Sigal

Intervista e Kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili për Fax News

Z.Vasili cili është komenti juaj në lidhje me deklarimet e kryeministrit  për buxhetin për NATO-n?

Pak javë më parë, kryeministri deklaroi medias gjermane NTV, kolegëve tuaj në Gjermani që Shqipëria plotësuan dhe paguan 2% të GDP-së për NATO-n. Kjo është një gënjeshtër e madhe pasi vetë ministrja e tij, Olta Xhaçka në takimin e Wellsit, pohoi në mënyrë korrekte që Shqipëria realizon maksimumi 1,2% të kësaj kuote. Dhe ky 1.2% opinion publik e di shumë mirë ka qenë i trukuar pasi ju e dini shumë mirë që në këtë llogari u rifut për të figuruar si financim për NATO-n që nuk ishte, spitali ushtarak nga Ministria e Shëndetësisë iu rikthye përsëri ministrisë së mbrojtjes. Helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë iu futën në llogari Ministrisë së Mbrojtjes pra ishte një llogari e bërë pis, e demonstruar pis dhe se shitur pis nga kryeministri. Ça ishte Samiti? Samiti ishte një mundësi e madhe që të demonstrohej qartë që kryeministri gënjeu dhe më së fundi bënte autokritikë për këtë gënjeshtër të madhe. Tu thoshte shumë qartë dhe fjalimi i tij duke të ishte publik në Shqipëri, ku të pranonte të bënte një mea culpa që të thoshte unë publikisht nuk kam thënë të vërtetën për këtë gjë sepse nuk është 2%. Dhe ky 2% nuk është një mani e NATO-s por do të thotë një seri zhvillimi potencialesh brenda vendit të cilat rrisin kapacitetet e sigurisë brenda vendit dhe bëjnë që ne të jemi përfitues në kuptimin e mirë të fjalës, të mbështetjes së plotë të NATO-s në momentet tona më të vështira dhe reduktimi i gjithë  kësaj historie në disa histori fotografish, histerira futbollistike në këmbim të një qëndrimi shumë serioz politik për raportin  tonë strategjik me NATO-n, është një nga arritjet më të mëdha e politikës shqiptare që arriti të ishte anëtare e NATO-s. Nuk është arritje e këtij kryeministri dhe absolutisht as  e qeverisë së tij, përkundrejt kësaj ne kemi vetëm bllokime kudo lidhur me procesin. Por detyrimi që të paktën arritjet e të tjerëve në të mirë të vendit ti mbaj dhe ti konsolidojë ishte një mundësi e madhe. E gjithë kjo u reduktua në çështje fotosh, skena vërtet të pështira sesi mund të marrim një foto për të kaluar disa orë në media apo portalet e ditës në Shqipëri, kjo është një qasje  dritëshkurtër por dhe e dëmshme për vendin. Prandaj nisur nga ky skandal shumë i madh që kishte ndodhur pak javë më parë, që  deklaroi që paguajmë 2% ndërkohë që Presidenti Trump që shumë i qartë jo për Shqipërinë po e po, pasi Shqipërisë ja ka bërë shumë të qartë Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen që duhet të marrë masa për këtë gjë. Madje kanë përcaktuar dhe një plan sesi do arrihet dhe në këtë rast ishte vendi që kryeministri të paktën të vinte në vend fytyrën e tij por dhe të vendit sepse në fund të fundit është kryeministri i Shqipërisë dhe ai kur gënjen, të gjithë mendojnë që ai gënjen në emër të gjithë shqiptarëve.

Është përgjegjësi vetëm e qeverisë mospagesa e 2%?

