tjetër arsye mbetet edhe ajo ekonomike. Kjo sipas Fatmir Mediut, vjen në një kohë që vendi ynë është anëtar i NATO-s. “Duket se Forcat e Armatosura janë tërësisht të demotivuara dhe duhet gjetur arsyeja, pse janë të demotivuara. Nëse ikin 3 ushtarë komando, që është një nga strukturat elitarë të Forcave të Armatosura, të cilat kanë marrë pjesë në misione paqeruajtëse. Kjo tregon se, brenda tyre ka një mungesë shprese dhe besimi për rolin dhe për të ardhmen që ata kanë brenda Forcave të Armatosura”, u shpreh Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes.
Vasili: Duhet të ketë shkarkime në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes
Më radikal tregohet Petrit Vasili, që e krahason këtë ngjarje me dezertimet e ’97-ës. Por këtë herë, sipas tij, kjo ka ardhur për shkak të asaj që opozita e quan “kriminalizim të shtetit”. “Më kujton dezertimet e vitit 1997, ku dezertuan edhe me avionë. Më e pakta në këtë rast do të ishte; të kishte shkarkime të rëndësishme në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, së paku si një reflektim publik, por nuk besoj se do të ndodhë”, tha Petrit Vasili, kryetar i Grupit Parlamentar të LSI-së.
Dezertoi nga FA, babai i komandos tregon telefonatën e fundit
Pas lajmit se disa ushtarë shqiptarë kanë dezertuar, ka reaguar dhe babai i njërit prej efektivëve që ka lënë ushtrinë. Shkëlqim Ajazi ka treguar se si qëndron e vërteta për dezertimin nga ana e djalit të tij. Babai Renild Ajazit shprehet se arsyeja e largimit ka qenë pagesa e ulët. Sipas tij, ai e ka marrë vesh lajmin shumë kohë më parë nga djali i tij dhe është njoftuar dhe nga reparti komando. Babai i efektivit të Forcave të Armatosura ka deklaruar se, ai ka qenë vetë pjesë e ushtrisë dhe se djali i tij ka bërë një veprim të nxituar. Më tej, ai shton se problemi i pagesës ishte ngritur kohë më parë nga djali i tij. Ai ka thënë gjithashtu, se lajmin e ka marrë vesh që në datën 10 tetor kur ka pasur telefonatën e fundit me të birin, i cili i ka thënë se ishte mirë.
Sigal