Dështon sërish ngritja e KLP dhe KLGJ, rishfaqet shorti. Tërhiqet Saimir Vishaj: Jo gogël për reformën në drejtësi

832
Dështojnë sërish KLGJ e KLP, rishfaqen goglat
Pas debateve në komisionin e posaçëm parlamentar, deputetët zgjedhin me short propozimet. Në Kuvend mungon konsensusi
Pas rrëzimit me votimin e parë nga Parlamenti, nënkomisioni i posaçëm përsëriti dje shortin manual dhe përzgjodhi listën me emrat e 10 kandidatëve jogjyqtarë e joprokurorë për 5 vende respektivisht në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Për anëtarë të KLGJ-së u përzgjodhën me short Fatos Lazimi e Fatmira Luli nga avokatia, Maksim Qoku e Mirela Bogdani nga pedagogët, ndërsa kandidatja e shoqërisë civile është Naureda Llagami. Për anëtarë të KLP kandidatë janë Gëzim Allaraj e Fjoreta Xhimi nga avokatia, Eneida Sema e Genti Ibrahimi nga trupa e pedagogëve, si dhe kandidati Andi Murataj nga shoqëria civile. Kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve dhe njëkohësisht drejtues i nënkomisionit Ulsi Manja tha se listat me kandidatët do t’i nisen parlamentit për votim në seancën e të enjtes. As për këtë listë opozita nuk dha mirëkuptim dhe pritet që edhe kjo listë të rrëzohet nga Parlamenti. Opozita e kundërshtoi përsëri listën, duke e cilësuar atë “një çorbë që do të sillte vetëm rrëmujë në drejtësi”. Deputeti Oerd Bylykbashi tha se ky proces ishte i korruptuar dhe se nga totali i kandidatëve, vetëm një prej tyre plotëson kushtet ligjore. Opozita është ankuar se midis të kualifikuarve janë edhe dy emra avokatesh, Fatmira Luli dhe Nurihan Seiti, të cilat sipas Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, kanë marrë pjesë, e para si gjyqtare dhe e dyta si prokurore në procese politike të zhvilluara deri para mesit të vitit 1991. Po dje para shortit, komisioni përjashtoi nga procesi kandidatin Altin Hazizaj, për shkak të fakteve shtesë për dënime të tij të mëparshme nga drejtësia. Hazizaj ka deklaruar më parë se ai nuk ishte njoftuar nga drejtësia dhe as ishte në dijeni që gjykatat e kishin dënuar dy herë me vendim të formës së prerë. Një kandidat tjetër, Kozma Jano, po verifikohet më në detaje nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Partia Demokratike publikoi të dhëna se ai ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin “Telefoni”, por ai i quajti këto të pavërteta. Një tjetër kandidat, avokati Saimir Vishaj, njoftoi dorëheqjen e tij nga gara, nëpërmjet një letre të drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. 

Nëse lista e djeshme do të rrëzohet, procesi rikthehet në nënkomisionin ad hoc. Ligji parashikon tre raunde votimi me 2/3 për miratimin e kandidatëve në parlament. Nëse Parlamenti nuk miraton për 3 herë rresht listën e paraqitur, kandidatët konsiderohen të zgjedhur. Pas kësaj, secila nga trupat, ajo e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duhet të zgjedhin nga 6 anëtarët për KLGJ-në dhe KLP-në. Ndërkohë, për këta kandidatë është duke u kryer edhe procesi i vlerësimit kalimtar të figurës. 
LISTA
Dy kandidatët nga trupa e avokatisë për anëtarë të KLGJ
Fatos Lazimi
Fatmira Luli
Dy kandidatët nga trupa e pedagogëve për anëtarë të KLGJ
Maksim Qoku
Mirela Bogdani
Kandidatja e shoqërisë civile për anëtare e KLGJ
Naureda Llagami
Kandidatë nga trupa e avokatisë për anëtarë të KLP
Gëzim Allaraj
Fjoreta Xhimi
Kandidatë nga trupa e pedagogëve për anëtarë të KLP
Eneida Sema
Genti Ibrahimi
Kandidati nga shoqëria civile për anëtarë të KLP
Andi Murataj
Mazhoranca: Opozita po bllokon reformën

Mazhoranca akuzoi opozitën se po bllokon zbatimin e plotë të reformës në drejtësi. “Nga dita e parë dhe dita e fundit, opozita kërkon të zvarrisë procesin e zbatimit të reformës në drejtësi. Edhe kjo që po bën me kandidatët është një lojë e opozitës për të deligjitimuar procesin, për ta çuar në pikën zero dhe për të bllokuar zbatimin e reformës në drejtësi”, u shpreh Ulsi Manja, kryetar i Komisionit parlamentar të Ligjeve dhe nënkomisionit të posaçëm. Ai u shpreh se deputetët e opozitës përsëritën të njëjtat akuza si një javë më parë ndaj kandidatëve për KLP dhe KLGJ. 

Vishaj: Jo gogël për KLGJ-në
Avokati Saimir Vishaj, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, shprehur pakënaqësinë e tij për mënyrën e zgjedhjes nga nënkomisioni i posaçëm parlamentar të kandidatëve për në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit (KLGJ). “S’mundem të sakrifikoj 22 vite avokati, duke u konsideruar gogël, pasi kam luftuar për dakortësi të subjekteve politike, jo për të qenë ‘avokat gogël’. Sakrifikova avokatinë për Reformën në Drejtësi, por jo për të qenë gogël. Nuk e konceptoj që kandidatët e rrëzuar të rifuten në zgjedhje. Unë do vazhdoj të jem avokat dhe pedagog i Universitetit Luarasi”, u shpreh Vishaj. Ai edhe zyrtarisht i komunikoi Kuvendit vendimin e tij për t’u tërhequr nga gara për KLGJ-në.
Hazizaj: Përjashtim i padrejtë
Përjashtimin e tij si kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Altin Hazizaj e quan të padrejtë, një lajthitje të radhës me ligjin dhe humbje të sistemit të drejtësisë. Në reagimin e tij, Hazizaj shkuan se vendimi i nënkomisionit parlamentar për përzgjedhjen e kandidatëve është bazuar tek rekomandimi i Prokurorisë së Përgjithshme, në lidhje me vlerësimin e figurës. Hazizaj tha se “letra e dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme është në lajthitje me ligjin, sepse prokuroria ka për detyrë që të vërtetojë, nëse jam kriminel apo jo”. “Prokuroria tek letra e saj e thotë të zezë mbi të bardhë Altin Hazizaj është i padënuar, qoftë edhe me 1 ditë burg, as në Shqipëri dhe as jashtë Shqipërisë”, tha kandidati i përjashtuar nga shorti.
Sigal