Qeveria ka në radhë të parë përgjegjësinë të mos gënjejë sepse nëse nuk e bën një gjë të caktuar dhe thua që unë e bëj 2% dhe ndërkohë atë 1.2% e ke bërë në një mënyrë shumë të turpshme. Sepse NATO nuk mirëkupton që ti në mënyrë artificiale përpiqesh të gënjesh, përpiqesh vërtetë te ngresh kapacitetet e tua lokale se këto janë ne të mirë të shqiptarëve nuk janë në të mirë të NATO-s. Ne jemi përfitues nga NATO dhe jo e anasjella. Por kur ti nuk demonstron seriozitet kjo është përgjegjësia jote. Dhe kjo është përgjegjësi e kësaj qeverie që ka 5 vjet që qeveris vendin. Antarësimi në NATO ishte një antarësim që ndodhi në vitin 2008, u konsolidua në një periudhe 4-5 vjeçare dhe tani është në një periudhë të re ku konsolidimi duhet të eci përpara. Nuk mund ti kërkojë njëri po qeveritë e tjera ça bënë. Po qeveritë e tjera bënë një pune shumë të rëndësishme. E futën Shqipërinë në NATO. Tani ke detyrë  si qeveri së paku të konsolidosh raportet me këtë aleat strategjik ku të gjithë synojnë të jenë pjesë e kësaj organizate shumë të rëndësishme ushtatako-politike. Ky kryeministër është kaq i qetë saqë dhe gjërat qe janë lehtësisht të verifikueshme gënjen thotë ne i japim 2%. Duhet të kthehemi në parametrat e një serioziteti shtetëror sepse e rrënojmë imazhin e Shqipërisë. Unë shumë herë me dashamirësi kam dashur ta interpretoj ngaqë ky nuk kupton nga shifrat dhe i kam thënë njëherë 1.2 i është dukur si 2% dhe mbase të përpiqemi ta kuptojmë në këtë mënyrë.

Megjithatë kryeministri Rama mori falenderimin e Presidentit Trump për fjalën e tij të paktën kjo përcjellë nga ministrja e mbrojtjes..

Ta kalojmë se kjo është pjesë humoristike pasi çdokush në radhë të parë bën publik cili është fjalimi që është mbajtur edhe po të duan dhe komentet që janë bërë drejtpërsëdrejti. Fjalimet nuk bëhen në një bunker  të vogël ku e dëgjojnë dy vetë. Janë fjalime publike. Dhe ne presim me padurim ta kemi këtë fjalim në dorë ku të dëgjojmë edhe ndjesën që do i këtë kërkuar. Besoj do e ketë bërë kaq gjë kryeministri, ku ti kërkojë ndjesë atij Samiti që ka gënjyer publikisht për financimin. Pasi financimi ishte pikë kyçe  dhe Presidenti Trump ishte shumë i kujdesshëm dhe shumë i drejtpërdrejtë dhe iu drejtua shumë fort auditorit detyrimet  financiare janë të patjetërsueshme për një raport të qëndrueshëm brenda NATO-s. Qe shumë kritik me vende të mëdha europiane që gjithsesi kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme në NATO jo më për Shqipërinë. Kjo gjë nuk ka ndodhur, unë nuk kam dëgjuar të ketë kërkuar. Po të ketë kërkuar ndjesë i lumtë. Unë jam i pari që do ta përshëndes. Do ta harroj që gënjeu po të paktën të pranojë gënjeshtrën që bëri.

 Po takimet në tërësi të Z.Rama në samitin e NATO-s si i cilësoni? Ka pasur sot edhe deklarata të përbashkëta që kanë ardhur?

E kalojmë këtë pjesë, raporti ynë me NATO-n, është një raport i drejtpërdrejtë me organizatën. Asgjë nuk mund të zëvendësoj seriozitetin në këtë marrëdhënie. Në qoftë se ne për NATO-n kemi ndërtuar një marrëdhënie që përpiqemi ta gënjejmë NATO-n, duke marrë copëza nga buxheti i shtetit që nuk i takojmë dhe ia veshim asaj kjo është mungesë e plotë serioziteti në raport me një partner shumë serioz dhe shumë të rëndësishëm strategjik. Këtu fillon dhe mbaron arsyetimi të gjithë të tjerat janë butafori dite dhe te jeni te bindur që nuk u rezistojnë as 24 orëve si lajm.

