“Deti” që ndan audiopërgjimin e Babales nga i Denar Bibës dhe akuzat për pronat e deputetit Hysenaj

551
Sigal

Petraq BARJAMI

Prokuroria, ende nuk e ka zbardhur analizën e audiopërgjimit të “Babales”, që erdhi nga ekspertiza, që u bë diku në një laborator në Angli. Prokuroria ende nuk ka bërë të ditur se në kë laborator të Anglisë u bë ekspertiza e audiopërgjimit. Sipas ligjit, edhe pala paditëse ka të drejtën që të bëjë analizë të pavarur në një laborator të certifikuar. Por disa pyetje për audiopërgjimin e “Babales” duhet të japë përgjigje prokuroria: E para, nuk mundet të bëhet analiza e audiopërgjimit, kur vëllai i të akuzuarit ushtron funksion shtetëror në postin e ministrit. Kjo është në konflikt interesi, sepse çdo përgjigje e çfarëdo analize që do të bëjë prokuroria do të mbulohet me dyshime për ndikim në analiza të ekspertizën, për më tepër, që akoma prokuroria nuk shpjegon përse refuzoi Italia të bënte ekspertizën e audiopërgjimit, në cilin laborator të Anglisë u dërgua audiopërgjimi? Përse audiopërgjimi nuk u dërgua në laboratorët e kriminalistikës të FBI? Askush në Shqipëri nuk do të vinte në dyshim çfarëdo rezultati që do të jepte ekspertiza e audiopërgjimit e kryer në laboratorët e kriminalistikës së FBI-së. Prokuroria njoftoi se ndaj gazetarit që bëri intervistën, hetimi ndaj gazetarit vazhdon në gjendje të lirë. E pranojmë këtë standard të ligjit, sipas gjykimit të prokurorisë. Mirëpo, për analogji, me audiopërgjimin e Denar Bibës që shantazhoi gjyqtarin e Strasburgut prokuroria e Krimeve të Rënda zbaton një standard të dytë, edhe pse rasti është analog, në kryerjen e veprës penale.

Prokuroria përse nuk jep përgjigje se deri ku janë hetimet për audipërgjimin e Denar Bibës, nga i cili kuptohet qartë se Denar Biba ka shantazhuar në emrin e kryeministrit gjykatësin e Strasburgut? A ka ngritur padi penale prokuroria ndaj Denar Bibës? Akoma prokuroria nuk e ka bërë publike vendimin e saj. Vetë Denar Biba e ka pranuar që zëri në audiopërgjim është i tij. Atëherë, vepra penale e shantazhimit të Denar Bibës ndaj gjyqtarit të Strasburgut është kryer. Përse hesht deri tani prokuroria? Përse prokuroria nuk ka kërkuar nga Parlamenti heqjen e mandatit të Denar Bibës nga posti i Zëvendëskryetarit të KQZ-së? A mund të hetohet Denar Biba për shantazhim të gjyqtarit të Strasburgut, duke ushtruar detyrën si zëvendëskryetar i KQZ-së? Përse prokuroria nuk përfundon hetimet për padinë ndaj deputetit socialist Hysenaj për përvetësimin e pronave në Dhërmi? Po hetimet për kokainën e kapur në Portin e Durrësit? Po milionat euro në Yaris që pastrojnë paratë e trafiqeve ndërkombëtare?