Detajet e fundit nga ceremonia e betimit të Presidentit

471
Në orën 18:00 Parlamenti i Shqipërisë pritet të mblidhet në sesionin e jashtëzakonshëm ku do të zhvillohet dhe ceremonia e betimit të Presidentit të ri, Ilir Meta.
Seanca do të drejtohet nga nënkryetarja e Parlamentit Valentina Leskaj, e cila do të lexojë dhe formulën e betimit, pas të cilës Ilir Meta do të thotë “Betohem”, e do te marr zyrtarisht detyrën.
Mësohet se në ceremoninë e betimit në Parlament do të jenë të pranishem dhe deputetët e opozitës. Më pas pritet që Meta t’i drejtohet me një fjalë deputetëve, dhe pas kësaj, të drejtohet për në ambientet e Presidencës.
Në orën 19:25, do të jetë Bujar Nishani ai që do të presë Metën në hyrje të Presidencës, e më pas të dy do të zhvillojnë një takim të shkurtër në zyrën e Presidentit të Republikës. Pas këtij momenti, Ilir Metës, i cili do të jetë i shoqëruar nga vajza e tij dhe jo bashkëshortja Monika Kryemadhi, do t’i dorëzohet Kushtetuta e Shqipërisë, nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Ekzekutimi i Himnit Kombëtar, do të shoqërohet me 21 të shtëna topi që do të pasohen nga parakalimi i forcave të Gardës së Republikës. Edhe në Presidencë, Ilir Meta, do t’i drejtohet me një fjalë të gjithë të ftuarve. E në fund, në mënyrë simbolike ai do të përcjell presidentin në largim Bujar Nishani.
Përgatitjet, si në Parlament ashtu edhe në Presidencë janë drejt përfundimit. Diten e fundit si President, Bujar Nishani e kaloi në zyrën e tij, ku u largua prej andej rreth orës 13:30. Ndërsa Ilir Meta i kaloi në zyrën që mbajti për 4 vjet në kryesi, si kryetar i Kuvendit. Takimet kanë qënë të shumta edhe në këtë ditë të fundit ndërsa për disa orë presidenti i zgjedhur është takuar kokë më kokë me deputetë dhe ish ministra të LSI, mes tyre edhe ish kryetarin Petrit Vasili.
Burime thanë se pas takimeve në zyrë dhe përshëndetjen me stafin e ngushtë me të cilin punoi për katër vite rresht, z.Meta do të pushojë për pak kohë me familjen e tij për t’u përgatitur për pasditen e ngjeshur, ku në orën 18.00 do t’i drejtohet parlamentit për tu betuar zyrtarisht dhe për të marrë detyrën e kreut të shtetit.
Gjithçka është gati për të pritur Presidentin e ri Ilir Meta, i cili vetëm 1 orë pas marrjes së detyrës do të japë dhe intervistën e tij të parë përballë gazetarit Sokol Balla, në Top Story.
Sigal