Përpara kësaj pak ditë më parë u zhvillua Samiti i Londrës, samiti për vendet e Ballkanit Perëndimor. Si e cilësoni? Si një hap përpara për vendin tonë?

E rëndësishme është që në një periudhë të turbullt dhe pse jo dhe shumë të qartë ku Europa ndodhet vetë, është një lajm i mirë që vëmendja ndaj Ballkanit vazhdon të mbetët. Problemi qendror është ky, si performohen qeverisja në Shqipëri, për të pasur akses, jo thjesht dhe vetëm për paratë që vihen në dispozicion, pasi u fol dhe për para. Por për të ndërtuar një raport politik serioziteti në radhë të parë për gjithë çështjet që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë e Reformave, orientimi i një modeli dhe zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, i cili mungon në Shqipëri pasi ky model ekonomik po prodhon gjithmonë e më shumë të ardhura të pakta në Shqipëri, prodhon gjithmonë e më tepër pasiguri për shqiptarët. Ju shikoni shifra të tilla ku 43% e shqiptarëve duan të ikin. Sot pikërisht në portalin tuaj ishte shifra ku mbi 35% e shqiptarëve janë të tmerruar për të nesërmen pasi varfërinë  e shohin si një kërcënim të tmerrshëm dhe ata që kanë disa të ardhura. Janë prova që tregojnë më së miri që në Shqipëri mungojnë elemente thelbësore të një modeli ekonomik të qëndrueshëm, që krijon siguri dhe qetësi për shqiptarët dhe të një zhvillimi afatgjatë. Edhe ky zhvillim afatgjatë për shkak të këtij modeli që mungon nuk ekziston pasi investimet  e huaja nuk ekzistojnë pra mësimi që merret nga Londra është që bëhuni serioz, bëni gjëra të vërteta  me veten tuaj, që të përfitoni mbështetjen tonë e cila nuk do u mungojë. Në rast se nuk jeni në rregull me punët tuaja nuk mund ta përfitoni dot këtë mbështetje , përkundrazi do ta përfitojnë ato shtete  që performojnë më mirë. Qoftë Maqedonia fqinje, qoftë Kroacia, Sllovenia, ne kemi një gadishull i cili është kompetitiv pra të gjithë kanë perfeksionuar mekanizmat e tyre të sjelljes qeveritare, të reformave, ndaj janë përfitues më të mëdhenj. Dhe ju e shikoni dhe në takimet që janë bërë dhe të Dubrovnikut dhe të tjerë, Shqipëria ka qenë përfituesi më minor, edhe më pak se Maqedonia, disa raste dhe më pak se Kosova. Pasi performance dhe serioziteti i qeverisë është i ulët.

Duket që ka qenë një tur ambicioz ky i periudhës së fundit  i z.Rama. Ndalem këtu te ceremonia e inagurimit të Presidentit Erdogan, u takua me Medvedev. Tek takimi që po flasim me z.Trump, ndërkohë sot  kanë ardhur takimet nga Brukseli me z.Tusk dhe z.Hahn. A mund te themi që ka të gjitha letrat për një lloj përmirësimi apo suksesi në arenën ndërkombëtare?

Në arenën ndërkombëtare ne kemi këto raporte, të ndajmë kashtën nga gruri. Gruri janë rezultatet, kashtat janë fotografitë e ditës, shtrëngime duarsh, gjëra që janë rutinë. Kush i njeh këto lloj rutinash. Unë në momente të caktuara të jetës politike kam qenë pjesë e këtyre aktiviteteve dhe e di çfarë peshe, çfarë rëndësie kanë dy shtrëngime duarsh.

Nuk shkojnë përtej politesave?

Nuk shkojnë se në rast se do të shkonin, ju përpara meje do të kishit në titrat tuaja, një mori rezultatesh konkrete, fillime projektesh, elemente të bashëpunimit ekonomik mbase dhe të bashkëpunimit politik. Ju sot përveç fotografive, shtrëngime duarve nuk keni qoftë edhe një ide konkrete. Dhe ideja e vetme konkrete është që kemi një moshapje të negociatave që u pohua nga komisioneri Hahn.